Atalanta ka arritur një fitore të madhe 2-1 kundër Chelseat në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, një përballje ku nuk munguan tensioni, rastet e shumta dhe ndërhyrjet vendimtare të VAR-it.

Chelsea e nisi ndeshjen më mirë dhe në minutën e 25-të arriti të zhbllokojë rezultatin.


Pas një situate të ndërlikuar dhe ndërhyrjes së sistemit VAR për të vërtetuar pozicionin e Joao Pedro, goli u pranua, duke i dhënë londinezëve epërsinë prej 1-0.

Atalanta u përgjigj disa minuta më pas me një tentativë të rrezikshme nga Lookman, ndërsa De Roon gjuajti mbi traversë nga jashtë zonës.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Chelseat dhe me një karton të verdhë për Trevoh Chalobah pas një ndërhyrjeje të ashpër.

Pjesa e dytë nisi me një rast të madh për Chelsean, kur Reece James pati dy mundësi të njëpasnjëshme për të dyfishuar epërsinë, por pa sukses.

Atalanta reagoi në minutën e 53-të me një gol të Lookman, por ai u anulua për pozicion jashtë loje.

Presioni i vendasve u shpërblye dy minuta më vonë, kur Gianluca Scamacca shënoi me kokë pas një krosimi të bukur të De Ketelaeres, duke barazuar shifrat në 1-1.

Chelsea u përpoq të rikthehej në epërsi, por Scamacca iu afrua sërish golit në minutën e 62-të, kur goditja e tij me kokë u neutralizua në mënyrë fantastike nga portieri Robert Sanchez.

Atalanta vazhdoi të kërkonte përmbysjen dhe në minutën e 83-të e gjeti atë. De Ketelaere mori topin në zonë dhe gjuajti, me goditjen e tij që u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke vendosur rezultatin final 2-1.

Pas kësaj humbje Chelsea zbret në pozitën e dhjetë dhe ka pikërisht dhjetë pikë të grumbulluara./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app