Burime nga Apple kanë zbuluar se kompania nga Cupertino ka krijuar një aplikacion të ngjashëm me ChatGPT-në, i cili është i dedikuar për iPhone dhe ndihmon ekipin e inxhinierëve në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të asistentit Siri të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM).

Sipas burimeve, departamenti i inteligjencës artificiale po përdor një aplikacion të brendshëm për të testuar funksione të reja të Siri-t, përfshirë aftësinë për të kërkuar informacione personale si këngë, email-e, fotografi, video, etj. Gjithashtu, është i aftë të kryejë veprime brenda aplikacioneve, si për shembull redaktimi i fotove.


Aplikacioni ka emrin e koduar "Veritas" dhe për momentin është krijuar vetëm për përdorim të brendshëm. Apple nuk ka plane ta ofrojë për përdorim nga konsumatorët, pasi është i dedikuar vetëm për testimin e funksioneve që ekipi i Siri-t është ende duke zhvilluar.

Aplikacioni Veritas funksionon njësoj si ChatGPT. Përdoruesi mund të bisedojë me modelin gjuhësor të Apple, dhe softueri ruan bisedat e mëparshme. Megjithatë, drejtuesit dhe zyrtarë të tjerë të Apple kanë shprehur disa herë hezitim për të hyrë në tregun e chatbot-ëve me inteligjencë artificiale. Prandaj, vendimi për të mos e publikuar Veritas nuk është edhe aq befasues.

Siri i ri është i fuqizuar nga inteligjenca artificiale dhe është shumë më i zgjuar, dhe fillimisht ishte planifikuar të lançohej këtë pranverë, por Apple e ka shtyrë publikimin.

Afati i ri për prezantimin në treg tani është vendosur për marsin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, Apple ka filluar bisedime të avancuara me kompanitë OpenAI, Google dhe Anthropic për të marrë ndihmë në zhvillimin e Siri-t të ri.

Apple planifikon ta integrojë inteligjencën e vet artificiale edhe në pajisje të tjera, përfshirë pajisje shtëpiake, altoparlantin HomePod dhe Apple TV. /Telegrafi/