Atletico Madrid dërgon ofertë zyrtare për yllin e Man Cityt

Sigurimi i minutave të rregullta për çdo lojtar te Manchester City është pothuajse i pamundur dhe, si rrjedhojë, çdo sezon ka futbollistë që mbeten të pakënaqur me hapësirat që marrin.
Këtë janar, pas afrimeve të reja në skuadër, situata është bërë edhe më e ndërlikuar për disa emra në repartin ofensiv. Njëri prej tyre ka tërhequr vëmendjen e Diego Simeones, i cili po këmbëngul që Atletico Madrid të bëjë një ofertë konkrete për sulmuesin e Cityt.
“Los Colchoneros” janë në kërkim të një sulmuesi që mund t’i shtojë gola dhe vazhdimësi repartit ofensiv, ndërsa zgjidhjen e mundshme e kanë identifikuar te sulmuesi i Manchester Cityt, Omar Marmoush. Reprezentuesi egjiptian e ka pasur të vështirë të gjejë hapësira te “Etihad Stadium”, pavarësisht pritshmërive të mëdha me të cilat u transferua.

Nën drejtimin e Pep Guardiolës, roli i Marmoushit ka mbetur i kufizuar, çka ka bindur Atleticon se ekziston mundësia për të negociuar një largim të përkohshëm. Sipas “Fichajes”, klubi madrilen po shqyrton një huazim me opsion blerjeje prej 55 milionë eurosh, si dhe 15 milionë euro të tjera në formë bonusesh.
Një strukturë e tillë do ta çonte vlerën totale shumë pranë shumës që Manchester City investoi për ta transferuar Marmoushin vitin e kaluar, rreth 75 milionë euro. Megjithatë, sulmuesi nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari të rregullt.
Atletico Madrid nuk është i vetmi klub i interesuar, pasi Marmoush monitorohet edhe nga Tottenham Hotspur dhe Aston Villa./Telegrafi




















































