Please enter at least 3 characters.

Sistemi arsimor në Kosovë është në krizë të thellë!

- Si të dalim nga gjendja e keqe e arsimit parauniversitar? -

Njerëzit zakonisht çuditen kur ndodh diçka e pazakonshme, diçka që natyrshëm nuk ndodh, dhe në të tillë raste shtrojnë pyetje nga më të ndryshmet, pse ndodhi?; si ndodhi?, e pyetje të ngjajshme. Por, kohëve të fundit njerëzit tanë janë të prirur më shumë të mundohen të gjejnë fajtorin, apo t`i hedhin fajin dikujt për ndonjë ngjarje që ndodh, sesa të hulumtojnë shkaqet pse ndodh ndonjë ngjarje! Shumëkush jep vlerësime, gjykon, vlerëson në mënyrë sipërfaqësore, pa hyrë në thellësi të problemit a çështjes që ngritet. Njerëzit tanë fatkeqësisht, janë të prirë më shumë të merren me interpretime të fjalëve dhe gjykimeve të tjetërkujt, sesa të mendojnë me trurin e vet.

Ndoshta për shumicën e njerëzve tanë është i çuditshëm fakti që vetëm 45% e maturantëve mund të kalojnë në testin e maturës. Për dikë tjetër kjo shkallë e arritshmërisë konsiderohet sukses, të tjerët mundohen të hedhin faje herë andej e herë këndej, por asnjeri nuk ulet njëherë e mirë të analizojë gjendjen e përgjithshme që mbretëron në sistemin arsimor në Kosovë.

Natyrisht, si në çdo vend, edhe në Kosovë përgjegjësinë kryesore për t`i zgjidhur problemet me të cilat shoqërohet arsimi , e ka Ministria e Arsimit. Të gjithë ne e dimë që sistemi arsimor në Kosovë është në krizë të thellë, por çështja është se si të dalim nga kjo krizë. Pse pikërisht ky vit i shpallur nga ministria e arsimit si vit i cilësisë po dëshmon të kundërtën, ashtu si vitet tjera?

Mendoj që defektet kryesore janë pikërisht tek Ministria e Arsimit dhe strukturat e saj. Ajo (pra Ministria) duhet të ndryshojë qasjen që ka në udhëheqjen e sistemit arsimor. Për t`i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor nuk mjafton vetëm të analizohet dhe proklamohet, por edhe të veprohet konkretisht. Edhe ministria jonë si shumica e ministrive të shteteve të tjera evropiane ka përqafuar dhe pranuar reformat në sistemin arsimor, por ky sistem reformimi si duket ka mbetur vetëm në letër.

Pasi edhe unë jam punëtor arsimi, dua që ta shpreh mendimin tim se si duhet dalë nga kjo gjendje që është krijuar në sistemin arsimor, sidomos për atë parauniversitar. Këto vlerësime që kam do ti radhis në disa pika:

1. Nëpër shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës punojnë një numër i konsiderueshëm mësimdhënësish të padiplomuar, ose të diplomuar në format më të këqija të mundshme. Por, ka edhe shumë mësimdhënës, të cilët edhepse janë të diplomuar nuk punojnë sa duhet me nxënësit, ose të tillë që vejnë në shkollë vetëm sa për të kaluar kohën! Asnjë veprim nuk është ndërmarrë në këtë drejtim nga Ministria e Arsimit.

2. Drejtorët e shkollave nuk janë zgjedhur si rezultat i asaj që e meritojnë të jenë drejtorë, por ata i ka zgjedhur politika ditore! Në të njëjtën formë janë zgjedhur edhe shumica e drejtorëve të Drejtorive Komunale për Arsim! Është gabim shumë i madh që tek ne posti i drejtorëve komunalë të arsimit është post politik .Kjo praktikë duhet të ndryshohet patjetër në qoftë se duam cilësi! Nuk na duhen drejtorë të pa aftë për mbarëvajtjen dhe organizimin e punës dhe drejtorë që nuk i do njeri, të cilësdo parti politike qofshin ata!

3. Organizimi i testit kombëtar për klasët e nënta dhe testit të maturës ka shumë defekte. Në shumë shkolla janë testuar mësimdhënësit, e jo nxënësit! Ndoshta ka qenë mirë që me pyetjet që kanë rënë në testin e maturës, të testohen mësimdhënësit. Kjo është forma më e mirë për të parë se në çfarë niveli të përgatitjes janë mësimdhënësit tanë. Dhe, në qoftë se edhe ata nuk i dijnë pyetjet, atëherë s`kemi pse t`i fajësojmë nxënësit.

4. Klasët e dhjeta janë të stërngarkuara me nga 45 nxënës. Kjo ngarkesë e klasëve është tani e pranishme edhe në klasët tjera, të njëmbëdhjeta e të dymbëdhjeta. Na thuani zotërinj të ministrisë së arsimit: cili vend europian zbaton teknikat e reja të mësimdhënies me nga 45 nxënës në klasë?!

5. Në shumicën e shkollave nxënësit pranohen në klasën e dhjetë vetëm me rezultatet e testimit të klasës së nëntë dhe suksesit të mëparshëm. Shumica e shkollave nuk organizojnë provime pranuese në drejtimet përkatëse.

6. Në shumicën e shkollave tona mungon zbatimi i rregulloreve shkollore, të miratuara nga ministria e arsimit dhe drejtoritë komunale. Si rezultat i kësaj, nuk merren masa ndëshkimore ndaj atyre që shkelin rregullat e shkollës, qofshin nxënës, apo mësimdhënës.

7. Mungon inspektimi i punës së mësimdhënësve në orët mësimore, psh: mua si mësimdhënës, që 11 vite pune në arsim, vetëm njëherë më ka hospituar drejtori i shkollës në orën që mbaja unë dhe kjo ka ndodhur në vitin e parë pas luftës! E njëjta gjë ndodh edhe me mësimdhënësit e tjerë, edhe ata nuk i kontrollon njeri për punën që bëjnë.

8. Mungon stimulimi i nxënësve dhe mësimdhënësve të dalluar për punë,siç janë garat, shpërblimet e më të mirëve,stimulimi me paga, etj. Pastaj mungon edhe përkujdesja e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Kjo dëshmohet edhe nga vizitat shumë të rralla që u bëjnë në shkollë fëmijëve të tyre! Ne kemi shumë nxënës që u japim mësim që dy tre vjet, dhe akoma prindërit e tyre nuk i njohim.

Është krijuar një përshtypje që shumica e atyre prindërve (bashkëshortëve) janë martuar vetëm për të fjetur bashkë, nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë për të krijuar, për të rritur e edukuar fëmijët e tyre. Prindërit e fëmijëve tanë duhet ta vënë gishtin në kokë e ta kujtojnë fjalën tonë të urtë që na e kanë lënë pleqtë tanë: Më zor është ta rrisësh një fëmijë, se ta ndërtosh një shpi! Nuk mjafton që vetëm t`ia plotësosh kushtet ekonomike, veshmbathje libra ushqim, e ta qesësh në rrugë fëmijën!

Për fëmijët duhet një kujdesje e veçantë dhe e vazhdueshme në aspektin edukativ. Nuk mjafton vetëm shkolla, fëmijët tek ne janë 4 orë në shkollë, ndërsa 20 orë të tjera të ditës janë në shtëpi dhe rrethin ku jetojnë.