Jetojmë në një kohë ku çdo klik, çdo frymëmarrje digjitale, kontrollohet e orientohet nga algoritmet. Ato vendosin se çfarë lexojmë, çfarë dëgjojmë dhe madje çfarë ndiejmë - indirekt. Por, mes kësaj logjike të ftohtë dhe të pakthyeshme që operon në milisekonda, lind një pyetje që nuk mund të përmbytet me të dhëna: çfarë ndodh me shpirtin? A është e mundur që një shoqëri e udhëhequr nga algoritmet të ruajë thelbin e saj njerëzor, të butë, etik, emocional dhe krijues?

Në thellësitë e ekzistencës, atje ku njeriu pushon së qeni trup dhe bëhet kujtim i një ndjenje, krijimtaria klasike lind si një frymë e vjetër që refuzon të shuhet. Nuk është vetëm një brushë mbi telajo apo një varg në letër - është pulsimi i shpirtit në materie, një dridhje e brendshme që merr formë dhe mbetet përjetësisht e ngulitur në kohë. Kur dora lëviz mbi kanavacë, nuk është vetëm lëvizje fizike, por një urë që lidh botën e dukshme me atë që nuk shihet - një akt i heshtur i përkthimit të shpirtërores në të prekshme.


Poezia e shkruar me dorë nuk është vetëm fjalë - është zëri i brendshëm i njeriut që kërkon të ruajë vetveten nga harresa e algoritmit. Dhe, një skulpturë nuk është gur i gdhendur, por një trup që ka marrë frymë dikur në mendjen e krijuesit dhe tani qëndron përballë nesh si një dëshmi që shpirti është i pathyeshëm kur futet në formë. Në këtë përballje mes të përshpejtuarës dhe të përjetshmes, krijimtaria klasike është strehë, është dritarja përtej kohës ku njeriu e realizon se është më shumë se përpunues i të dhënave. Ai është shpirt i materializuar, drithërimë e përjetësisë, një qenie që krijon jo për të prodhuar, por për të mos u zhdukur dhe për të vazhduar rolin e bashkëkrijuesit të universit te tij.

Nuk ka dyshim që zhvillimi i algoritmeve ka sjellë efikasitet të jashtëzakonshëm, rritje ekonomike dhe lehtësim në shumë fusha. Inteligjenca artificiale tashmë ndihmon në shëndetësi, urbanizëm, edukim dhe komunikim. Por, ndërsa rritet fuqia e algoritmit, rritet edhe përgjegjësia jonë për të mos e lënë shpirtin të zbehet. Sepse, shoqëritë zhvillohen vërtet me teknologji, por humanizohen vetëm përmes artit, ndjeshmërisë dhe kujtesës biologjike të njeriut, përçuar përmes rolit të tij të pazëvendësueshëm.

Arti nuk është luks; është shtylla morale, estetike dhe filozofike e çdo shoqërie që synon të jetë e civilizuar. Ai edukon më mirë se çdo tekst shkollor, frymëzon më thellë se çdo fjalim politik dhe shëron më butë se çdo formulë psikologjiko. Në kohën e algoritmit, roli i artit bëhet edhe më i thellë: ai është kundërpeshë. Ai kujton njeriun për njeriun.

Në dekadën që vjen, do të shohim një algoritmizim të gjithanshëm të jetës. Inteligjenca artificiale do të krijojë piktura, poezi, madje edhe instalacione digjitale me një saktësi mahnitëse. Do të prodhojë art, por jo shpirt. Sepse algoritmi nuk njeh nostalgjinë, nuk përjeton vetminë, nuk ndien dashurinë. Ai mund të imitojë ndjeshmërinë, por nuk mund ta jetojë atë. Kjo mbetet tutje ekskluzivisht vlerë njerëzore.

Gjenerata e re ndodhet në një udhëkryq të jashtëzakonshëm. Ajo ka në dorë vegla që nuk i ka pasur asnjëherë njerëzimi më parë. Por, ka edhe një detyrë të heshtur: të ruajë shpirtin natyral të artit, të kultivojë ndjeshmërinë, etikën, të mbrojë humanitetin në kohë të revolucionit teknologjik; të mos dorëzojë thelbin në përfitim të shkëlqimit sipërfaqësor; të përdorë algoritmin, por të mos bëhet rob i tij.

Në kohën kur gjithçka përkufizohet përmes të dhënave, arti mbetet ajo formë e rrallë që nuk mund të analizohet, por vetëm të përjetohet. Prandaj, pyetja që duhet të na udhëheqë nuk është: "Çfarë mund të bëjë algoritmi për ne?" por "Çfarë nuk guxon të na marrë?"

Dhe, përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: shpirtin.