“Pick Up” kontrabanda
Duke shfrytëzuar rrugët ilegale dhe legale, kontrabandistët serbë, në bashkëpunim me ata shqiptarë po arrijnë të depërtojnë fuqishëm në tregun me Kosovës me produkte, për të cilat nuk janë paguar taksat e nevojshme kufitare, duke e dëmtuar kështu rëndë buxhetin e Kosovës dhe bizneset legale.
Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe, u ka mundësuar serbëve të veriut që deri më 10 janar 2013 të fusin në vend mallra deri në 3.5 tonë pa u obliguar të paguajnë taksat e nevojshme kufitare, e cila gjë ka filluar të keqpërdoret nga kontrabandistët, ku këta të fundit mallrat e tilla po i shpërndajnë në qytetet kryesore të vendit me çmime dukshëm më të lira sesa ato që i ofrojnë importuesit e rregullt.
Disa biznese që operojnë në Prishtinë konfirmojnë se javëve të fundit u janë ofruar mallra të kontrabanduara me çmime dukshëm më të lira sesa çmimi i rregullt furnizues.
“Po vijnë disa persona me “Pick Up”, të mbushura plot me mallra kontrabandë nga veriu, duke na ofruar mallra me çmime shumë më të lira. Ta zëmë para Vitit të Ri ata na kanë ofruar një Cola Cola 2 litërshe me një çmim prej rreth 80 centë, ndërsa çmimi i furnizimit është mbi 1 euro”, bën të ditur për gazetën “Zëri” drejtuesi i një biznesi në Prishtinë, i cili preferon të flasë në kushte anonimiteti.
Sipas tij, shumë mallra nga Serbia po hyjnë brenda me çmime dukshëm më të lira, krejt kjo si pasojë e ikjes nga tatimet. /Telegrafi/


