"Atmosfera në stadiumin e Prishtinës do të jetë elektrizuese, por vetëm fitorja ka rëndësi" - flet mbrojtësi slloven Janza

Kombëtarja e Sllovenisë do të vijë në Prishtinë të enjten pasdite, për t’u përballur të premten (ora 20:45) me Kosovën në ndeshjen e tretë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Për mbrojtësin e skuadrës sllovene, Erik Janza, i cili luan në Poloni te Gornik Zaberze, kjo ndeshje është vendimtare në rrugën e Sllovenisë drejt Kampionatit Botëror.
“E dimë se vetëm fitorja ka rëndësi kundër Kosovës. Duhet të shohim më shumë veten për t’u përmirësuar, dhe nëse e bëjmë këtë, rezultati do të jetë më i mirë”.

“Atmosfera në stadiumin e Prishtinës do të jetë elektrizuese, por ne kemi përvojë me ndeshje të tilla. Duhet të reagojmë me qetësi ndaj presionit vendas që nga minuta e parë”, deklaroi Janza për mediat sllovene.
Sllovenia aktualisht renditet e 50-ta, ndërsa Kosova e 91-ta në FIFA.
Në dy përballjet e mëparshme, sllovenët dolën fitimtarë (1-0 dhe 2-1), por tani Kosova vjen pas një fitoreje të rëndësishme ndaj Suedisë (2-0).
Në Grupin B, pas dy xhirove, Zvicra kryeson me 6 pikë, Kosova ka 3 pikë, ndërsa Sllovenia dhe Suedia ndajnë vendin e fundit me nga 1 pikë. /Telegrafi/

















































