Javët që po lëmë pas institucionet e sigurisë në vend kanë arrestuar tre persona, dy shqiptarë dhe një serb për spiunazh. Në fakt, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, në bashkëpunim me organet tjera të sigurisë, ka zbuluar dhe kapur me sukses tre spiunë të lidhur me Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
E instituti Octopus ka paraqitur një analizë të thelluar mbi përpjekjet për të minuar dhe diskredituar historinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke ndriçuar mekanizmat dhe taktikat e përdorura në këtë luftë hibride.
Në analizën e këtij instituti thuhet se qëllimi i këtyre spiunëve ishte të diskreditonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të ndryshonin narrativen e masakrës së Reçakut, të krijonin një “shtëpi të verdhë” sikur ai në veri të Shqipërisë dhe të destabilizonin shtetin e Kosovës nëpërmjet nxitjes së konflikteve ndëretnike.
“Në vitin 2009, tre individë të lidhur me BIA-në u kapën në Kosovë. Më vonë, një individ tjetër u identifikua si anëtar i një grupi që synonte të fabrikonte dhe kompensonte dëshmitarë të rrejshëm në lidhje me rastin e montuar të trafikimit të organeve nga UÇK-ja.
Çuditërisht, ky individ kishte poste zyrtare brenda aparatit shtetëror të Kosovës. Serbia vazhdimisht ka qenë e angazhuar nëpërmjet botës së spiunazhit kundër Kosovës dhe zbulimet e fundit janë vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë së saj. Së fundi, është zbuluar se Rusia nëpërmjet agjentëve Serbë ka ndikuar edhe tek politikanë dhe institucione të Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në analizë.
Octopus tutje thekson se që nga viti 2002, një spiun serb, Marko Knezheviq, dyshohet se ka operuar në Kosovë nën pseudonimin “Drugi Crni” duke u paraqitur si gazetar për “TV Most” me seli në Zveçan. Më 30 maj 2023, Policia e Kosovës arrestoi Knezheviçin pas një hetimi dhe zbulimi nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Arrestimi ndodhi për shkak të përdorimit të identitetit të dyfishtë nga Knezheviq, pasi pasaportat e tij serbe dhe kosovare nuk kishin të njëjtin identitet.
“Përfshirja e Knezheviç me TV Most nxjerr në pah përdorimin strategjik të mediave për të shpërndarë propagandë dhe manipuluar opinionin publik. Duke u paraqitur si gazetar, ai ishte në gjendje të grumbullonte inteligjencë dhe të shpërndante dezinformata, duke i shërbyer interesave të Serbisë dhe më e rëndësishmja, me gjasë duke organizuar dhe ndihmuar grupe terroriste si ‘Brigadat e Veriut’ dhe ‘Rojet e Urës’”, thuhet tutje në analizë.
“Prania e pajisjeve të avancuara teknologjike në zotërimin e Knezheviq sugjeron se Serbia ka investuar shumë në mjete të sofistikuara të vëzhgimit dhe spiunazhit. Kjo nënvizon përkushtimin e vendit ndaj operacioneve të fshehta, të dizajnuara për të kompromentuar sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës. Për më tepër, identitetet e dyfishta të Knezheviç në pasaportën kosovare dhe serbe ngrenë pyetje rreth shkallës së infiltrimit të Serbisë në jetën shoqërore dhe institucionale kosovare.
Knezheviq është njeri i afërt i cili i raporton Aleksandër Vulin-it, zëvendëskryeministër i tanishëm në qeverinë e Serbisë, ish-Ministër i Brendshëm dhe ish-drejtor i BIA-së. Ky zbulim ka implikime të rëndësishme për sigurinë rajonale, pasi sugjeron se Serbia ka qenë në gjendje të depërtojë në strukturat kosovare dhe të mbledhë informacione të ndjeshme”.
Referuar gjithnjë analizës së institutit “Octopus”, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) pas një hetimi dhe mbledhje të të dhënave inkriminuese ka dëshmuar pranë Gjykatës Supreme të Kosovës duke e angazhuar atë në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për arrestimin e dy personave, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, nën akuzën për bashkëpunim me Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Dëshmitë e mbledhura nga AKI-ja tregojnë se këta individë po minonin në mënyrë aktive Kosovën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe narrativën historike të luftës së Kosovës.
Bedri Shabani, një ish-doganier gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit në vitet 1990, dhe Muharrem Qerimi, një ish-zyrtar i Policisë së Kosovës deri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe që u përjashtua nga ky institucion për shkak të keqpërdorimit të një veture të konfiskuar, u zbuluan se kishin një kontakt të ndërsjellë brenda BIA-s, përkatësisht me Serdjan Rosiç, një serb nga Ferizaj.
Ky i fundit është një emër i njohur nga deklarata e Bogolub Janiçeviq gjatë dëshmisë së tij në Hagë. Qëllimi kryesor i këtyre personave të ndaluar ishte manipulimi i provave dhe orkestrimi i dëshmitarëve kundër UÇK-së.
Bedri Shabani, veçanërisht, ka qenë aktivisht i përfshirë në përpjekjet e Serbisë për të shtrembëruar historinë e masakrës së Reçakut. Serbia vazhdimisht ka promovuar narrativën e saj se masakra e Reçakut ishte sajuar nga UÇK-ja dhe komuniteti ndërkombëtar.
Objektivi kryesor i këtij revizionizmi historik është të minojë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, e cila u nxit nga masakra e Reçakut dhe përgjigja e William Walker. Intervenimi i NATO-së në Kosovë ishte si pasojë e gjenocidit që prodhoi shteti serb kundër shqiptarëve në Kosovë me në krye Sllobodan Millosheviçin.
Sipas informacioneve të deri tanishme, Bedri Shabani ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë fushatë dezinformuese. Ai u përpoq të krijonte një kopje të “shtëpisë së verdhë” të ngjashme me atë në veri të Shqipërisë ku është fabrikuar narrativa se UÇK-ja ka bërë trafikim të organeve njerëzore. Synimi strategjik i Shabanit ishte lidhja e ish-spitalit ushtarak të UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes me masakrën e Reçakut, pasi territorialisht këto dy fshatra janë afër.
Muharrem Qerimi vazhdimisht e ka paraqitur vetën sikur një agjent i shërbimeve britanike.
Octopus thekson tutje se arrestimi i Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka hedhur dritë mbi përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të shtrembëruar historinë e Kosovës dhe për të minuar stabilitetin e saj.
Dy personat, të dyshuar se punonin për Agjencinë Serbe të Informacionit dhe Sigurisë (BIA), u zbulua se ishin përfshirë në mënyrë aktive në përhapjen e dezinformatave dhe manipulimin e opinionit publik kundër Kosovës.
“Aktivitetet e Shabanit dhe Qerimit datojnë që nga vitet 1990, kur ata ishin të punësuar në institucionet serbe, atëherë kur shqiptarët ishin të përjashtuar nga institucionet dhe jeta publike në ish-Jugosllavi. Shabani ka qenë i punësuar në regjmini e Serbisë si doganier dhe pas lufte ka jetuar kryesisht jashtë Kosovës, ndërsa Qerimi është shkarkuar nga Policia e Kosovës për shkak të keqpërdorimit të një veture të sekuestruar dhe pastaj është angazhuar në fushën e patundshmërive duke e paraqitur veten edhe si njeri të fuqishëm që punon për AKI-në apo ndonjë shërbim tjetër të inteligjencës”, thuhet në analizë.
“Shabani dhe Qerimi kanë pasur kontakte me BIA-n në formë fizike dhe përmes kanaleve të tjera nëpërmjet Serdjan Rosiç. Kohët e fundit ata ishin përpjekur të organizonin një incident ndëretnik në Kosovë të ngjashëm me ato të viteve 80-ta, 90-ta, apo pas luftës. Kjo sugjeron se ata ishin pjesë e një rrjeti më të madh që synonte destabilizimin e rajonit.
Arrestimi i Shabanit dhe Qerimit ka implikime të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. Aktivitetet e tyre ishin të dizajnuara për të dëmtuar shtetin e Kosovës dhe për të minuar reputacionin e tij ndërkombëtar. Për më tepër, plani i tyre dashakeq kundër William Wolker, një figurë kyçe në komunitetin ndërkombëtar, nxjerr në pah shkallën e përpjekjeve të Serbisë për të manipuluar dhe frikësuar”, thuhet tutje.
Tre spiunët e BIA, PK i arrestoi, EULEX i liroi, Branislav Nikoliq dhe të tjerët
Tre serbë, ky dy prej tyre ishin shtetas të Serbisë dhe një i Kosovës ishin arrestuar nga Policia e Kosovës në vitin 2009 nga drejtoria kundër krimit të organizuar në një aksion të ndërmarrë në Çagllavicë të Prishtinës. Aty ishin arrestuar Igor Jucinaq, Milutin Radanoviq dhe Predrag Zheljkoviq të cilët ishin zënë duke blerë dëshmitarë që ishin të gatshëm të dëshmonin kundër UÇK-së për montimin e rastit për trafikim organesh në “shtëpinë e verdhë” në veri të Shqipërisë, ku akuzohej UÇK-ja për trafikim të organeve njerëzore.
Sipas përgjimeve dhe dëshmive ata paguanin deri në 100 mijë euro për të blerë një dëshmitar i cili do dëshmonte në mënyrë të rrejshme kundër UÇK-së.
Në atë kohë EULEX duke shfrytëzuar kompetencat e veta të garantuar ia kishte marrë rastin Policisë dhe Gjykatave të Kosovës ku më pas ata i kishte liruar që të mbroheshin në liri, por të njëjtit ishin arratisur nga Kosova dhe nuk ishin kthyer më.
Se si u liruan mbete mister i vërtetë, pse prokurori i liroj kur akuzoheshin për vepra të rënda penale.
Igor Jocinaq më vonë si duket kishte tentuar të rikthehej prapë në Kosovë, por tani si punëtor shëndetësor, pasi ai gjendej në listën e pagave në spitalin e Shtërpcës i cili nuk ishte i funksionalizuar por që 21 persona merrnin paga.
Si i përfshirë në këtë lloj fushate kundër UÇK-së ishte zbuluar edhe Branislav Nikoliq. Ky i fundit është vëllai i Bratislav Nikoliq i cili ishte kryetar i Komunës së Shtërpcës.
Bratislav Nikoliq ishte bërë kryetar i komunës së Shtërpcës me 2009 me partinë e pavarur liberale të udhëhequr nga Sllobodan Petroviq. Me 2010 kishte ndodhur një sulm ndaj shtëpisë së Nikoliqit në Shtërpcë.
Pas krijimit të Listës Serbe me marrëveshjen e Brukselit, Nikoliq kalon në këtë subjekt politik dhe në shtator të vitit 2015, Nikoliq njoftonte se rreth 3000 qytetarë të Shtërpcës iu bashkuan Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandër Vuçiqit dhe Listës Srpska duke thënë se kryeministri i atëhershëm i Serbisë dhe kryetari i SNS-së, Aleksandar Vuçiq “merret me probleme specifike të qytetarëve, se i ka pasur të vështira negociatat e Brukselit dhe se ka siguruar formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”
Si duket Bratislavi kishte ndikuar që vëllai i tij Branislavi të avancohej në poste të ndryshme në Kosovë. Branislavi ishte emëruar si anëtar i Bordit në Postën e Kosovës me vendim në vitin 2012.
I njëjti pastaj ishte emëruar në vitin 2016 si këshilltar i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaqi, por që ishte shkarkuar në qershor 2019 pas më pak se katër vite pune, pas zbulimeve se ai është pjesë e BIA-së.
Branislav Nikoliq, si kandidat për deputet me Listën Srpska për Kuvendin e Kosovës, me 2019 kishte arritur që të bëhej deputet në mënyrë ligjore në mungesë të një vendimi nga gjykata mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.
“Me rastin e zbulimit të përgjimeve të Bedri Shabanit me Serdjan Rosiçin zbulojmë se qëllimet e Serbisë janë më të mëdha se sa marrja e vetëm veriut të Kosovës, pra ata synojnë gjithë pjesën verilindore të Kosovës. Pra, një pjesë të territorit të Kosovës që është përgjatë gjithë kufirit me Serbinë. Andaj, jo rastësisht janë të vendosura edhe 48 bazat e saj ushtarake në gjithë vijën kufitare me Kosovën”, thuhet ndër të tjera në analizën e instituti “Octopus”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Lajçak: Franca mbështetëse e fortë e dialogut Kosovë-Serbi
Fetai dhe Taravari në takim me presidentin Begaj: Ndërtimi i Korridorit 8 kontribuon për siguri më të madhe dhe zhvillim të qëndrueshëm
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Mushkolaj: Serbia me ngulm e ka penguar Asociacionin
Gjykata Kushtetuese shpall vendimin pas ankimimit të Sali Berishës
Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme