LAJMI I FUNDIT:

Analistët amerikanë të ndarë për qëndrimin e Uashingtonit zyrtar ndaj Kosovës

Analistët amerikanë të ndarë për qëndrimin e Uashingtonit zyrtar ndaj Kosovës

Ditët e fundit i dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre. Përplasja mes dy palëve vjen mes një trysnie të shtuar nga SHBA dhe BE ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të çtensionuar situatën në Veri të Kosovës dhe për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

Në Uashington dy analistë amerikanë, Luke Coffey i Institutit Hudson dhe Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë shprehën mendime të ndryshme lidhur me mënyrën se si po vepron diplomacia perëndimore, sidomos ajo amerikane.

Që pas ngjarjeve të javës së kaluar në Veri të Kosovës, Uashingtoni ka qenë kritik në mënyrë të pazakontë ndaj Prishtinës, përfshirë deklaratat e të dërguarit të posaçëm amerikan, Gabriel Escobar ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd.

Për analistin e Institutit Hudson, Luke Coffey, qëndrimi i administratës së Presidentit Joe Biden, ka qenë i pabalancuar.

“Mendoj se mënyra se si Escobar i është qasur kësaj çështjeje ka qenë pothuajse e papërgjegjshme, të paktën jo shumë e sofistikuar në aspektin e diplomacisë amerikane. E kuptoj dëshirën për të ushtruar presion ndaj të dyja palëve nga qeveria amerikane, por duket se kohët e fundit presioni ka qenë në mënyrë joproporcionale kundër Kosovës, të paktën publikisht. Dhe mendoj se kjo është e pashëndetshme”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Coffey, një analist konservator, e hedh poshtë argumentin se Shtetet e Bashkuara u zunë në befasi nga veprimet e qeverisë së Kurtit në Veri pa koordinim me Uashingtonin, duke thënë se nëse kjo është e vërtetë, është një dështim i angazhimit dhe diplomacisë amerikane.

“Do të ishte kulmi i paaftësisë nëse ambasada amerikane nuk e dinte se qeveria e Kosovës do të përpiqej të dërgonte kryetarët në ndërtesat e komunave”, thotë ai.

Por, Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se kritikat ndaj kryeministrit të Kosovës, janë të justifikuara.

“Ai ka ndërmarrë kohët e fundit veprime që unë i konsideroj si provokuese pa nevojë, përfshirë shtysën për çështjen e targave dhe së fundmi përdorimin e policisë së armatosur për të futur në godinat e komunave kryetarët shqiptarë etnikë që u zgjodhën me më pak se 4% të votave. Këto nuk janë manovra të dobishme”, thotë Kupchan për Zërin e Amerikës.

Por megjithëse mendon se politika që po ndjek administrata amerikane është e drejtë, ai shton se Serbia ka qenë gjithmonë një lojtar i vështirë dhe gjasat janë që i nxiti serbët në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

“Pra, megjithëse unë mendoj se kritikat ndaj Kurtit janë të justifikuara, presioni duhet të ushtrohet si mbi Prishtinën ashtu edhe mbi Beogradin nëse do të shohim përparim drejt normalizimit dhe zbatimit të marrëveshjeve, përfshirë një formë të vetë-menaxhimit të serbëve në Kosovë”.

Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin që po provon të jetë tepër i brishtë drejt gjetjes së një rruge për normalizim. Escobar përsëriti se nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, duhet të themelojë Asociacionin.

“Kjo duket të jetë pika kryesore e ngecjes. Por për mendimin tim, është gjithashtu çelësi që do të çonte në një përparim në mënyrë që shumica serbe që jeton në veri të lumit të ndjente se ka një zë në institucionet, qeverisjen e Kosovës dhe që të ndjehen shumë më komodë për t’u integruar në vend”, thotë Kupchan.

Ai e pranon se me strukturat paralele dhe manipulimin e popullatës serbe brenda Kosovës nga ana e Beogradit, Kosova ka të drejtë të jetë e acaruar. Por çështja qëndron diku tjetër, thotë ai.

“Cila është rruga më e mirë që qeveria duhet të ndërmarrë për të arritur në një paqe të kënaqshme, të qëndrueshme dhe afatgjatë, ku Serbia të krijojë një marrëdhënie normale me Kosovën dhe në fund të fundit, të gjitha vendet e botës, përfshirë Serbinë, ta njohin Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran”.

Coffey thotë se është e pamohueshme që pakicat etnike duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë sipas ligjit dhe të kenë përfaqësim të përshtatshëm. Por …

“Mendoj se shqetësimi për një tjetër Republika Srpska është shumë legjitim dhe i vlefshëm. Megjithatë, besoj se diskutimet për këtë Asociacion dhe proceset që do të çojnë ndoshta në themelimin e tij duhet të bëhen para së gjithash me dyer të mbyllura, sepse kjo është një çështje e delikate”, thotë për Zërin e Amerikës.

Coffey thotë se nëse ka kritika legjitime ndaj qeverisë së Kosovës, “një aleate e ngushtë”, atëherë ato duhet të bëhen privatisht.

Por, Kupchan mendon se SHBA po flet publikisht, në një përpjekje për të bindur kryeministrit Kurti për t’iu kthyer dialogut me Serbinë, në një mundësi që ai e quan shansin më të mirë ndoshta që nga pavarësia e vitit 2008 për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj se Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë një mesazh edhe Serbisë, qeverisë serbe se janë një lojtar i balancuar dhe se nëse mendojnë se Prishtina po ndërmerr hapa që nuk janë të dobishëm, do ta thonë një gjë të tillë”.

Kupchan thotë se janë pikërisht lidhjet historike mes Kosovës dhe Serbisë, që e bëjnë Uashingtonin të ketë një ndikim unik për ta shtyrë Prishtinën drejt një qëndrimi konstruktiv.

SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në komunat e veriut.

Coffey e pranon se kryetarët shqiptarë nuk kanë mandat popullor, megjithëse thekson se nuk është përgjegjësia e tyre që serbët në Veri bojkotuan. Ai thotë se kërkesa e SHBA-së dhe BE-së për zgjedhje të reja, është e arsyeshme …

“Nëse Serbia tërheq trupat nga kufiri dhe nuk bën përpjekje të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës, nëse serbët etnikë që jetojnë atje angazhohen sinqerisht për të marrë pjesë në këto zgjedhje, atëherë mendoj se do të ishte e arsyeshme të rimbaheshin këto zgjedhje”, thotë ai.

Kupchan është dakord që duhen mbajtur zgjedhje të reja.

“Duhet të ketë një shtensionim të situatës dhe të shkohet drejt zgjedhjeve të reja, ku një pjesë e konsiderueshme e shumicës serbe që jeton në veri ketë gatishmërinë të marrë pjesë dhe në të cilat zyrtarët e zgjedhur të gëzojnë legjitimitet demokratik”, thotë ai.

Kryeministri Kurti tha të mërkurën se është në favor të zgjedhjeve të reja në komunat veriore, por siç tha, pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit.

Ndërsa Presidenti Vuçiq tha se nga 9 deri më 12 qershor do të bisedojë me serbët e Kosovës, lidhur me situatën në veri.

Escobar dhe zoti Lajçak kanë thënë se duan të shohin hapa konkretë drejt qetësimit të tensioneve para se të raportojnë të premten në Uashington dhe Bruksel.

Deri tani nuk ka patur shenja të tilla nga dy udhëheqësit. /VoA/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Propozimi i PDK-së për datën e zgjedhjeve, ristrukturimi në këtë parti dhe deklarata e Hamzës për Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn

Lajme
Kalo në kategori