Please enter at least 3 characters.

Osmani reagon pas sulmit në darkën ku ishte Trump: Sulm frikacak

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas incidentit me të shtëna në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, duke shprehur solidaritet me presidentin amerikan Donald Trump, Zonjën e Parë dhe popullin amerikan.

Në reagimin e saj në rrjetin social “X”, Osmani e ka cilësuar ngjarjen si një sulm të rrezikshëm dhe ka vlerësuar reagimin e shpejtë të Shërbimit Sekret amerikan.

“Duke dërguar lutje dhe solidaritet për Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë dhe popullin amerikan pas sulmit frikacak të mbrëmshëm në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë", ka shkruar Osmani.

Osmani theksoi besimin në institucionet amerikane dhe partneritetin me SHBA-në.

“Ne besojmë në qëndrueshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të saj, dhe mbetemi partnerë të palëkundur në promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në mbarë botën", ka shkruar ajo.

Ish-presidentja e Kosovës ka vlerësuar edhe veprimin e forcave të sigurisë amerikane.

“Jemi mirënjohës për guximin e agjentëve të Shërbimit Sekret amerikan që vepruan shpejt dhe heroikisht për të mbrojtur Presidentin dhe të gjithë të pranishmit. Trimëria e tyre ndihmoi në parandalimin e një tragjedie kombëtare”, tha ajo.

Në fund të reagimit të saj, Osmani ka theksuar rolin e SHBA-së në mbrojtjen e demokracisë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten mbrojtësi më i madh i lirisë dhe demokracisë. Asnjë akt dhune nuk do ta zbehë kurrë atë”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/