Anomalitë te fëmijët - ortopedi Cen Bytyqi tregon si mund të ndërhyhet me kohë

Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, mbështetur nga United Hospital ortopedi i njohur Cen Bytyqi ka folur rreth anomalive kongjenitale tek fëmijët – sëmundje të lindura që, nëse zbulohen me kohë, mund të trajtohen me sukses të lartë.
Sipas Bytyqit, ndër anomalitë më të shpeshta që hasen tek të sapolindurit janë shputat e shtrembëta dhe luksacioni kongjenital i kërdhokullave (çrregullim zhvillimor i nyjave të ijëve).
Kjo e fundit, thotë ai, është anomalia më e përhapur në botë në mesin e foshnjave.
“Esenca është zbulimi i hershëm, diagnostikimi i hershëm. Këto janë anomali të lindura, pacienti lind me to. Nuk shkaktohen gjatë lindjes siç mendohet shpesh”.
Bytyqi shpjegon se nëse problemi do të ndodhte gjatë lindjes, ai do të mund të korrigjohej me një manovër të thjeshtë.
“Por kur nyja nuk qëndron në vend për shkak të një zhvillimi të mangët të strukturave mbështetëse siç është ‘filxhani’, atëherë kemi të bëjmë me një problem të lindur. Falë përparimeve në teknologjinë diagnostike dhe punës së gjinekologëve dhe obstetërve të kualifikuar, shumë prej këtyre anomalive sot mund të zbulohen që gjatë jetës intrauterine, përmes ultrazërit 3D dhe 4D”, tha ortopedi Bytyqi, duke shtuar se “Shpeshherë nënat më thërrasin dhe më dërgojnë filmimet nga gjinekologët. Në këto raste, planifikimi i trajtimit fillon menjëherë pas lindjes”.
Siç u shpreh ai trajtimi i hershëm është thelbësor, veçanërisht për shputat e shtrembëta.
“Sa më herët të fillohet trajtimi, aq më i lehtë, më i shkurtër dhe më i suksesshëm është. Indet e foshnjës janë elastike në ditët e para të jetës dhe korrigjohen më lehtë. Kur trajtimi vonohet, deformimi bëhet më i fortë, më i ngurtë dhe më i vështirë për t’u trajtuar”, u shpreh Bytyqi. /Telegrafi/



















































