Ledjan Muçaraku u arrestua dje në qytetin e Fierit pas zbulimit të veprimtarisë së tij. Sipas prokurorisë ai mashtronte fillimisht studentë për kredi me interes të ulët, që i detyronte të nënshkruante akte noteriale që i manipulonte po vetë.

Muçaraku kishte arritur t’u krijonte bindjen të interesuarve se do t’u siguronte para me interes në vlerat nga 5 milionë lekë e lart, si dhe nga 6 mijë deri në 1 milionë euro, mjafton që ata të kishin kolaterale si peng me vlerë më të madhe se vlera e parave që kërkonin.


Në asnjë rast klientët nuk merrnin paratë, por denoncoheshin prej 29-vjeçarit se kishin prishur kontratën pa të drejtë. Mashtrimet kanë nisur që në vitin 2007 e vazhdonin deri ditët e fundit, pasi Muçaraku arrinte të zhdukej dhe të humbte çdo kontakt me personat e mashtruar.

Ai ka mashtruar me skenën piramidale qytetarë të shumtë nga Fieri, Vlora, Berati, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Laçi, Mamurrasi, Burreli, Kukësi e Kavaja. /Telegrafi/