Arsimi mbeti duarbosh në duelin ndaj Makedonija Gj.P

Java e tetë e Ligës së Parë të Maqedonisë u hap sot me përballjen mes Makedonija Gj.P dhe Arsimit, dy skuadrave që po luftojnë për t’u larguar nga fundi i tabelës, njofton Telegrafi.
Nikoqirët arritën të triumfojnë me rezultat 4-1, edhe pse Arsimi pati momente kur u duk se mund të merrte më shumë nga ky duel.
Ndeshja nisi me presion të vendasve, që kaluan në epërsi në minutën e 13-të me golin e Stoillovit. Arsimi e pranoi golin herët, por nuk u dorëzua dhe me kalimin e minutave filloi të krijojë raste, siç ishte përpjekja e Ignjatovit në minutën e 33-të.
Në pjesën e dytë, Arsimi u gjend në disavantazh prej dy golave, por në minutën e 63-të Shefit Shefiti ktheu shpresat me një realizim të bukur, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Megjithatë, vetëm pak çaste më pas, ekipi nga Çegrani mbeti me një lojtar më pak pasi Xhemil Jahiji u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, gjë që e vështirësoi misionin e tyre për të rikthyer ndeshjen.
Edhe futbollistët e Arsimit me një lojtar më pak u përpoqën të mbeten aktivë në lojë, një gabim i portierit Siljanovski i dha mundësinë vendasve të realizojnë golin e tretë, ndërsa në fund u shënua edhe i katërti për rezultatin përfundimtar 4-1.

Me këtë humbje, Arsimi mbetet me katër pikë më pak se rivali i sotëm dhe do të kërkojë të rikthehet në binarë javën e ardhshme në udhëtimin e vështirë ndaj Tikveshit në Kavadar. Kujtojmë se ndeshjet tjera të javës së tetë do të zhvillohen në tri ditët e ardhshme. /Telegrafi/
04.10, 15:00 | AP Brera – Bashkimi
04.10, 15:00 | Shkupi – Rabotniçki
05.10, 15:00 | Sileksi – Tikveshi
05.10, 15:00 | Vardari – Struga
06.10, 18:00 | Pelisteri – Shkëndija
















































