Struktura e të hyrave tatimore në Kosovë vazhdon të dominohet nga tatimet mbi konsumin, duke reflektuar karakterin aktual të ekonomisë dhe nivelin e formalizimit të bizneseve. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, vlerëson se analiza e të hyrave duhet parë më shumë përmes llojit të tatimeve sesa ndarjes sipas sektorëve, ndërsa thekson se proceset e fiskalizimit dhe analiza e riskut kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të hyrave dhe uljen e informalitetit.

Sipas Hysenit, identifikimi i sektorëve që kontribuojnë më së shumti në të hyrat tatimore nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, pasi ATK fokusin kryesor e ka te llojet e tatimeve.


Hyseni në emisionin ekonomik “Shtylla”, shpjegon se pjesa më e madhe e të hyrave buxhetore vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili përbën afërsisht gjysmën e të hyrave totale, ndërsa tatimet në të ardhura personale dhe ato në fitimin e korporatave përbëjnë pjesën tjetër.

Ndiqni emisionin e radhës “Shtylla”, këtu: https://www.youtube.com/watch?v=orxa7xi0G8Y

Kjo strukturë, sipas tij, tregon qartë se Kosova ka një ekonomi të orientuar më shumë drejt konsumit sesa prodhimit, pasi TVSH-ja lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet dhe jo me investimet apo fitimin. Në të njëjtën kohë, kjo dëshmon se fiskalizimi i bizneseve që merren me shitje dhe prodhim është në një nivel relativisht të mirë.

“Po tash me sektorët është pak problematike me ditë, sektorët më problematikë i dijmë, ndërsa ne te tatimet më shumë e masim me llojin e tatimeve. Për shembull, TVSH-ja bën pjesë diku me 45.5%, 49.5% të të hyrave të përgjithshme. Diku me 29 janë tatimet në të ardhura personale dhe 21 janë tatimet në të ardhura në korporata. Më e rëndësishme është me treguar çfarë tregon kjo përqindje e të hyrave sipas ndarjes tatimore, sesa me shikua cila, cili sektor prodhon më shumë. Në këtë aspekt tregon që Kosova është më shumë shoqëri konsumuese, që i bie se pse tatimi mbi vlerën e shtuar është tatim në konsum. Nuk është tatim në investime ose në fitim që bëhet. Kështu që në njërën anë tregon që shoqëria kosovare është shumë konsumuese, pra prodhimin e kemi të ulët. Edhe në anën tjetër tregon që ka fiskalizim goxha të mirë të pjesës së bizneseve të cilat merren me shitje ose prodhim në Kosovë”, thekson Hyseni.

Duke folur për komunat veriore, Hyseni vlerëson se situata atje është më komplekse jo vetëm për ATK-në, por edhe për institucionet e tjera publike. Megjithatë, ai thekson se ka nisur një proces konkret i fiskalizimit përmes një projekti identifikues me stikersa, që synon evidentimin e bizneseve të regjistruara dhe atyre që operojnë pa u regjistruar.

Ky proces tashmë është shtrirë në të gjitha komunat e vendit dhe pritet të përfundojë brenda rreth gjashtë muajve, i mbështetur edhe nga angazhimi i praktikantëve në terren.

Pjesa e katër komunave është pak më komplekse, jo vetëm për Administratën Tatimore, por edhe për krejt shërbimet që ofrohen atje. Megjithatë, ne e kemi filluar një proces të fiskalizimit atje përmes procesit të stikersave. Është një projekt i stikersave ku një stikers me formatin A3 vendoset në secilin biznes që është i regjistruar. Kjo ka për qëllim me pa që cilat janë biznese të tjera që operojnë e cilat janë të paregjistruara. Domethënë aktivitetin kryesor e kemi filluar në komunat e veriut, mandej i kemi përfshirë edhe të gjitha komunat e Kosovës kështu, që qëllimi është me mbërri me i regjistruar të gjitha ato biznese dhe me i fiskalizuar. Procesi është duke ec mirë, kemi filluar edhe me rekrutimin diku të 60 praktikantëve të cilët do të shpërndahen nëpër regjione, vetëm e vetëm për këtë qëllim të implementimit të këtij projekti që po mendojmë që na i merr diku gjashtë muaj. Edhe besoj që ka me qenë hapi i parë që ka me ndihmuar në luftimin e mirëfilltë të ekonomisë joformale”, theksoi Hyseni.

Sa i përket kontrolleve tatimore, Hyseni sqaron se shumica dërrmuese e bizneseve përzgjidhen për kontroll bazuar në analizën e riskut, e cila merr parasysh dhjetëra indikatorë për të vlerësuar nivelin e rrezikut të secilit biznes. Për të shmangur çdo dyshim për qasje selektive, edhe rastet që propozohen nga strukturat rajonale tashmë i nënshtrohen të njëjtës analizë, duke u kontrolluar vetëm nëse rezultojnë me risk të lartë.

“Tash të them të drejtën, kur kam ardhur unë prej gushtit të këtij viti, në ATK ka qenë një procedurë që 90% të bizneseve që kontrollohen, kontrollohen në bazë të analizës së riskut, që është një departament që e bën analizën e riskut, si platformë ajo i analizon diku nja 72 faktorë për me vlerësuar se cili biznes, në cilën kategori të riskut është. Normalisht kur ke staf pak është e rrugës që ti me u orientu te bizneset që kanë risk më të lartë. 10% të bizneseve të tjera ju dha liria drejtorëve rajonalë me i përzgjedhur ata në bazë të dyshimeve që i kanë në terren, në bazë të inspektorëve që i sjellin. Tash ishte vendimi i parë, po më duket është vendimi i pestë i parëve që e kam marrë, që edhe kjo pjesa e 10%-shit nuk duhet me qenë subjektive. Kjo mandej e zvogëlon këtë qasjen selektive për kontrollim të bizneseve, meqenëse, të them të drejtën, ajo 90% prapë është bërë me analizë të riskut. Po ne kemi dashur me heq edhe këtë 10%-shin që mos me lënë as më të voglin dyshim që bizneset me dyshu që ATK-ja i kontrollon ata në mënyrë selective”, theksoi ai.

Qeveria në detyrë, javë më pare ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale, që fillimisht do të jetë 425 euro nga janarim e në korrik në 500 euro. Njoëhës të ekonomisë patën thënë se ky vendim për rritjen e pagës minimale do të ndikojë në informalitet, pasi që bizneset dhe odat e bizneseve thonë se nuk janë konsultuar për një vendim të tillë.

Megjithatë, Hyseni po ashtu vlerëson se rritja e pagës minimale nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e informalitetit. Ai thekson se të hyrat nga tatimi në paga janë dukshëm më të ulëta krahasuar me TVSH-në, prandaj rritja e pagave pritet të ketë efekt pozitiv në rritjen e të hyrave tatimore.

Sipas Hysenit lidhja e rritjes së pagës minimale me informalitet nuk është ë e qëndrueshme

Video

“Lidhja e rritjes së pagës minimale me informalitet nuk është ë e qëndrueshme. Ë, ne i kemi diku 457 mijë punëtorë mesatarë që lajmërohen në baza mujore në ATK, edhe ku thashë përpara që 49.5% janë të hyrat nga TVSH-ja, vetëm 29% nga të hyrat në të ardhura personale. Kjo tregon që të hyrat në paga tatohen mjaft pak. I bie që me rritjen e pagës minimale ose me rritjen e pagave në përgjithësi, që rritja e pagës minimale i ngre ato në të gjitha kategorinë e pagave, për ATK-në dhe për shtetin ka me shënuar rritje të të hyrave tatimore. Domethënë nuk e, nuk e shoh ndonjëfarë ndërlidhje me informalitetin çështjen e ngritjes së pagës minimale.

Sa i përket diasporës, ai sqaron se Kosova ka nënshkruar dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë, duke u mundësuar investitorëve që të mos tatohen dy herë për të njëjtin fitim. Megjithatë, nuk ekzistojnë politika fiskale të veçanta që favorizojnë mërgatën, përtej lehtësimeve administrative për regjistrimin dhe hapjen e bizneseve përmes modelit “one-stop-shop”.

Megjithatë, pika më fragjile e ATK-së, siç e përshkroi vetë drejtori, mbetet borxhi i grumbulluar prej 600 milionë eurosh. Për të adresuar këtë problem, Hyseni njoftoi një plan për ristrukturimin e procesit të mbledhjes së borxheve. Plani parasheh decentralizimin e kësaj përgjegjësie, duke fuqizuar drejtoritë rajonale për të ndjekur borxhlinjtë./KosovaPress