Arsenal dhe Man Utd mësojnë saktësisht se sa para kushton transferimi i Gyokeres
Arsenal dhe Manchester United kanë marrë vesh saktësisht sa duhet të paguajnë për të nënshkruar me sulmuesin e Sporting, Viktor Gyokeres, këtë verë.
Janë vetëm disa javë që nga hapja e dritares së transferimeve për herë të dytë këtë verë, por tashmë është e qartë se e ardhmja e yllit të Sporting, Gyokeres, mund të jetë lajmi më i madh i kësaj periudhe.
Me 54 gola në 52 paraqitje këtë sezon, 27-vjeçari është një nga sulmuesit më të kërkuar në botë, duke tërhequr interes nga klube si Arsenal dhe Manchester United.
Në këtë moment, Sporting ende nuk ka pranuar asnjë ofertë zyrtare nga ndonjë klub për Gyokeres, pasi reprezentuesi suedez po zhvillon bisedime me presidentin e Sporting, Frederico Varandas, dhe zyrtarë të tjerë të klubit për tarifën e mundshme të transferimit.
Por tani duket se Arsenal dhe United mund të dinë saktësisht sa do të duhet të paguajnë nëse duan të sigurojnë firmën e Gyokeres.
Fillimisht besohej se Gyokeres do të ishte i disponueshëm për një shumë prej 60 milionë eurosh plus 10 milionë euro bonuse, pasi sulmuesi dhe agjenti i tij thuhej se kishin rënë dakord për këtë shifër me Sporting para hapjes së afatit kalimtar.
Por Varandas më pas konfirmoi në disa intervista se kjo nuk ishte e vërtetë, duke pohuar se Gyokeres po refuzonte të luante më për klubin për të detyruar një largim.
Gjithashtu është zbuluar se Gyokeres ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij prej 100 milionë eurosh, por Sporting do të ishte i gatshëm ta shiste për një shumë më të ulët se kjo.
Megjithatë, një raport i ri i gazetës portugeze A BOLA, zbulon se Gyokeres ka një klauzolë tjetër lirimi në kontratë, e cila mund ta lejojë atë të largohet për vetëm 60 milionë euro.
Sipas këtij burimi, gjatë negociatave për marrëveshjen prej 20 milionë eurosh që solli Gyokeres te Sporting nga Coventry City dy vite më parë, agjenti i tij Hasan Cetinkaya siguroi një klauzolë që i garanton 10 për qind të vlerës së çdo oferte të refuzuar mbi 60 milionë euro./Telegrafi/































