“As s’kisha kohë te mendoja”, Paulinho zbulon prapaskenat me Lionel Messin para transferimit te Barcelona

Paulinho mund të ketë luajtur vetëm një sezon me Barcelonën, por edicioni 2017/18 la një gjurmë të fortë te tifozët katalunas.
Mesfushori brazilian ishte një nga befasitë më të mëdha të asaj skuadre, duke ardhur nga Kina dhe duke u shndërruar shpejt në një figurë të rëndësishme.
Në një intervistë të fundit, Paulinho ka zbuluar historinë e pazakontë të transferimit të tij, duke treguar se për herë të parë për interesimin e Barcelonës mësoi drejtpërdrejt nga Lionel Messi.
“Messi më erdhi pranë. Po luanim një miqësore kundër Argjentinës në Australi. Arbitri sapo kishte fishkëllyer për faull dhe unë isha pranë topit me Willianin”.
“Papritur, Leo u afrua, më shikoi drejt në sy dhe më tha: ‘Pra, po vijmë në Barcelonë apo jo?’. Kaq. Pa asnjë shpjegim. U kthye dhe u largua. As nuk pata kohë të mendoja”.

Paulinho pranon se mbeti i shokuar nga ajo që ndodhi në fushë.
“Unë thjesht i thashë: ‘Nëse doni të më merrni, unë vij!’. Në atë kohë luaja në Superligën Kineze me Guangzhou Evergrande dhe askush nuk do ta besonte se Barcelona ishte e interesuar për mua”.
Pas ndeshjes, ai u përpoq të kuptonte nëse bëhej fjalë për diçka reale.
“Pas lojës, e telefonova agjentin tim dhe i thashë: ‘Shef, për hir të Zotit, po çmendem! Më thuaj nëse kjo është e vërtetë apo jo!’. Madje mendova t’i shkruaja edhe Neymarit për të parë nëse dinte ndonjë gjë.”
“Agjenti më telefonoi dhe më tha: ‘Marrëveshja është mbyllur. Duhet të vish në Barcelonë për të firmosur dokumentet’”.
Paulinho u transferua nga Kina dhe la një përshtypje shumë pozitive, duke shënuar 10 gola dhe duke dhuruar 6 asistime në 34 paraqitje, një kontribut i rëndësishëm në një sezon që tifozët e Barcelonës ende e kujtojnë me simpati./Telegrafi






















































