Please enter at least 3 characters.

Uragani godet Ibizën

Uragani Gabrielle, i cili që nga java e kaluar po shkatërron Atlantikun, sot vazhdon të godasë ishujt spanjollë Ibiza dhe Formentera.

Një skenar i ngjashëm, megjithëse disi më i butë, është regjistruar në Mallorca dhe në rajonin e Valencias në Spanjën kontinentale, si dhe në Murcia, në juglindje të vendit.

Shërbimi Meteorologjik AEMET ka mbajtur në fuqi nivelin më të lartë të alarmit të kuq në të dy ishujt ndërsa gazeta Diario de Ibiza ka raportuar për dëme të konsiderueshme.

Pamjet në rrjetet sociale tregojnë automjete, motoçikleta dhe kontenierë që tërhiqen nga përmbytjet në Ibiza. Rrugët janë mbushur me ujë dhe baltë.

Një nga videot tregon edhe turistë që zbresin nga një anije në ujë deri në gjunjë. Zjarrfikësit në Ibiza kanë ndërhyrë në më shumë se 20 raste vetëm gjatë mëngjesit të sotëm. Gazeta El País dhe media të tjera kanë raportuar për persona të bllokuar në veturat dhe shtëpitë e tyre. Disa rrugë janë mbyllur, përfshirë rrugën që të çon në aeroport dhe unazën rreth qytetit të Ibizas.

Sipas AEMET-it, në afërsi të aeroportit kanë rënë 74 milimetra shi brenda pak orëve, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike dhe pemët e rrëzuara e kanë përkeqësuar edhe më shumë situatën.

Ishulli Balearik Mallorca po përballet gjithashtu me përmbytje, dhe mediat raportojnë se pjesa veriore e vargmalit Tramuntana, në veriperëndim të ishullit, është goditur rëndë.

Dje, rajoni i Valencias u godit nga breshër, erëra të forta dhe reshje të dendura, çka ka shkaktuar shqetësim për mundësinë e një katastrofe tjetër në këtë rajon, gati një vit pas stuhisë shkatërruese të 29 tetorit 2024, e cila mori pothuajse 230 jetë.

Pamje të përmbytjeve masive kanë ardhur edhe nga Murcia, në jug të rajonit të Valencias. /Telegrafi/