Rio Ferdinand i hutuar me emrin e njërit nga sfiduesit për Topin e Artë, anglezi gjithashtu zbulon favoritin
Legjenda e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand ka thënë se e “çudit” fakti se si ylli i Chelseat, Jorginho është njëri nga sfiduesit kryesor për çmimin më të madh individual ‘Topin e Artë’ të vitit 2021.
Jorginho shijoi një sezon të suksesshëm me Chelsean që kulmoi me triumfin e Bluve në Ligën e Kampionëve, ndërsa vazhdoi me trofe duke fituar Euro 2020 me Italinë.
29-vjeçari, i cili u emërua në listën e ngushtë me 30 lojtarë për Topin e Artë, ka pranuar se ai mund të sfidojë të gjithë për çmimin që dhurohet nga France Football.
Megjithatë, vetëm katër për qind e tifozëve votuan për yllin e Chelseat për të fituar Topin e Artë në një sondazh të BT Sport.
Superylli i Paris Saint-Germain, Lionel Messi u votua 51 për qind, ndërsa sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, doli i dyti me 26 për qind dhe Mohamed Salah i Liverpoolit që përfundoi përpara Jorginhos me 19 për qind të votave.
Duke folur për BT Sport, Ferdinand pohoi se Jorginho "nuk është lojtari më i mirë në Chelsea" dhe "jo emri i parë në skenën e ekipit me Italinë".
“Emri i Jorginho më huton. Ai nuk është lojtari më i mirë në Chelsea dhe nuk është emri i parë në skenën e ekipit as me Italinë”, ka thënë fillimisht Ferdinand për BT Sport.
“Ai është një lojtar shumë i mirë dhe nuk po përpiqem të tregoj mungesë respekti, por nuk e shoh se si ai futet në listë me ata lojtarë në nivelin në të cilin ata kanë luajtur”.
“Nëse e shikoni Chelsean në prag të fitimit të Ligës së Kampionëve, mendoj se Kante ishte lojtari i ndeshjes në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit, kështu që më huton emri i Jorginhos”.
“Ai ka fituar dy nga trofetë e mëdhenj, e kuptoj, por kur e vendos kundër katër lojtarëve të tjerë aty, nuk ka kuptim për mua”.
Ferdinand beson se Lewandowski, i cili ishte favorit për të fituar Topin e Artë 2021 para se të anulohej, duhet ta fitojë çmimin përpara Messit dhe Jorginhos.
“Unë mendoj se këtë vit, Lewandowski e meriton. 56 përfshirje në gola në 38 ndeshje është çmenduri. Këto janë numrat e Cristiano Ronaldos dhe Messit në të kaluarën”, përfundoi ish-mbrojtesi anglez.
Ndryshe, fituesi i Topit të Artë 2021 do të zbulohet në Theatre du Chatelet në Paris më 29 nëntor. /Telegrafi/


