Analistët Sadri Ramabaja dhe Visar Ymeri në Debat Plus kanë komentuar miratimin e rezolutës nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se dokumenti ishte i domosdoshëm dhe i formuluar me kujdes për të ruajtur neutralitetin institucional.

Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën e paraqitur nga PDK-ja me 90 vota për dhe 1 kundër. Dokumenti kërkon angazhim dhe respektim të ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.


Propozimi i LDK-së për përfshirjen e një paragrafi lidhur me zbardhjen e vrasjeve pasluftës nuk u përfshi në tekstin përfundimtar, dhe si pasojë ky subjekt politik nuk mori pjesë në votim. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ishte i vetmi që votoi kundër.

Sadri Ramabaja ka theksuar se miratimi i rezolutës ishte një hap i domosdoshëm dhe se nuk ka pasur nevojë për debat shtesë rreth tekstit.

“Nuk ka pas vend për debat këtu rreth tekstit të rezolutës. Dhe mendoj që ka qenë dashtë të votohet ngjashëm. Është mirë që është votuar, ka kaluar. Është mirë që është votuar po sot një rezolutë e ngjashme në Tiranë. Dhe kaq do të duhej ta bënin minimumi dy republikat tona”, ka deklaruar Ramabaja.

Ndërkaq, Visar Ymeri ka vlerësuar se rezoluta është hartuar në mënyrë të balancuar, me synimin për të shmangur çdo interpretim si ndërhyrje në procesin gjyqësor.

Sipas tij, teksti është përgatitur nga ekspertë dhe është i kujdesshëm në formulim, duke kërkuar respektimin e të drejtave juridike dhe parimeve ndërkombëtare, pa përjashtuar ndjekjen e atyre që mund të kenë kryer vepra penale.

“Rezoluta thotë aman respektoj të drejtat juridike të njeriut dhe parimet ndërkombëtare… dhe rezoluta po kërkon që njerëzit e pafajshëm s’mund t’i çosh në burg veç pse ty ka tek, ama s’po thotë që s’mund t’i çosh ata që kanë faj. Prandaj po them se çfarëdo shtese në të do të mund të prishte balancin, neutralitetin”, ka thënë Ymeri.

Sipas analistëve, çdo ndryshim apo shtesë në tekst do të mund të rrezikonte neutralitetin e dokumentit dhe të krijonte hapësirë për keqinterpretim nga ana e Gjykatës Speciale./Telegrafi/