Arsenali ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Evertonit në kuadër të javës së 17-të në Ligën Premier.

Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 26-të. Pas një rasti të dyshimtë në zonë dhe ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari Samuel Barrott akordoi penallti për Arsenalin.


Viktor Gyokeres u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke goditur fuqishëm në anën e majtë dhe duke mos i lënë asnjë mundësi portierit Jordan Pickford për reagim për 1-0.

Evertoni kërkoi disa herë penallti, veçanërisht në pjesën e dytë. Thierno Barry u rrëzua në zonë në dy raste, por gjyqtari fillimisht lejoi lojën të vazhdonte dhe më pas, pas një rishikimi me VAR në minutën e 59-të, konfirmoi vendimin për të mos akorduar penallti për vendasit.

Arsenali ishte shumë pranë golit të dytë në disa raste. Leandro Trossard goditi shtyllën në minutën e 64-të pas një aksioni të bukur nga afërsia, ndërsa vetëm pak minuta më vonë, Martin Zubimendi pati një tjetër rast të artë, por edhe goditja e tij u ndal nga shtylla e djathtë e portës.

Bukayo Saka gjithashtu rrezikoi seriozisht në fillim të pjesës së dytë, por mbrojtja e Evertonit reagoi në momentin e fundit për të larguar topin nga vija fatale.

Me këtë fitore Arsenali rikthehet sërish si lider në tabelë me 39 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Man City në vendin e dytë që ka 37 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app