LAJMI I FUNDIT:

Arben Krasniqi i bashkohet Yllit bashkë me dy lojtarë në prag të derbit ndaj Rahovecit

Arben Krasniqi i bashkohet Yllit bashkë me dy lojtarë në prag të derbit ndaj Rahovecit

Kampioni i shumëfishtë i Kosovës në basketboll, Arben Krasniqi, do të rikthehet në elitën e basketbollit tonë.

Krasniqi i është bashkuar skuadrës nga Suhareka, Golden Eagle Ylli, në prag të derbit të zjarrtë të basketbollit të shndërruar në dy vitet e fundit ndaj Rahovecit.

Fituesi i shumëfishtë i titullit me Prishtinën kështu ka pranuar sfidën e Yllit, që dëshiron të garojë për titullin në një finale të playoffit me Prishtinën, ka konfirmuar kryetari i klubit nga Suhareka, Naim Berisha.


Ai për Kohën Ditore ka thënë se synimi është vendi i tretë dhe prej aty përballja me Bashkimin në playoff ku do të synohet më pas edhe finalja bashkë me përforcimet Alexis Wangmene dhe Elio Sadiku.

Po ashtu, te klubi suharekas është rikthyer edhe Arif Mehmetaj, i larguar për shkak të disa mos marrëveshjeve pak kohë më parë.

KB Ylli i ka bërë përforcimet në prag të ndeshjes më të madhe të sezonit për këtë klub ndaj KB Rahovecit, që pos një derbi i zjarrtë regjional i njohur për rivalitetin e përbetuar mes tifozëve, është edhe një betejë për atë vendin e tretë në tabelë që siguron një shmangie nga Prishtina në rrethin e parë të playoffit.

Rahoveci aktualisht ka dy fitore, kurse Ylli një fitore në përballje të ndërsjella dhe një fitore e klubit Vreshtar do të linte KB Yllin në vendin e katërt qysh prej javës së ardhshme nëse nuk do të ketë rezultate tjera befasuese. /Telegrafi/