LAJMI I FUNDIT:

Arrin në 17 numri i viktimave të COVID-19 në Shqipëri

Arrin në 17 numri i viktimave të COVID-19 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka njoftuar pak minuta më parë se ka ndërruar jetë pacienti me inicialet A.C., në Spitalin Infektiv në Tiranë ndërsa ndodhej në trajtim intensive pasi ishte konstatuar me coronavirus.

Sipas Ministrisë, 75-vjeçari ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore është rënduar në mënyrë të menjëhershme e për pasojë ka ndërruar edhe jetë.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndërsa 75-vjeçari bëhet personi i 17 që fatkeqësisht nuk ia del luftë me COVID-19.

Njoftimi i plotë:

Në spitalin infektiv ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar. Pacienti ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë, teksa vuante nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni. Pacienti me inicialet A.C., ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore është rënduar në mënyrë të menjëhershme.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe u bën edhe një herë thirrje qytetarëve, që të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e distancimit social dhe të izolimit, të cilat janë të domosdoshme për frenimin e përhapjes së COVID-19

Në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona, nga të cilët kanë rezultuar pozitiv 27 raste, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 304. Në total numri i të shëruarve nga koronavirusi ka shkuar në 89 plus dy infermierë që u raportuan këtë pasdite nga ministrja Ogerta Manastirliu..

Ndërkohë që numri më i madh i të prekurve në orët e fundit ka qenë në qytetin e Shkdorës, ku janë identifikuar 12 të prekur në dy familje të ndryshme, mes tyre dhe një fëmijë 13-vjeçar.

Rakacolli tha se në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv.

Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar).

Deklarata e plotë:

Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 2031 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 304 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 13 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 89.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv.

Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar).

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 81 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 146 raste

– Durrës 32 raste

– Lushnje 4 raste

– Elbasan 8 raste

– Fier 25 raste

– Kavajë 8 raste

– Rrogozhinë 2 raste

– Korçë 16 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 22 raste

– Lezhë 11 raste

– Berat 1 rast

– Has 8 raste

– Krujë 5 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 4 raste

– Mirditë 3 raste

Sic shihet, nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren.

Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19, raportojnë mediat shqiptare.