Nga: Emily Steer / BBC
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Ndikimi psikologjik i masmedias ka intriguar artistët dhe kritikët e kulturës që nga gjysma e dytë e shekullit XX. Masmedia mund të definojë çdo mjet komunikimi që arrin te audienca e madhe. Me kalimin e viteve, kjo ndodhi duke përfshirë transmetimin përmes radios, televizionit, gazetave, filmave, reklamave dhe së fundmi me internet.
Disa thonë se ky bum i stimujve pamorë dhe dëgjimorë ka çuar në mbingarkesën kognitive: idenë se jemi duke u zhytur në një sasi të madhe të informacionit të cilin truri ynë kurrë nuk mundet ose nuk duhet ta mbajë mend. Në fundin më ekstrem të kësaj ideje është frika se funksioni kognitiv i njeriut në mënyrë të pandryshueshme ndikohet nga ky furnizim i vazhdueshëm i imazheve dhe informacionit, dhe se kjo mbingarkesë po i mpinë aftësitë e komunikimit dhe se po ndikon në mënyrën se si truri e ruan informacionin. Për artistët që e eksplorojnë këtë zonë, shpeshherë është magjepsja simultane me teknologjinë dhe me frikën se ku po e çon kjo mendjen njerëzore.
Në vitet 1980 – e ndikuar nga rrymat e imazheve, zërit dhe informacionit që vërshonin nëpër kanalet e panumërta televizive – artistja amerikane Gretchen Bender zhvilloi serinë “teatri elektronik” me imazhet që rrethonin shikuesin. Këto vepra kombinuan tingullin, videon, skulpturën dhe performancën, duke kritikuar ndikimin që përmbajtja e korporatave dhe mediave kishte te vetëdija kolektive e asaj kohe. Në këto vepra, grumbujt e televizorëve bombardonin me shfaqjen e përzier të imazheve që nxisnin tërheqjen e vëmendjes. Logot e animuara, pamjet e Hollivudit dhe videot që tregonin pajisjet ushtarake të Luftës së Ftohtë, ndizeshin para shikuesit duke i ngarkuar shqisat e tyre.
Tashti, galeria Sprüth Magers në Londër paraqet ekspozitën personale të veprës së Benderit, duke e hulumtuar këtë artiste pioniere si pararendëse e artistëve të shekullit XXI që krijojnë për dhe në lidhje me epokën post-internet. E lindur në Delauer në vitin 1951, Bender studioi artin në Universitetin e Karolinës së Veriut në Çepëll Hill në vitet 1970. U rebelua kundër formave tradicionale të bërjes së artit që imponoheshin në programin mësimor të asaj kohe, dhe në vend të kësaj u kthye te shtypja në materiale. E ka parë këtë si mjet të hershëm të komunikimit masiv përbrenda përvojës së saj. Ishte proces që mundësoi krijimin e shpejtë dhe të përsëritur të veprave pothuajse identike të artit.
Bender ishte para kohës së vet. Ose, sipas fjalëve të ish-partnerit të saj artist, Robert Longo, “mendoj se ishte si duhet në kohë dhe se të gjithë të tjerët ishin prapa kohës. E takova Gretchenin në vitin 1981, kur bëra një ekspozitë në Uashington”, tha ai për BBC Culture. “I thashë ‘shko në Nju Jork’, dhe ajo këtë e bëri”! Longo kombinon filmat me muzikën dhe me artin. Në vitet 1980 ishte pjesë e brezit të ri të Gjeneratës së Fotografive, një grupi artistësh tashmë të njohur botërorë, ku përfshiheshin Cindy Sherman, Barbara Kruger dhe Richard Prince, të cilët që të gjithë ende eksplorojnë ndikimin e imazheve në njohjen tonë të botës përreth. Ishte lëvizja ku Benderi, me interesin e saj për komunikimin masiv, shpejt u bë pjesë.
“Gretchen erdhi të jetojë me mua teksa po ndodhte gjithë puna e Gjeneratës së Fotografive”, vazhdon Longo. “Cindy jetonte aty pranë. Shkonim në festa në shtëpinë e [artistit] David Salles. Gretchen ishte disi e ngarkuar nga e gjithë kjo dhe donte të bënte art. Ishte e rrethuar nga të gjithë ne që bënim veprat e orientuara kah media. Një nga momentet më të rëndësishme ishte kur bleva një televizor me ngjyra dhe VCR”.
Ishin eksperimentale përpjekjet fillestare të Benderit në teknologji dhe montazh filmi. Punoi së bashku me Longon në një videoklip të hershëm për një grup jo të njohur të Nju-Jorkut. E përshkruan punën e tyre të parë si “goxha të keqe”, por së shpejti patën kërkesa nga grupet tjera, më të njohura, si REM dhe New Order. Përvoja e nxiti magjepsjen e Benderit me montazhin.
“Morëm disa pajisje shtëpiake dhe Gretchen nisi të bëjë ca editime”, thotë Longo. “Luanim në shtëpi dhe unë thashë: ‘Le të çmendemi’. Nisëm prerjen e shpejtë dhe të vendosim shumë imazhe në të. Gretchen e futi një rosë në ujë. Në të njëjtën kohë, shikonim shumë gjëra në VCR dhe kërkonim më shumë filma”.
Puna e Benderit mund të shihet si përparim i natyrshëm i artistëve novatorë, si artisti amerikano-korean Nam June Paik, adaptues i hershëm i video-artit në vitet 1960. Në mënyrë elektronike i shtrembëroi tingujt dhe imazhet dhe i bashkoi pamjet që zakonisht nuk do të shkonin bashkë: nga reklamat tek xhinglat e lajmeve dhe konferencat politike. Në mënyrë të famshme e shpiku termin “autostrada elektronike” në vitet 1970, duke parashikuar rrjetin virtual të komunikimit dhe të mundësive të informacionit që përfundimisht do të siguroheshin nga interneti.
Dara Birnbaum eksperimentonte gjithashtu me video-artin në vitet 1970. Praktika e saj feministe merrej me ndikimin që kishte televizioni në jetën e brendshme të ShBA-së. Në një nga veprat e saj më të njohura, Technology/Transformation: Wonder Woman (1978-79), përdori pamjet e superheroinës ikonike të luajtur nga Lynda Carter. Në vepër, Carteri shfaqet në një rrotullim të përjetshëm, teksa Birnbaum pret dhe përsërit transformimin e saj të famshëm nga Diana Prince në karakterin Wonder Woman, sërish dhe sërish. Vepra komenton jo vetëm rolin social të gruas si sekretare apo superheroinë me “asgjë në mes”, por edhe për orët e televizionit që vazhdimisht shiheshin në atë kohë. Në vitet 1970, familjet e Amerikës së Veriut shikonin mesatarisht gjashtë orë në ditë.
Në vijim të kësaj, vitet 1980 ishin kohë e ndryshimeve radikale, si në aspektin teknologjik ashtu edhe atë politik në Shtetet e Bashkuara. Përqendrimi i presidentit të ShBA-së, Ronald Reagan, në tregjet e lira dhe kapitalizmin e pakufizuar, çoi në një fokus më të madh në komercialen, në idenë se blerja dhe shitja ishin aspektet më të rëndësishme të jetës së Amerikës së Veriut. Bender, së bashku me anëtarët tjerë të Gjeneratës së Fotografive, iu përgjigj të dy këtyre gjërave.
“Një nga ndryshimet mahnitëse që ndodhi në vitet 1980 ishte përdorimi masiv i telekomandës”, thotë Longo. “Ishte thuajse si shpikja e një arme. Uleshim atje dhe kalonim pafundësisht nëpër kanalet televizive. Nuk duhej të ngriheshe dhe të ndërroje kanalin. Në fillim të viteve 1980 ndodhi edhe lulëzimi i videografikave dhe rrotullimet e topave dhe logove. Gretchen mblidhte dhe regjistronte gjithçka në televizion, pafundësisht. E bëmë këtë video të grupit New Order me rreth 700 editime. I përdorte makineritë, si shkencëtare e çmendur. Në vitet 1980, Ronald Reagan u bë gjithashtu president. Ai ishte si Donald Trumpi i parë dhe ne të gjithë vërtetë reagonim kundër tij”.
Në 40 vjetët qëkur Bender krijoi teatrot elektronike, artistët e shumtë janë angazhuar në këtë formë pune përtej atyre të Gjeneratës së Fotografive. Pamja e televizorëve të grumbulluar është e njohur për vizitorët e rregullt të galerisë dhe shumë instalime ende përdorin teknologjitë e vjetra. Babeli totemik i artistit brazilian Cildo Meireles (2001), aktualisht ndodhet në koleksionin e përhershëm publik të galerisë Tate Modern. Në një kullë me qindra radio analoge, të gjitha të caktuara në stacione të ndryshme, Babeli dërgon një mesazh paradoksalisht të qartë për të metat e komunikimit masiv: kur të gjithë flasin, askush nuk mund të dëgjohet.
Kur vizitova Babelin, tingujt e mbytur të këngës Survivor të Destiny’s Child mund të kapeshin më shumë se zhurma përreth. Çdo përvojë me këtë është e ndryshme, pasi radiot veprojnë përmes valëve të drejtpërdrejta. Instalimi nga Meireles është cilësuar si “kullë e moskuptimit”. Emri i veprës është frymëzuar nga përralla biblike e Kullës së Babelit, e cila u ndërtua për të qenë aq e lartë sa për të arritur në Parajsë. I zemëruar nga kjo strukturë, Zoti dënoi secilin prej ndërtuesve që të fliste gjuhë të ndryshme, duke i zhytur në një botë të ndarë dhe duke filluar kështu konfliktin global njerëzor. Vepra është paralajmërim për dobësitë e medias, si dhe një shfaqje e zgjuarsisë së saj. Shikuesit nuk mund të mos mrekullohen me bukurinë dhe krijimtarinë e disa prej pajisjeve në grumbull, që nga radiot me llamba të viteve 1920 deri te transmetuesit elektronikë portativë të dekadave të fundit.
Në shekullin XXI, shumë artistë e kanë zhvendosur fokusin e tyre nga televiziri dhe radioja në mbingarkesën e informacionit që ekziston në internet. “Filluam me pesë kanale, pastaj 20, pastaj 100”, thotë Longo. “Kur të gjithë morën kabllorin, ishte si: ‘Ua, shiko këtë’! Ishte si të merrje drogë. Nuk kishim internet, por mendoj se ishte fillimi i asaj që po ndodhë tani”.
Joey Holder është artiste multimediale britanike që punon në bashkëpunim me ekspertët e fushave të tjera, që nga biologët detarë e deri te psikologët e sjelljes. Mjediset imagjinare që ajo krijon shpeshherë flasin për morinë e imazheve dhe informacioneve që qëndrojnë krah për krah në mënyrë të çrregullt në internet. Në punën e saj shfaqen lidhjet e pazakonta dhe mundësitë e pafundme.
“Me ngopjen e informacionit dhe imazheve në internet, më duket sikur nuk ka mbetur asgjë për të ‘bërë’”, thotë ajo. “Ndihem e lodhur dhe e rraskapitur nga sheshi i mundësive të pafundme që paraqiten në ekran. Është sikur gjithçka është e mundur, por gjithçka është njësoj. E trajtoj këtë në kuadër të punës sime, duke menduar për kufijtë e informacionit dhe të përpunimit digjital, kapjen e korporatave dhe se si mund ta kapërcejmë këtë”.
Holder është gjithashtu e shqetësuar nga shpejtësia me të cilën është zhvilluar komunikimi masiv, duke u rritur me ritëm të paparë që mund të duket i vështirë për t’u mbajtur. “Masmedia ka vazhduar të përshpejtohet që nga koha kur puna e Benderit u bë e njohur në vitet 1980, duke depërtuar në çdo pjesë të jetës sonë bashkëkohore dhe duke krijuar efekt masiv në mënyrën se si ne shohim, sillemi, mendojmë dhe veprojmë me njerëzit tjerë”, thotë ajo. “Vazhdimisht shqetësohem për këtë”.
Efektet e masmedias dhe komunikimit janë fusha që gjerësisht është studiuar nga ekspertët e sjelljes njerëzore. Dr. Sharon Coen është psikologe mediatike dhe profesoreshë e rregullt në Universitetin e Salfordit në Mançester. “Mendoj se arti, paradoksalisht, ka shans më të mirë se unë për ta përcjellë mesazhin”. tha ajo për BBC Culture. “Nëse e them, do të tingëllojë si fatkeqësi. Para së gjithash, artistët mund të kenë qasje jotradicionale, joshkencore, që mund të na ndihmojë t’i kuptojmë gjërat në mënyra të ndryshme. Një vepër arti prek mu në zemër”.
Derisa Coen njeh efektet negative që mund të kenë mediat masive, ndihet pozitive për aftësinë njerëzore për t’i njohur rreziqet. “Ka shumë qëndrime alarmante, ndjenja si ‘Oh Zoti im, mbaruam’”, thotë ajo. “Në fakt, sa më shumë që flas me njerëzit dhe vëzhgoj rrethin tim, e kuptoj se jemi shumë strategjikë. Me lëvizjet fatkeqe të mausit nëpër ekran, disa njerëz zhyten dhe kalojnë orë dhe orë të tëra duke parë gjëra të tmerrshme në internet. Por, e dini çfarë, si mësuam për këtë lëvizje fatkeqe? Sepse njerëzit kuptuan se po e bëjnë këtë dhe thanë: ‘Oh, kjo nuk është gjë e mirë’. Pra, megjithëse është problem, mendoj se nuk duhet ta nënvlerësojmë veten”.
Coen e gjurmon frikën e rënies kognitive kolektive shumë kohë para se të formohej interneti dhe madje edhe përpara mbingarkesës vizuale të televizorit. “Shumë nga bashkëmoshatarët e mi e kanë tendencën ta fajësojnë internetin dhe të thonë se është origjina e të gjitha problemeve tona”, thotë ajo. “Vazhdoj t’u them atyre se më shumë se 2000 vjet më parë Sokrati e urrente shkrimin. Pse? Sepse thoshte se do të bëheshim budallenj dhe nuk do të mund të mbanin asgjë në mend. Mendonte se funksionimi ynë kognitiv do të ndryshojë. Por, me shkrim e kursem hapësirën mendore që do ta përdornim në përpjekjen për të kujtuar gjithçka dhe atë mund ta përdorim për gjërat tjera. Është gjithmonë një ekuilibër”.
Shumë prej artistëve të sotëm e kanë njërin sy tek emrat gjurmëlënës që dolën para tyre dhe tjetrin te zhvillimet e ardhshme që duken në horizont. “E urrej idenë e metaversit”, thotë Holder, “por duket sikur kjo është mënyra me të cilën mega-korpusi kibernetik dëshiron të na kaptojë, duke krijuar shtresë virtuale të realitetit, një simulim të jetës. Po bëhen pretendimet madhështore se do të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor, uljen e shkallës së krimit dhe shpëtimin e planetit, por jam skeptike dhe mendoj se vërtetë do të jetë edhe e kundërta. Mendoj se duhet të heqim dorë nga ideja për të krijuar kopjen e botës në formë digjitale, se jeta është shumë komplekse, nuk mund të simulohet”.
Vetë Gretchen Bender kishte marrëdhënie të përzier me teknologjinë dhe median, që puna e saj të mund të shihet si kritikë. Kishte magjepsje me procesin e editimit dhe përdorimin deri në limit të makinerive me të cilat punonte. Në të njëjtën kohë, i kuptoi rreziqet e përfshirjes së tepërt me mediat që kishte në dispozicion. Longo thotë se ai dhe kolegët e tij artistë ishin të gjithë të vetëdijshëm për anët negative: “Të gjithë ishim shumë kritikë ndaj mediave. Gjithë kjo ka të bëjë me shpejtësinë dhe me politikën. Shpejtësia e avancuar është një nga gjërat më të rëndësishme që ka ndodhur vitet e fundit”.
Teksa lëshohen më shumë kanale transmetimi dhe interneti vazhdon të zgjerojë shtrirjen, kjo shpejtësi nuk shfaq ndonjë shenjë ngadalësimi. Megjithatë, pavarësisht nga kjo shpejtësi e rritur dhe ndryshimi në format më të sakta të komunikimit që janë të disponueshme që nga vitet 1980, ka diçka shumë aktuale në punën e Benderit. Përvoja e qëndrimit para një prej teatrove të saj elektronike, dërrmimi nga breshëria e imazheve lëvizëse nuk është shumë larg nga ndjenja që mund të kesh kur kalon nëpër billbordet e Londrës Qendrore ose reklamat e panumërta që shfaqen në faqet e internetit dhe që të bllokojnë në përqendrim teksa lexon një artikulli lajmesh. Mjetet e komunikimit vazhdojnë të ndryshojnë, por, pa dyshim, ndikimi mbetet i njëjtë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Ditari që përmbys gjithçka mbi Luftën e Shkodrës: Esat Pasha ishte mbrojtësi i vërtetë i Shkodrës!?
GJUHA SHQYPE
Patricia Nugee dhe koleksioni antikuar për Skënderbeun
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Dashuritë tragjike të Sami Frashërit: Aktorja e famshme armene dhe Emija
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit