Keni fytyrë të rrumbullakët? Këto modele flokësh e ngushtojnë vizualisht profilin


Stilistët thonë se sekreti qëndron te ndarja, volumi, shtresat dhe lëvizja natyrale e flokëve
Modelet e flokëve për fytyrë të rrumbullakët për vite me radhë kanë diktuar rregulla se çfarë “duhet” dhe çfarë “nuk duhet” të vishet, por më në fund këto kufizime po mbeten pas. Dikur, qëllimi kryesor i prerjes së flokëve ishte të fshihte tiparet e rrumbullakëta të fytyrës. Sot, modeli i flokëve është aty për t’i theksuar dhe për t’i zbukuruar ato. Dhe kur, përveç kësaj, e bën fytyrën të duket më e ngushtë, kush nuk do ta caktonte menjëherë terminin te parukieri?
Kur bëhet fjalë për flokë të shkurtër, është gabim të mendohet se ato nuk u shkojnë kontureve më të buta dhe më të rrumbullakëta. Përkundrazi. Çelësi është krijimi strategjik i iluzionit vertikal, tekstura natyrale dhe shtresat që i japin lëvizje flokëve.
Nëse po mendoni për një ndryshim të pamjes dhe kërkoni një model që e zgjat vizualisht fytyrën, ju sjellim gjashtë modele flokësh, të frymëzuara nga pasarelat e modës për pranverë/verë, të cilat i rekomandojnë stilistët kryesorë, transmeton Telegrafi.
Flokë të shkurtër me ndarje anash

Ky model e zgjat vizualisht fytyrën falë volumit të krijuar në pjesën e sipërme të kokës. Stilistët këshillojnë që fijet e sipërme të ngrihen lehtë, në mënyrë që të krijojnë linja vertikale dhe t’i japin formës së fytyrës një pamje më të theksuar.
Bob i shkurtër

Edhe pse tradicionalisht këshillohet shmangia e formave gjeometrike, ky bob dëshmon të kundërtën. Kur flokët bien drejt, pranë fytyrës, ndarja në mes krijon dy linja vertikale pothuajse të përsosura, të cilat e ngushtojnë vizualisht profilin dhe e zgjasin fytyrën e rrumbullakët.
Bob me onde dhe balluke “perde”

Ky model është balanca ideale mes pamjes së lehtë dhe asaj të sofistikuar. Tekstura natyrale dhe e lëvizshme e ondeve i jep flokëve volumin e nevojshëm, ndërsa balluket “perde” e thyejnë bukur simetrinë e fytyrës së rrumbullakët dhe e hapin shikimin në mënyrën më delikate.
Lob me onde

Gjatësia që kalon vijën e nofullës është një recetë e provuar për zgjatje vizuale të fytyrës. Kur kombinohet me shtresëzim strategjik dhe onde të lirshme, ky model për fytyrë të rrumbullakët e thyen plotësisht gjeometrinë rrethore dhe sjell një stil mesdhetar, të shkujdesur dhe elegant.
Fije asimetrike dhe fluide

Ky model sjell dinamizmin që i duhet fytyrës. Fijet e buta anësore, që prekin lehtë skajet e fytyrës, zbusin konturet e rrumbullakëta, ndërsa balluket e lehta, pak të ngritura, i shtojnë menjëherë lartësi modelit.
Bob i tharë me majat nga brenda

Shembulli i fundit është një model bob për fytyrë të rrumbullakët, ku fijet anësore e ndjekin butësisht dhe e formësojnë vizualisht vijën e nofullës. Edhe te fytyrat natyrshëm më të zgjatura, ky truk thekson strukturën e kockave, ndërsa për fytyrën e rrumbullakët është një mënyrë shumë efektive për të krijuar menjëherë pamjen e një profili më të ngushtë dhe më të definuar. /Telegrafi/




































