Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka reaguar me qetësi dhe sportivitet ndaj thirrjeve kritike të tifozëve gjatë fitores 5-0 ndaj Letonisë, që siguroi kualifikimin e "Tre Luanëve" në Kupën e Botës 2026.

Gjatë ndeshjes, tifozët anglezë e shënjestruan Tuchelin me disa këngë ironike si përgjigje ndaj deklaratave të tij pas fitores 3-0 ndaj Uellsit në Wembley, ku kishte shprehur pakënaqësi për atmosferën në stadium.


Disa nga thirrjet që u dëgjuan ishin: "Thomas Tuchel, do të këndojmë kur të duam" dhe "Thomas Tuchel, jemi mjaftueshëm të zhurmshëm për ty?".

Pas ndeshjes, trajneri gjerman u shpreh me një ton të qetë dhe pozitiv për reagimin e tifozëve.

"Mora pak kritika në pjesën e parë, dhe e pranoj. E marr me sportivitet dhe me sens humori. Ata kishin një arsye pas komenteve të mia të fundit, dhe kjo është e drejtë. M'u dukën mjaft krijues. Më bënë të buzëqesh. Ky është humori britanik dhe unë e pranoj plotësisht. Nuk ka asnjë problem".

Tuchel theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në rrugëtimin drejt Botërorit.

"Është shumë e rëndësishme. Tifozët kanë qenë fantastikë, dhe unë e kam thënë që mbështetja në Serbi ishte e shkëlqyer. Jemi të sigurt se edhe në Amerikë do të jetë po aq e jashtëzakonshme. Mbështetja e tyre bën diferencën".

Ai përfundoi duke nënvizuar marrëdhënien mes ekipit dhe tifozëve.

"Duam t’i bëjmë krenarë. Duam t’i bëjmë të lumtur. Duam që ata të identifikohen me mënyrën si luajmë. Jemi në rrugën e ndërtimit të diçkaje dhe performanca e tyre është po aq e rëndësishme sa e jona".

Anglia tashmë ka siguruar një vend në Kupën e Botës "USA 2026", dhe ekipi duket i fokusuar për të vazhduar rrugëtimin me qëllimin për të bërë histori. /Telegrafi/

telegrafi sport app