Please enter at least 3 characters.

Radoniqi për ankesat lidhur me markerin: Edhe nëse tentohet votimi i dyfishtë, rasti do të evidentohet

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e tretë për media lidhur me ecurinë e procesit të votimit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare deri në orën 15:00.

Gjatë konferencës, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u pyet edhe për shqetësimet e ngritura nga qytetarët lidhur me markerin që përdoret për shënjimin e votuesve, pasi në rrjetet sociale dhe media janë publikuar pretendime se ngjyra e tij mund të fshihet lehtësisht.

Radoniqi tha se edhe vetë ka provuar ta largojë ngjyrën nga gishti, por nuk ka arritur ta bëjë këtë.

“Unë kam tentuar ta fshij ngjyrën, por nuk më është fshirë, andaj varet e gjitha se sa rëndë është e vendosur ngjyra”, deklaroi ai.

Kreu i KQZ-së theksoi se nuk pret tentativa për votim të dyfishtë, duke kujtuar se përveç markerit ekzistojnë edhe mekanizma të tjerë kontrolli, përfshirë nënshkrimin e votuesve në listat përkatëse.

“Por, nuk besoj se do të ketë tentim për votim të dyfishtë, pasi i kemi edhe nënshkrimet në fletë. Nëse ndodh që ndokush të tentojë të votojë dy herë, do të paraqitet si rast”, shtoi Radoniqi.

Orëve të fundit janë shfaqur ankesa nga disa qytetarë se ngjyra e markerit mund të hiqet më lehtë krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore, çështje për të cilën KQZ-ja ka siguruar se nuk cenon mekanizmat e identifikimit dhe kontrollit të votuesve. /Telegrafi/