Please enter at least 3 characters.

Vlerësimet e shqiptarëve për Hasan Riza Pashën

Hasan Riza Pasha (1871-1913)

Mbrojtja 7 mujore e qytetit të Shkodrës përfaqëson, për nga fuqia e qëndresës, një nga betejat më të mëdha të zhvilluara në kuadër të Luftërave Ballkanike. Ajo do të mbetet një nga faqet më të ndritura të atdhetarizmit dhe të vendosmërisë së popullit shqiptar, jo vetëm të atij qyteti me rrethinat për mbrojtjen e tërësisë tokësore të trojeve amtare. Ajo është njëkohësisht dhe dëshmi e bashkëpunimit luftarak të popullit tonë me forca realiste të shoqërisë osmane të kohës, në radhë të parë të popullit turk, në mbrojtje të interesave kombëtare të ndërsjella dhe të së ardhmes së tyre.

Nga: Gazmend Shpuza

Qëndrimin e tij realist ndaj zhvillimeve në Shqipëri, pas revolucionit të korrikut 1908, i quajtur xhonturk, komandanti famëmadh Hasan Riza Pasha e shprehu qartë sapo erdhi në Shkodër. Ai ndër të parët dhe ndër të paktët midis autoriteteve osmane të kohës kuptoi se në kushtet e krijuara dhe sidomos në prag të Luftës së Parë Ballkanike, interesat e shqiptarizmit dhe të osmanizmit faktikisht qenë ndarë. Hasan Riza Pasha, që para Shpalljes së Pavarësisë, i kishte propozuar Patër Gjergj Fishtës të shkruante një marsh në gjuhën shqipe për ushtarët shqiptarë, në shumicë mbizotëruese myslimanë, për ta kënduar në gjuhën amtare në stërvitje dhe në beteja. Marshi, i botuar nga folkloristi i njohur shkodran, Kasem Taipi, mbyllet me vargjet: Në ballë të ushtrisë u ngreh bajraku ... Bini djelm ku derdhet gjaku, Për liri e për Mbret, / Kush të jetë djal në ushtri të Sulltanit / Të dalin sot ai në fushë të mejdanit / Me dhanë jetën për vatan (atdhe) / Ashk ollsun (të lumtë) ushtria Osmane / Nen sanxhak (flamur) rreshtue tabor (batalioni) / Marre të parve kurr s’iu çon / Se përpara bijnë gjallë në vorr.

Sipas kronistit shkodran Hamdi Bushati, “Hasan Riza Pasha ia shpërbleu çdo strofë një lire ari”.

Lexo po ashtu nga Gazmend Shpuza:
- “Kanga e miletit” ose himni i vërtetë shqiptar
- Gjon Kanale, kompozitori i Himnit të Lidhjes së Prizrenit
- Lidhja islamike, që u shndërrua në Lidhjen shqiptare
- Rreth enciklopedisë së Sami Frashërit ...
- Balshajt çliruan Kosovën

Hasan Rizai pas 28 nëntorit deklaroi në shtabin osman se Shkodra mund të mbrohej vetëm si “qytet shqiptar”. Në këtë frymë ai i bën thirrje Mahmut Hajret pashës (Jellës) që të vepronin në emër “të shqiptarizmit dhe të osmanizmit”. Thirrja e tij vinte pas vendimit të Konferencës së Londrës të datës 17 dhjetor 1912. Me të, fuqitë e Mëdha nuk njohën pavarësinë e shpallur më 28 nëntor të atij viti. Ato, edhe për disa muaj, njohën vetëm autonominë e saj nën sovranitetin e sulltanit.

Duke pasur parasysh realitetet e reja, Hasan Riza Pasha nuk interesohej vetëm për shpëtimin e garnizonit osman që kishte nën komandë, çka ai do të mund ta kishte arritur menjëherë në marrëveshje me qeveritarët malazezë, siç e arriti Esad Toptani, pas disa muajsh. Hasan Rizai bie dakord me Basri bej Dukagjinin, deputet i Dibrës në parlamentin xhonturk, për rrugët e “shpëtimit të Shqipërisë”.

Mbrojtjen e Shkodrës, ai, si komandant i garnizonit të saj, tashmë nuk e shihte ngushtë vetëm nën këndvështrimin e interesit të tij për nxjerrjen nga rrethimi të forcave turko-osmane që kishte nën komandë. Hasan Riza Pasha mbrojtjen e Shkodrës e pa të lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare, në frymën e vendimeve të Kuvendit të Vlorës dhe në përputhje me njohjen një here për një here të autonomisë së Shqipërisë nga Konferenca e Londrës. Mjaft kuptimplote për konceptin që kishte krijuar Hasan Riza Pasha lidhur me marrëdhëniet ndëretnike në Perandorinë Osmane në vitet e fundit të saj, dhe për marrëdhëniet shqiptaro-osmane, në veçanti, flet qartë letra që ai i dërgoi Mahmut Hajret pashë (Jellës), më 27 dhjetor 1912.

Ai i kërkon komandantit të Armatës Osmane Perëndimore të angazhohet sa më parë me forcat që kishte nën komandë në veprimet luftarake kundër forcave serbe që po marshonin në drejtim të Shkodrës. Komandanti i mbrojtjes së Shkodrës i bën thirrje atij tashmë jo në emër të Perandorisë Osmane, por në emër “të shqiptarizmit dhe të osmanizmit”.

Angazhimin e Hasan Riza Pashës në mbrojtje të “shqiptarizmit” e shprehë drejt poeti popullor shkodran, edhe pse të veshur me një leksik të vjetruar, që ishte në përdorim të gjerë asokohe, çka e dëshmon dhe marshi që shkroi patër Gjergji: Esad Pasha e Hasan Rizaja, / Mushavere (debatojnë) me shoqishojnë, / Për imdatë (ndihmë) nuk asht uzdaja (shpresë) / Por po çojmë bajrakun (flamurin) tonë. / Hasan Rizaja e kish mendue / Për këtë tokë të bajmë hyzmet / të njallim shqipen që asht harrue / e ta pshtojmë na këtë milet. Dau (caktoi) ditën me çue bajrakun / Simbas planit që kishte shenjue / Thehet Serbi me Karadakun / e pshton (shpëton) Shkodra që asht rrrethue. / Osmanllia kanë mendue / e banë tertibë (organizojnë) me marifet / Shtien Esatin me tradhtue / Ai e mbyti në bukë të vet.

Përmes një leksiku tashmë të vjetruar dhe shkodranizmave poeti popullor na përcjell besnikërisht përfytyrimin e shkodranëve rreth zhvillimeve dramatike të atyre ditëve në qytetin e tyre dhe pre-dispozicionin e komandantit të Shkodrës si dhe fundin e tij.

Në ato rrethana, sipas poetit popullor, Hasan Riza Pasha kishte menduar të vihej në shërbim të kësaj toke, për ta shpëtuar kombin shqiptar, duke ngjallur së pari shqipen e shkruar. Pas debatesh me Esad Pashën, ai arrin në përfundimin se rruga e vetme për shpëtimin e Shkodrës ishte ngritja e flamurit shqiptar, duke caktuar dhe ditën e realizimit të këtij evenimenti madhor historik me rëndësi kombëtare për fatet jo vetëm të Shkodrës, por dhe të krahinave të tjera.

Hasan Riza Pasha nisur nga pozitat dhe interesat e banorëve të Shkodrës, flamurin shqiptar kërkon ta bëjë flamur të luftës që ai po komandonte deri më atëherë vetëm nën flamurin osman. Kënga popullore rezulton një kronikë autentike e atyre ditëve. Sipas Mikel Prendushit, autori i disertacionit ende të pabotuar kushtuar Mbrojtjes së Shkodrës, flamurin e qëndisi vajza shkodrane Bernardina Marubi.

Forcat mbrojtëse të Shkodrës poeti popullor i ndan në dy kampe. Nga njëra anë, ai vendos shqiptarët me të cilët rreshton, pa hezituar, edhe Hasan Rizajn dhe garnizonin që ai kishte nën komandë. Përkundrejt tyre autori i këngës vë kampin e osmanllinjve xhonturq, në të cilin bënte pjesë dhe Esad pashë Toptani me njerëzit e afërt të tij. Këta bëjnë planin për ta eliminuar komandantin.

Këtë synim ata e realizojnë me anë të Esadit, i cili e pret në besë shefin dhe mysafirin e tij, pas marrëveshjes me oficerët madhorë xhonturq, duke i lënë një njollë të madhe vetes jo vetëm si tradhtar i tokës shqiptare, por dhe si i pabesë. Prandaj Cetina dhe Beogradi, duke llogaritur përfitimet që do të kishin nga shtënia në dorë e Shkodrës e paguan mire Esadin. Të dhënat që vijnë nga burime të ndryshme edhe pse nuk përputhen janë të konsiderueshme.

Më 22 prill 1913, Cetina e njoftonte Beogradin se Esad pashë Toptani, në shkëmbim të Shkodrës, kërkonte nga shtetet aleate ballkanike: Mali i Zi, Serbia e Greqia, 300 000 dinarë, pra nga 100 000 dinarë secili. Eqrem bej Vlora shkruan se, siç i kishte pohuar vetë Esad Pasha të atit të tij, Syrja bej Vlorës, më 1913, “për të marrë vendimin e dorëzimit të Shkodrës, kishin ndikuar një gjysmë milion franga ari, që i ishin dorëzuar një besniku të tij në Trieste”.

Në gjyqin e Esad Pashës më 1920 në Paris, përfaqësuesi shqiptar Mithat Frashëri deklaroi se “qysh në atë kohë, u fol për Esat Toptanin se e shiti Shkodrën kundrejt shumës prej 600 000 frangash që i dhanë malazezët”. Historiania ruse Nina Smirnova mbështetur në burime britanike dëshmon se Esad Toptani mori prej Serbisë një shumë prej 16 mijë paundë.

Mbi të gjitha pashai siguroi prej Beogradit dhe Cetinës mbështetjen për realizimin e synimeve të tij për t’u vënë në krye të Shqipërisë autonome nën suverenitetin e sulltanit. Në shkëmbim të saj ai hiqte dorë nga Shkodra dhe territoret në veri të lumit Drin, në dobi të malazezve. Me këtë mbështetje Esadi sapo u kthye në Tiranë iu kundërvu qeverisë së Vlorës, të cilën deklaroi se nuk e njihte.

Pra, përfitimet që llogaritnin të arrinin shtetet fqinje, madje, dhe aq sa arritën pas lëshimit të Shkodrës ia vlenin, veçanërisht me angazhimin pa kushte të Esadit në shërbim të Beogradit, e justifikonin plotësisht zemërgjerësinë e sunduesve sllavë ndaj tij.

Për këto arsye opinioni publik shqiptar pa përjashtim e dënoi tradhtinë e Esadit. Ide të njëjta si ato të këngëtarit popullor shtjellohen më tej në poezinë e dom Lazër Shantojës kushtuar mbrojtësit të Shkodrës. Autori i saj mallkon vrasjen tradhtare të Heroit. Duke e kapërcyer sensin e masës, megjithëse krimin e tradhtisë e kreu Esadi, turpin ia veshi mbarë Shqipërisë: Tinëzisht jetën ta muer nji bir Shqypnijet me dorë tradhtore ... Kob e kori! Ma besa e atdhedashnija kërkohet kot në do (disa) nipa të Skënderbeut! Me marre e kore asht mblue sot Shqypnija Faqe tanë dheut…” Për të përfunduar me një porosi drejtuar nipave të Skenderbeut: “Xeni (mësoni) prej të huejt, xeni ma j’(një) herë, Shqyptar, Me dekë p’r atdhe!

Me këto fjalë autori, për mendimin tim, u drejtohet përfaqësuesve të aristokracisë çifligare të kategorisë së Esad pashës, se përfaqësuesit e masës së shqiptarëve, katundarë dhe qytetarë, po luftonin në llogoret përballë ushtrive agresore. Në vargjet e poezisë së dom Lazrit mbarë Shkodra e pikëlluar për humbjen e tij thërret: Ku je Hasan Riza?

Si komandant me vizion të qartë, jo vetëm ushtarak por dhe politik, Hasan Riza arriti të kapërcente hendeqet e krijuara nga politika qorre e qeveritarëve xhonturq që nga koha e ardhjes së tyre në fuqi. Së parit, sapo ndjehej afrimi i Luftës Ballkanike ai hartoi planin strategjik për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës.

Komandanti i Shkodrës mori masa për forcimin e fortifikimeve të kalasë Rozafat dhe në Tarabosh e në Bardhej. Efikasiteti i këtyre masave, sipas dëshmitarëve të kohës edhe sipas specialistëve të sotëm të historisë së artit ushtarak, u dëshmua plotësisht efikas dhe pas vrasjes së tij nga Osman Bali. Përballë tyre u thyen njeri pas tjetrit të gjitha sulmet e forcave malazeze.

Edit Durham, dëshmitare e ngjarjeve të atyre muajve, vlerëson lart pa asnjë mëdyshje meritat e komandantit të mbrojtjes së Shkodrës: Një gjë është e vërtetë, Hasan Rizaj ishte një ushtar i shkëlqyer dhe falënderimet e të gjithë shqiptarëve i detyrohen kryesisht atij dhe planit të tij të shkëlqyer të fortifikimit. Ai e shpëtoi Shkodrën.

Kënga popullore shkodrane dhe poezia e Dom Lazër Shantojës dëshmojnë vlerësimin mbarëpopullor të meritave të gjeneralit turko-shqiptar në mbrojtjen e Shkodrës shqiptare. Në përgjithësi, këngët popullore në trojet shqiptare e përshkruajnë komandantin e famshëm Hasan Riza Pasha, si hero legjendar të kësaj lufte, që martirizohet për interesat e Shqipërisë.

Studiuesi i mirënjohur i folklorit tonë, Prof. Sadri Fetiu, konstaton që këngët kushtuar mbrojtjes së Shkodrës kanë një shtrirje të gjerë përtej krahinave nga kishin ardhur rezervistët dhe vullnetarët, deri në Çamëri.

Në këngët e kësaj periudhe të pabotuara deri vonë, përpos figurave historike kryesisht negative siç janë Krajl Nikolla, Sulltani i Turqisë, Esad pashë Toptani, këngëtari popullor dallon Hasan Riza Pashën. Veç tij nuk ndeshen heronj pozitiv të individualizuar në aspektin poetik. Figura e tij rezulton përgjithësim i atyre qindra mijëra luftëtarëve dhe i dëshmorëve që ranë në mbrojtjen e Shkodrës.

Hasan Riza Pasha kishte fituar simpatinë e shqiptarëve që në të gjallë të tij. Kur u shtrua çështja e kandidaturës së princit të Shqipërisë të sapo njohur, në radhët e klerit katolik para kandidaturave ortodokse apo protestante parapëlqehej ajo e një princi mysliman. Sipas biografit të tij, Preng Uli, u pat parasysh dhe ajo e Hasan Rizajt. Shkodra e shprehu dhe një herë nderimin për Hasan Riza Pashën, në vitin 1936, kur eshtrat e tij u rivarrosën në varrezat e Komaneve me një ceremoni të posaçme.

Në Parkun e Xhamisë së “Fushës Çelë”, At Gjergj Fishta në fjalën e tij i thuri himn jo vetëm aftësive ushtarake të tij por dhe patriotizmit shqiptar: Hasan Riza pasha do të kujtohet si atdhetari ma i mirë për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve dhe që u ba fli prej atyne që nuk deshën shpëtimin e atdheut tonë, parandej Hasan Riza Pasha meriton të kujtohet baras me heronjt e kombit shqiptar.

Në ligjëratën e tij patër Gjergj Fishta, midis të tjerash pranon me plot gojën: Hasan Riza Pasha kishte luftuar dhe shërbyer për pavarësi të Shqipërisë, Ai ishte mik i vërtetë i Shqiptarëve dhe i Shqipërisë.

Ndërsa, dkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Zejnel Prodani, në emër të popullit të qytetit deklaronte: Populli i Shkodrës nuk e harron kurrë, pat dhe ndjesinë të nalta për indipendencën shqiptare. Mallkoi dorën mizore që u shty nga Esat Toptani për me qit viktimë ket Pasha në kohën ma të kritikshme për Shkodrën.

Hasan Riza pasha në shtabin e tij para parisë shkodrane deklaroi: “Edhe unë jam gjak shqiptar”. Ai kishte nënën shqiptare. Është kjo një arsye madhore që shpjegon pse Hasan Riza e përqafoi çështjen shqiptare dhe u angazhua me përkushtim deri në sakrificën sublime për mbrojtjen e saj, si një ndër shqiptarët më të mirë të asaj kohe. Ndonjë që e mban veten për shkodran, që kërkon ta ulë atë thjesht në një kolonel turko-irakian, nuk ka parasysh vlerësimin që i bëjnë, veç sa e sa të tjerëve, At Gjergj Fishta dhe Dim Lazër Shantoja.

Autorët e sipërpërmendur e dinin mirë se qëndresa e Shkodrës ndaj forcave malazeze vijoi dhe disa muaj pas vrasjes së Hasan Rizajt, megjithatë qëndresën heroike disa mujore ia dedikojnë komandës dhe zotësisë së tij dhe jo pasardhësit të tij. Epitafi i hartuar nga at Gjergj Fishta mbi varrin e ri të Hasan Riza pashës, synon të përgjithësojë personalitetin e komandantit legjendar të Shkodrës: Gazi (hero) Hasan Riza Pasha / Burrë si motit / Ushtar trim, besnik / Komandant i ushtrive / Otomane në Shkodër / Mik i Shqipnisë dhe i shqiptarëve / … Me mbrojtje fisnike / Të kalasë së Rozafatit / Në tridhetë kallnuer 1913 e vrau / Nji dorë tradhtare mizore / Mban ketë përmendore / Prej Bashkisë së Shkodrës / Shembull burrnije e për kohën / T’ardhshme e kje varrosë / Trimi.

Marrëveshja midis Hasan Riza pashës dhe atdhetarëve shkodranë për ngritjen e flamurit shqiptar në kala, krahas atij turk, u sabotua me vrasjen e pabesë të tij nga njeriu i Esad pashës, Osman Bali.

Të gjitha rrethanat ushtarake, përsa i takon vendosmërisë luftarake të garnizonit të Shkodrës dhe banorëve të qytetit, raporti real i forcave luftarake në front, pas tërheqjes të divizioneve serbe, me gjithë rezervat e pakta ushqimore, nuk e përligjin kurrsesi aktin pak të quhet kapitulant të Esad pashës për dorëzimin e Shkodrës. Këtë të vërtetë ia përplasi në sy pashait toptanas, Sulço beg Bushati.

Po të kemi parasysh në mënyrë të veçantë vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër që Shkodra të mbetej brenda kufijve të shtetit shqiptar del edhe më i qartë karakteri tradhtar i kapitullimit të Esad pashës, pikërisht në momentin e pajustifikueshëm. Për më tepër, njësi të flotave luftarake të Fuqive të Mëdha kishin bllokuar bregdetin e Malit të Zi për ta detyruar krajl Nikollën e pabindur që t’i nënshtrohej vendimit të tyre për largimin e trupave të veta nga Shkodra.

Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh pasojat e rënda që pati në caktimin e kufijve të Shqipërisë veriore tradhtia e Esat pashës. Për të shpëtuar Shkodrën e shitur nga Esadi u sakrifikuan Dibra, Peja dhe Gjakova. Prandaj kënga popullore shkodrane i këndon heroit të mbrojtjes së saj pashait osman me origjinë shqiptare, Hasan Rizasë, dhe jo pashait shqiptar që nënshkroi aktin kapitullant, Esad Toptani. Ky, siç e dëshmon fotoreporteri francez, me shumë përulësi i dorëzon princ Danillos çelsin e kalasë Rozafat.

Shkrimtari i mirënjohur Skënder Drini romanin kushtuar mbrojtjes së Shkodrës më 1912-1913, pas një njohjeje të thelluar të literaturës e të dokumenteve, në mënyrë të goditur e ka titulluar “Vraje tradhtinë”.

Politika aneksioniste e qarqeve sunduese shoviniste fqinje e gjakosi Ballkanin Perëndimor jo vetëm në fillim të shekullit XX-të, por edhe në fund të tij, duke shkaktuar edhe tri lufta ballkanike të tjera në fund të tij. Parë me këtë sy, mund të thuhet pa e tepruar, se mbrojtja shqiptaro-turke e Shkodrës më 1912-1913, në prag të luftës botërore, u kurseu popujve të rajonit, në radhë të parë, popullit shqiptar dhe një luftë tjetër ballkanike.

Më së parit, ajo u kurseu banorëve të Shqipërisë veriperëndimore gati një shekull shtypjeje të shoqëruar me një gjenocid etnik e fetar të paparë, si atë që përjetuan shqiptarët e viseve të tjera veriperëndimore, lindore dhe jugore.

Këngët popullore flasin për vlerësimin mbarëshqiptar që pati qëndresa e udhëhequr nga Hasan Riza pasha jo vetëm në viset e Shkodrës së rrethuar, por dhe në viset e Shqipërisë Lindore, Maqedonia Perëndimore e sotme, nga kishin ardhur forca vullnetare për mbrojtjen e qytetit veriperëndimor dhe deri në Çamëri.

Përkundrejt përjetimit mbarëpopullor të mbrojtjes së Shkodrës ndonjë poezi e botuar, më 1913, nga Patër Gjergj Fishta për “Toptanasin” nuk e pati jehonën e gjatë, pikërisht sepse ajo iu kushtua tradhtarit të kësaj mbrojtjeje heroike. Ajo, me sa duket, iu diktua autorit nga emisarët e Vjenës në funksion të përpjekjeve të tyre për shkëputjen e Esadit nga ndikimi i politikave ballkanase dhe asaj të përtej Adriatikut.

Edhe vetë patër Gjergji nuk i përfshiu ato “vargje të larta për qëndresën e pashoqe në një rrethim të jashtëzakonshëm, ku luftonin mbi 55 000 njerëz nën armë rreth e përqark qytetit heroik”, në përmbledhjet e botuara prej tij, më pas. Ndërsa studiues të krijimtarisë së tij poetike as që i përmendin më.

Qëndrimi pro-osman gjatë gjithë Luftës Ballkanike i mjaft personaliteteve të Lëvizjes Kombëtare anti-osmane, qofshin dhe të krishterë e, madje, dhe klerikë si Fan Noli, Gjergj Fishta e të tjerë flet për vlerësimin realist të tyre ndaj rrezikut vdekjeprurës të agresionit ballkanik mbi trojet shqiptare.