Flokët që duken gjithmonë “të shtrenjtë”: Pamja luksoze që nuk kërkon produkte të kushtueshme

Nuk kërkon frizurë të komplikuar – gjithçka qëndron te shkëlqimi, butësia, prerja e mirë dhe pamja sa më natyrale
Nëse keni pyetur ndonjëherë pse flokët e disa grave duken gjithmonë të kuruar dhe “luksozë”, edhe pa një model flokësh të komplikuar, përgjigjja mund të jetë te trendi që po pushton rrjetet sociale: “rich girl hair”.
Ky stil nuk ka të bëjë me produkte të shtrenjta apo me orë të tëra para pasqyrës. Ideja është që flokët të duken të shëndetshëm, të butë, me shkëlqim dhe natyrshëm të rregulluar.
Harrojini kaçurrelat perfekte, sasitë e mëdha të llakut dhe modelet ku duket çdo minutë e kaluar duke stiluar flokët. Qëllimi tani është një pamje natyrale, por e rafinuar.
Nuk ekziston një model i vetëm që përcakton këtë trend. Flokët mund të jenë të gjatë apo të shkurtër, të drejtë apo me onde. Më e rëndësishmja është që të duken të shëndetshëm, të plotë dhe me shkëlqim, transmeton Telegrafi.
Prerja e mirë bën diferencën
Një prerje e rregullt luan rol të madh. Majat e mirëmbajtura dhe shtresat e formuara siç duhet i japin flokut volum dhe e bëjnë të duket bukur edhe pa stilim të ndërlikuar.
Në këtë mënyrë, flokët ruajnë lëvizjen dhe formën, pa dhënë përshtypjen se janë “punuar” tepër.
Ngjyra duhet të duket natyrale
Edhe ngjyrosja nuk duhet të jetë shumë e dukshme. Në vend të kontrasteve të forta, preferohen kalime të buta, fije natyrale, nuanca të pasura çokollate dhe tone të ngrohta bionde.
Qëllimi është që ngjyra të duket elegante dhe luksoze, por njëkohësisht e natyrshme – sikur flokët ta kishin gjithmonë atë tonalitet.
Shkëlqimi është elementi kryesor
Pika më e rëndësishme e këtij trendi është kujdesi.
Maskat hidratuese, mbrojtja nga nxehtësia dhe një sasi e vogël vaji në maja mund të bëjnë ndryshim të madh në pamjen e flokëve.
As tharja me fen nuk ka pse të jetë perfekte. Kërkohet volum natyral, butësi dhe lëvizje – pra flokë që duken të kuruar, por jo të stiluar në mënyrë të tepruar.
Kjo është edhe filozofia e trendit “rich girl hair”: flokët të duken “të shtrenjtë”, të shëndetshëm dhe elegantë, pa u vërejtur sa shumë përpjekje është bërë për ta arritur atë pamje. /Telegrafi/





































