Please enter at least 3 characters.

Peci përkujton betejën e 31 marsit 1903, do vendoset pllakë përkujtimore në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka përkujtuar ngjarjet historike të 31 marsit 1903, duke theksuar rezistencën e shqiptarëve ndaj rreziqeve që, sipas tij, kërcënonin ekzistencën e tyre në atë kohë.

Në një postim në Facebook, ai rikujtoi rolin e Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tij në përballjen me forcat serbe dhe autoritetet osmane, si dhe zhvillimet dramatike që çuan në përleshje të përgjakshme në rajonin e Mitrovicës.

“Kur Mitrovica i tha JO konformizmit të Stambollit dhe planeve të Rusisë. Ishte 31 Mars 1903”, ka shkruar Peci.

Ai ka përshkruar se si, sipas rrëfimeve historike, luftimet zgjatën për disa ditë dhe përfshinë përplasje të ashpra mes forcave osmane dhe luftëtarëve shqiptarë, duke përmendur edhe figurën e Ibrahim Halit Popovcit.

“Në këtë luftë janë vra ma se 300 djem të zgjedhun të Shales”, citohet në postim nga kujtimet e Tafil Boletinit, ku përmenden edhe disa nga të rënët në atë betejë.

Peci ka theksuar se kujtesa historike për këto ngjarje duhet të ruhet dhe të nderohet nga institucionet dhe qytetarët.

“Si Kryetar i Mitrovicës kurrë nuk do të lejoj që gjaku i dëshmorëve të Shalës dhe trevave tjera të përpihet nga kujtesa historike. Gjakun e dëshmorit as dielli s’e thanë! Mitrovica nuk harron”, ka deklaruar ai.

Në këtë përvjetor, i pari i Mitrovicës ka bërë të ditur edhe një hap konkret institucional.

“Sot në këtë përvjetor do të filloj procedurën që në brigjet e Urës së Sitnicës të vendoset pllaka përkujtimore për njërën nga betejat më të përgjakshme të historisë së popullit shqiptar”, ka shtuar Peci.

Ai e ka përmbyllur mesazhin me nderime për të rënët në këto përleshje historike.

“Përjetësisht në nderim të trimave! LAVDI!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/