Ky libër, i katërti në krijimtarinë e autorit, sjell një qasje të strukturuar dhe bashkëkohore në protetikën stomatologjike paraklinike, duke lidhur teorinë universitare me praktikën laboratorike

Në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë u promovua libri “Protetika Paraklinike Mobile – Protezat Totale”, një botim i rëndësishëm në fushën e protetikës stomatologjike paraklinike, me autor Ass. Dr. Sc. Visar Disha, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të literaturës universitare dhe avancimit të arsimit stomatologjik në Kosovë dhe më gjerë.


Libri ka lindur nga një nevojë reale akademike dhe praktike, duke synuar t’u ofrojë studentëve të stomatologjisë një material të strukturuar, të qartë dhe të lidhur ngushtë mes teorisë paraklinike dhe praktikës laboratorike. Në qasjen e tij, protetika nuk trajtohet si një proces mekanik, por si një proces i menduar mirë, i bazuar në parime biologjike, funksionale dhe estetike, duke ndihmuar studentët të kuptojnë jo vetëm si realizohet një protezë totale, por edhe pse realizohet në një mënyrë të caktuar.

Struktura e librit është ndërtuar në mënyrë progresive dhe logjike, duke filluar nga konceptet bazë të protezave totale dhe anatomia maksillare e mandibullare, për të vazhduar me masat anatomike dhe funksionale, raportet maksilo-mandibullare, dimensionet vertikale dhe horizontale, përdorimin e artikulatorëve, vendosjen e dhëmbëve artificialë, estetikën dhe okluzionin. Botimi përmbyllet me procedurat laboratorike, finalizimin, korrigjimet okluzale, riparimin dhe ribazimin e protezave totale, duke e bërë librin një udhërrëfyes të plotë nga teoria deri te praktika.

Autori i librit, Ass. Dr. Sc. Visar Disha, është specialist në disa disiplina të stomatologjisë, përfshirë protetikën stomatologjike, ortodoncinë dhe ortopedinë e nofullave, kirurgjinë orale dhe implantologjinë. Me doktoratë të përfunduar me sukses “Magna Cum Laude” në Universitetin e Zagrebit dhe me angazhim aktiv në mësimdhënie dhe kërkim shkencor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Dr. Disha sjell në këtë libër përvojën e tij shumëvjeçare akademike, klinike dhe paraklinike, si dhe standardet bashkëkohore të protetikës dentare.

Libri është realizuar në bashkëautorësi me Prof. Dr. Kujtim Shala, profesor i Protetikës Stomatologjike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, një nga figurat më të respektuara në stomatologjinë kosovare, me mbi 38 vite përvojë akademike dhe profesionale. Kontributi i Prof. Dr. Shalës është reflektuar në strukturimin e përmbajtjes, qartësinë konceptuale dhe ruajtjen e standardeve të larta akademike, duke e bërë librin një burim të besueshëm për studentët dhe profesionistët e rinj.

Si bashkautore e tretë, Dr. Fatbardhë Gashi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm profesional dhe shkencor në realizimin e këtij botimi. Me formim universitar në stomatologji dhe angazhim aktiv në praktikën klinike, ajo ka sjellë në libër një qasje bashkëkohore dhe praktike, e cila pasqyron zhvillimet aktuale në fushën e protetikës stomatologjike. Përvoja e saj në sektorin privat, pjesëmarrja e vazhdueshme në kongrese vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ndjekja e trajnimeve të specializuara në fusha të ndryshme të stomatologjisë, kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe aplikueshmërinë e përmbajtjes së librit. Kontributi i Dr. Gashit reflektohet veçanërisht në vlerësimet praktike dhe korrektësinë profesionale të materialit, duke i dhënë botimit një dimension modern dhe të përdorshëm për studentët dhe profesionistët e rinj.

Vlerësim të veçantë akademik i ka dhënë librit recenzenti Prof. Dr. Fejzi Keraj, figurë emblematike e stomatologjisë shqiptare dhe “Mjeshtër i Madh”, i nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në recensionin e tij, Prof. Dr. Keraj e cilëson librin si një tekst të strukturuar me qartësi akademike dhe rigorozitet shkencor, i cili plotëson një boshllëk të rëndësishëm në literaturën shqipe dhe vendos një standard të ri për mësimdhënien e protetikës paraklinike mobile. Sipas tij, balanca mes parimeve biomekanike, udhëzimeve praktike dhe arsyetimit klinik e bën këtë botim një manual modern dhe një udhërrëfyes të vërtetë për studentët dhe profesionistët në formim.

“Protetika Paraklinike Mobile - Protezat Totale” rekomandohet si literaturë bazë për studentët e stomatologjisë, asistentët, teknikët dentarë dhe praktikantët e rinj, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së arsimit stomatologjik dhe në avancimin e protetikës dentare në vend.

Ass. Dr. Sc. Visar Disha është autor i disa botimeve ndërkombëtare në fushën e stomatologjisë, përfshirë “Mini Dental Implants: Prosthodontics of the Future”, “PRF: The Key to Stunning Dental and Esthetic Results” dhe “Surgical Techniques and Procedures”, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm në arsimin dhe praktikën bashkëkohore stomatologjike. /Telegrafi/