U tha se janë bllokuar kreditë për bizneset, Nurboja: Rritja është dyshifrore, deklaratat e pabazuara nuk i shërbejnë askujt
Ditë më parë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini ka folur lidhur me atë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Qendrore kanë bllokuar kreditë për bizneset, ndonëse siç ka thënë një informacion i tillë nuk e ka të konfirmuar zyrtarisht.
Lidhur me këtë deklaratë të Shahinit ka reaguar kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja.
Ai ka thënë se rritja e kreditimit zakonisht pasqyron perceptimin që ka tregu mbi të ardhmen ekonomike të vendit.
“Për t’i dhënë fund spekulimeve të z. Agim Shahini nga Aleanca për Biznes, po ndaj trendin e kredidhënies. Siç shihet nga grafiku, rritja është dyshifrore dhe tregon besim të qëndrueshëm në ekonomi.
Deklaratat e pabazuara nuk i shërbejnë askujt, veçanërisht jo bizneseve. Banka Qendrore e Kosovës është institucion transparent dhe publikon të gjitha të dhënat në faqen zyrtare – informohuni në burime zyrtare”, ka shkruar Nurboja në Facebook.
Ndryshe, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit në një intervistë për Periskopin, foli për shqetësimin e ngritur se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Bankën Qendrore kanë bllokuar kreditë për bizneset.
Shahini u shpreh se aktualisht ky informacion nuk është i konfirmuar zyrtarisht, por që bizneset kanë ngritur shqetësimin.
”Nuk kemi ende informacion të saktë për një veprim të tillë. Nëse është e vërtetë, atëherë impaktet do të jenë shumë të rënda për ekonominë dhe për ekzistimin e bizneseve sepse asnjë biznes nuk mund të rritet, zhvillohet pa mbështetje financiare bankare, andaj dua që kjo të mos jetë e vërtetë.
Por, kur rrjedhin informacionet, për fat të keq gjithmonë dalin të vërteta. Ende e kemi në kuadër si informacion, bizneset janë të shqetësuara, janë duke pyetur për një veprim të tillë por ende s’kemi përgjigje nga bankat që kjo është e vërtetë”, tha Shahini. /Telegrafi/


