Pse pasqyra mund të ndikojë në ngadalësimin e internetit Wi-Fi?
Nëse keni internet të shpejtë, por sinjali është i dobët në disa dhoma, problemi mund të mos jetë te operatori, por te vendi ku ndodhet ruteri. Nëse pranë tij ka një pasqyrë, kjo mund të jetë arsyeja e fshehur.
Edhe pse tingëllon e çuditshme, ka një shpjegim fizik. Pasqyrat moderne nuk janë vetëm xham, por në pjesën e pasme kanë një shtresë shumë të hollë metali (zakonisht argjend ose alumin) që shërben për reflektimin e dritës. Kjo shtresë metalike mund të bllokojë ose reflektojë sinjalin Wi-Fi.
Në vend që sinjali të kalojë normalisht nëpër dhomë, ai përplaset me pasqyrën dhe kthehet mbrapsht, duke krijuar ndërhyrje dhe “zona të vdekura” ku interneti është shumë i dobët ose mungon fare. Sa më e madhe të jetë pasqyra, aq më i madh është ndikimi.
Përveç pasqyrave, edhe disa objekte të tjera si uji (p.sh. akuariumet), pajisjet metalike apo mikrovalët mund të pengojnë sinjalin Wi-Fi.
Për këtë arsye, rekomandohet që ruteri të vendoset në një hapësirë të hapur, larg pasqyrave dhe objekteve metalike, në mënyrë që sinjali të shpërndahet më mirë në gjithë shtëpinë. /Telegrafi/


