Balotazhi i zhvilluar në komunën e Gjilanit, solli një përmbysje të madhe të rezultatit anipse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin lidhur koalicion.

Nga rezultatet e numëruara nga KQZ nga votat e rregullta pa përfshirë ato me postë, Alban Hyseni i LVV-së ka fituar bindshëm me 61,06% apo 22,269 vota, kurse Arbër Ismajli i LDK-së mori 38,94% apo 14,203 vota.


Krahasuar me rezultatet finale të raundit të parë të mbajtur më 12 tetor, Arbër Ismajli i LDK-së ka dalë me minus 1,129 vota në raundin e dytë, duke lënë të nënkuptohet se as marrëveshja me PDK-në nuk i solli votat e duhura.

Më 12 tetor Ismajli kishte marrë 15,332 vota apo 34.29%, kurse kandidati i PDK-së, Riad Rashiti kishte marrë 5,447 vota.

Ndërkaq Alban Hyseni i LVV-së më 12 tetor kishte marrë 22,264 vota apo 49.80% e që sipas rezultatit të balotazhit të 9 nëntorit i del që ka fituar vetëm 5 vota më shumë, 22,269. /Telegrafi/