Please enter at least 3 characters.

Trump kërcënon të rrëzojë aeroplanët e Venezuelës

Donald Trump ka paralajmëruar se, nëse aeroplanët luftarakë venezuelianë fluturojnë mbi anijet detare amerikane dhe "i vënë në një pozicion të rrezikshëm, ata do të rrëzohen".

Paralajmërimi i presidentit vjen pasi Venezuela fluturoi aeroplanë ushtarakë pranë një anijeje amerikane në brigjet e Amerikës së Jugut për herë të dytë brenda dy ditësh, thanë zyrtarët amerikanë,

Raportet vijnë pas një sulmi amerikan kundër asaj që zyrtarët e Trumpit e quajtën një "anije që transportonte drogë nga Venezuela" e operuar nga një bandë, duke vrarë 11 persona, shkruan BBC.

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka thënë se akuzat e SHBA-së për vendin e tij nuk janë të vërteta dhe se dallimet midis kombeve nuk justifikojnë një "konflikt ushtarak".

"Venezuela ka qenë gjithmonë e gatshme të flasë, të angazhohet në dialog, por ne kërkojmë respekt", shtoi ai.

Kur u pyet nga gazetarët në Zyrën Ovale se çfarë do të ndodhte nëse aeroplanët luftarakë venezuelianë fluturonin përsëri mbi anijet amerikane, Trump tha se Venezuela do të ishte në "telashe".

Trump i tha gjeneralit të tij se mund të bënte çfarë të donte nëse situata do të përshkallëzohej.

Ndryshe, që nga kthimi i tij në detyrë në janar, Trump ka intensifikuar vazhdimisht përpjekjet e tij kundër trafikimit të drogës në Amerikën Latine. /Telegrafi/