LAJMI I FUNDIT:

Apeli ia vërteton dënimin prokurores Vahide Badiviku

Apeli ia vërteton dënimin prokurores Vahide Badiviku

Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e  Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë dhe avokatit mbrojtës në çështjen e të akuzuarës V.B., duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 05.04.2016.

Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara V.B. është shpallur fajtore  për veprën penale: “Marrja e ryshfetit”, (vepër  të cilën e kishte kryer në cilësi të prokurores së shtetit), nga neni 428 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe është dënuar me 3 vjet burgim.

Asaj po ashtu i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 5.000(pesëmijë) duro, si dhe i është ndaluar ushtrim  i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për  tri vjet.


Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, i ka ri cilësuar veprimet e dy të akuzuarve tjerë të këtij rasti I.K. dhe I.S. nga “ Ushtrim ndikimi “ në “Dhënie ryshfeti”. I pari është dënuar me një vjet burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh.