Shoqëria e hipnotizuar
Protesta e cila u zhvillua në sheshin e Prishtinës, për të kundërshtuar vendimin e Kuvendit Komunal për mbylljen e kafeneve pas orëve të mesnatës, ishte një protestë komike krahasuar me protestën e vreshtarëve të revoltuar të Rahovecit që ndodhi në po të njëjtën ditë, përpara objektit të verës, tashmë të privatizuar, Stone Castle.
Çfarë shprehin në të vërtet këto dy protesta edhe cili është karakteri i tyre real? Protesta paqësore në Prishtinë i ngjasonte protestave të hipikëve të viteve 60-ta në SHBA, ku qëndrimi jopolitik dhe stili pacifist i tyre i shkon shumë për shtati sistemit dhe pushtetit aktual. Së pari, ata na befasuan nga fakti se përveç që të pinë makiato, dinë edhe të protestojnë, kurse u shfaqen të papërgjegjshëm kur treguan se edhe më herët do të protestonin nëse problemet ekonomike dhe politike do të kishin qenë në listën e problemeve primare, siç është ai i kafeneve. Veprimet e protestës në qendër të Prishtinës la të tregohet se rinia është e shkëputur nga problemet reale shoqërore në Kosovë dhe se jeton në botën e vet metafizike të izoluar nga populli.
Mirëpo, protesta e Prishtinës nxjerri në pah dhe diçka krejt ‘të re’, diçka që flinte me vite të tëra brenda në zemrat e qytetarëve të Prishtinës; pasivitetin dhe patetizmin e akumuluar prej kohësh si rezultat i papunësisë dhe padrejtësive politike. Ajo nxjerri në pah karakterin e saj escapist pasi që u ngritën të protestojnë jo për të rikthyer dëfrimin edhe argëtimin e jetës së natës, por përkundrazi, për ta rikthyer amullinë dhe monotoninë e jetës së përditshme, apo nëse do të shpreheshim në termin Heideggerian, për ta rikthyer përditshmërinë e zakonshme mesatare.
Protesta në Prishtinë kishte vetëm një kërkesë; vazhdimin e status quo-s, dhe kthimin në gjendjen e mëparshme të hipnozës. Këtu s’kemi të bëjmë me atë nëse vendimi i Kuvendit Komunal ishte vendim i drejtë ose i padrejtë, këto janë çështje administrative që rregullohen brenda një periudhe të caktuar, por këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë më serioze që duhet të shtrohet si një pyetje themelore e gjithë asaj që ndodhi dhe po ndodhë në shoqërinë Kosovare. Ku ishin më herët këta protestues dhe ky shpirt i lirë kritik që për 10 vite radhazi kurrë nuk protestuan kundër reduktimit të energjisë elektrike, kundër mungesës së ujit, kundër procesit të privatizimit, kundër kamatave të larta të bankave, kundër kaos-krizës estetike dhe ndërtimeve të egra? Pse ata kurrë nuk iu bashkëngjiten sindikatave të pavarura të Kosovës në protestat e tyre që kishin për qëllim kërkesat e të drejtave themelore të punëtorëve dhe qytetarëve të Kosovës? Apo, për 1 Maj, ku Kosova renditet me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, në vend se të dilnin të protestonin, të gjithë pinin makiato mu nëpër ato kafene që tani ata po i mbrojnë me fanatizëm?
Ky grup njerëzish të vetëshpallur ‘elita e Kosovës’, që mendojnë se përfaqësojnë modelin më të pastër të qytetarit Evropian në Kosovë dhe që mendojnë se mbajnë në dorë bajrakun e kulturës urbane, janë në fakt kategoria më false, kontra-produktive dhe oportuniste e shoqërisë kosovare. Për më shumë, kjo ngjarje tregon se përveç frekuentimit të kafeneve në qendër të qytetit, rinia e Prishtinës nuk e ka asnjë vend dhe hapësirë tjetër ku të shkoj dhe t’i zhvilloj aktivitet e tyre kulturore dhe sociale. Dhe t’iu heqësh atyre jetën e natës do të thotë t’ua heqësh atë shpresën e fundit brenda së cilës përmblidhen dhe zhvillohen të gjitha aspektet e tjera të jetës sociale si; aktivitetet kulturore, diskutimet politike, analizat artistike, muhabetet, llafet, etj... Me një fjalë, ata për të parën herë ishin te aftë të protestojnë, por protesta e tyre prej startit ishte një protestë e gabuar, sepse ata nuk dinin për çfarë janë duke protestuar.
Krejt diçka tjetër ndodhi me protestën e vreshtarëve të Rahovecit përpara bodrumit te verës, e cila rezultoi me rreth 20 të lënduar, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Protesta e vreshtarëve të Rahovecit, si dhe të gjitha protestat dhe grevat e tjera të këtij lloji, janë vetëm disa të korra të asaj që janë mbjellur kaherë nëpër punishtet e vendimmarrjeve politike. Kjo ngjarje tregon shumë qartë se pushteti qeveritar ka vetëm rol formal në zbatimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme ekonomike që ju vijnë nga jashtë.
Ja se si ndodh i gjithë ky proces. Pasi ju thuhet nga “miqtë” e tyre evropianë se marrëveshja e nënshkruar është një tjetër plus i madh drejt përmbushjes së standardeve evropiane, ata nuk hezitojnë pastaj të dalin para opinionit dhe të deklarojnë se me këtë veprim kanë bërë një heroizëm historik. Mirëpo në fakt ata vendosin parime dhe nënshkruajnë marrëveshje afatgjate në dëm të vendit pa i menduar pasojat e mundshme. Dhuna e përshkallëzuar në mes të vreshtarëve të Rahovecit dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është pasojë e këtyre parimeve të vendosura qysh më herët. Këto parime pastaj shenjtërohen dhe bëhen ligj, dhe çfarëdo që ndodh, siç është rasti i protestave të vreshtarëve, thonë se kanë vepruar në përputhshmëri me ligjin.
Injoranca më e madhe është se, edhe kur gjeneratat e reja politike qe i zëvendësojnë ato të vjetrat, nuk i vënë në rishqyrtim këto ligje por i marrin si diçka natyrore apo të pikura nga qielli, ose si diçka që njëherë janë vendosur dhe nuk ndryshohen më. Deklarata e ministrit të Bujqësisë se “në bazë të ekonomisë së tregut nuk do të duhej të intervenonim” është shembull konkret i asaj çfarë u tha më lart.
Pse ndodh e gjithë kjo kështu dhe nuk ndodh ndryshe? Sepse ata nuk e shohin veten si pjesë të popullit, dhe për të nënshkruar një marrëveshje, si p.sh. ajo e CEFTA-s, nevojitet të vendoset vetëm një nënshkrim, kurse për të zhvilluar strategjitë dhe planet ekonomike afatgjate që favorizojnë bizneset lokale dhe prodhimet vendore nevojitet punë, aftësi, dhe zgjuarsi profesionale. Sepse ata s’ka kush t’i kundërshtoj dhe kritikoj, ngase ata që do të duhej t’i kundërshtonin janë tashmë në sheshin e spektaklit duke e luajtur rolin e teenager-ëve të filmave Hollywoodian, dhe duke thirrur dhe kërkuar me gjysmë vajtim të vetmen shpresë që ua kanë hequr; shtratin e gjumit dimëror, dhe vazhdimin e ëndrrave te tyre letargjike aty ku ato kishin stagnuar.


