Rina Ajdari në PodGo: BDI çdo herë ka qenë e zëshme, VLEN është në qeveri për të relativizuar politikat destruktive të OBRM-PDUKM-së
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, është e ftuara e radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për rolin e grave në politikë, BDI-në në opozitë, si dhe punën e Qeverisë së RMV-së.
Ajo tha se BDI ka qenë e zëshme edhe në Qeveri edhe në opozitë, duke çuar përpara procese të rëndësishme. Në lidhje me reformat në parti, ajo tha se BDI është ndër të vetmet që ka realizuar veting të brendshëm dhe shumicën e kryesisë së re i ka figura të reja.
"BDI ka qenë e zëshme edhe në opozitë edhe në Qeveri. Atëherë si parti e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës dhe që kishte pushtet dhe çonte procese përpara. Tani është e zëshme në opozitë, ashtu siç e lejon opozita".
"Është mirë të reformohen edhe partitë tjera politike. Reformat në BDI kanë ardhur si proces me shumë zhvillime të brendshme, por si proces i natyrshëm. Më 20 dhjetor patëm kongresin e partisë, u përzgjodhën anëtarësia e Këshillit të Përgjithshëm, mbi 80 përqind janë anëtarë të rinj. Poashtu kemi kryesi qendrore që është me anëtarë të rinj. Jemi në një proces të formimit të degëve dhe nëndegëve të partisë. Reformat u bëjnë mirë të gjitha partive. Ajo që na dallon neve është se me kërkesë të kryetarit kemi bërë veting të brendshëm", tha deputetja Ajdari.
Ndërsa sa i përket Qeverisë OBRM-PDUKM dhe VLEN, ajo tha se partneri shqiptar brenda qeverisë është në ekzekutiv vetëm për të relativizuar politikat destruktive të partnerit maqedonas.
"Qeveria OBRM-VLEN është ekskluzivisht vetëm qeveri e OBRM-PDUKM-së. Ka shumë argumente për këtë. Së pari VLEN hyri në qeveri si humbës, pa legjitimitet, dhe pothuajse është aty për të relativizuar politikat destruktive të OBRM-PDUKM-së. Që kur u votua në Kuvend, programi i Qeverisë është kryekëput program i OBRM-PDUKM-së. Erdhën në qeveri duke promovuar ndryshimin, do të bëjnë ndryshimet kushtetuese, do ta çojnë vendin përpara dhe nuk e bënë. VLEN na tha se nuk do të jetë pjesë e qeverisë pa ndryshimet kushtetuese, më pas dhanë afat 3 muaj, 6 muaj, 1 vit dhe tani pas 2 viteve nuk ka asgjë. U shfuqizua Balancuesi, i cili rregullonte çështjen e punësimeve. U provua të abrogohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Na akuzonin se kemi lënë "20 përqindëshin". VLEN nuk e nënshkroi rezolutën për dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe nuk e nënshkroi rezolutën për ish-krerët e UÇK-së të cilët mbahen padrejtësisht në Hagë", theksoi deputetja.
Kurse sa i përket rolit të grave në politikë, ajo tha se kjo fillon me edukimin e vajzave në familje, por duhet të ketë edhe rregullative ligjore që mundësojnë pjesëmarrjen e grave në pushtetin ekzekutiv.
"Kemi bashkëpunim shumë të mirë brenda grupit parlamentar në Kuvend. Në BDI kemi zëdhënëse, nënkryetare. Çdo grua që e bënë punën e saj me përkushtim, i shkon fjala. Kemi nevojë shumë si shoqëri dhe shtet ta avancojmë pozitën e gruas. Kjo nis që në familje, si ne i edukojmë gratë të marrin pozitat e tyre në shoqëri. Pjesa tjetër më pas rregullohet me ligj dhe vullnet të mirë. Ngecjen më të madhe tani e kemi në ekzekutiv. Mendoj që duhet të rregullohet me ligj që mandatari të jetë i obliguar që 40% të ministrave dhe zv.ministrave t'i ketë gra", tha deputetja. /Telegrafi/


