Aktorja e njohur Anne Hathaway është e dallueshme për flokët e saj të gjatë e të zinj, por kësaj here është shfaqur me një pamje krejtësisht ndryshe

Anne Hathaway u shfaq me modelin më të shkurtër të flokëve në 13 vjetët e fundit, që nga koha kur i preu për rolin e Fantine në filmin Les Misérables.


Aktorja ndryshoi imazh për një set fotografik për numrin e shtatorit të edicionit kinez të revistës Vogue. Fotografitë i shtynë fansat të pyesnin nëse Hathaway i kishte prerë vërtet flokët apo nëse kishte përdorur paruke vetëm për realizimin e fotosesionit.

Sipas The Zoe Report, shumë stilistë flokësh mendojnë se bëhet fjalë për variantin e dytë. Modeli i ri, por me sa duket i përkohshëm, është përkufizuar si “bixie”, një ndërthurje mes prerjes bob dhe pixie, me balluke të theksuara, të shkallëzuara dhe maja të çrregullta. Vetë aktorja e quajti me shaka këtë pamje “iriqi im i modës”.

Modeli është realizuar nga bashkëpunëtori i saj prej shumë vitesh, Orlando Pita, ndërsa Hathaway pozoi para objektivit të fotografit Norman Jean Roy.

Në kopertinë, aktorja shfaqet me një xhaketë të bardhë Louis Vuitton me detaje të zeza dhe me një varëse Bulgari, transmeton Telegrafi.

Ky është transformimi më i madh i saj gjatë këtij viti, pasi deri tani Hathaway ishte shfaqur me flokët e gjatë dhe me onde gjatë promovimit të filmave The Devil Wears Prada 2 dhe The Odyssey, ku luan role të rëndësishme.

“Disa kombinime të bëjnë të ndihesh glamuroze, strikte ose paksa e distancuar. Me këtë kombinim nuk e di çfarë ndodhi, por papritur fillova të ndihesha si një yll i filmit pa zë. Ky është look-u im ‘iriqi i modës’. Dhe iriqët janë të lezetshëm”, tha ajo për Vogue.

Në intervistë, Hathaway foli edhe për rolin e saj në filmin Mother Mary, duke theksuar se ky projekt i kishte transformuar vetëbesimin dhe i kishte dhënë një kuptim shumë më të thellë të aftësive të saj si aktore.

“Gjithçka më duket misterioze kur bëhet fjalë për aktrimin”, tha ajo, duke shtuar se edhe vetë jeta mbetet e paparashikueshme, sepse nuk mund ta dimë kurrë se çfarë na pret pas kthesës dhe si do të reagojmë.

“Teksa ndryshoj, rritem dhe piqem, ndryshon edhe qasja ime. Njeriu thjesht duhet të mësojë si është të besosh në instinktet e tua dhe ta shijosh vërtet këtë rrugëtim”, përfundoi ajo.

/Telegrafi/