Please enter at least 3 characters.

Njësia Rajonale për Trafik Rrugor në Prizren konfiskon 11 patentë shoferë shkaku i kundërvajtjeve të ndryshme

20:"Photo:RIDVAN SLIVOVA

Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se Njësia Rajonale për Trafik Rrugor në Prizren në kuadër të angazhimeve për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, ka ndërmarrë veprime operative që kanë rezultuar me konfiskimin e 11 patentë shoferëve, për shkak të kundërvajtjeve të ndryshme.

Konfiskimi i patentë shoferëve është realizuar në lokacione të ndryshme.

“Tri patentë shoferë janë konfiskuar për shkak të tejkalimit në vijë të plotë, në segmentin rrugor Suharekë – Carralevë. Shkeljet janë dokumentuar përmes video-incizimit nga kamera e veturës me radar mobil”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Tutje theksohet se patentë shoferët janë konfiskuar edhe në Prizren, dhe atë brenda intervalit prej 40 minutash.

“Shtatë patentë shoferë janë konfiskuar për mosrespektim të dritës së kuqe në semafor, gjatë një aktiviteti operativ të realizuar nga ora 08:20 deri në 09:00, në rrugën “Ëesli Klark” në Prizren”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu është bërë e ditur se një patentë shofer është konfiskuar për shkak se një fëmijë ishte i ulur në ulësen e përparme, gjë që sipas Policisë “përbën rrezik serioz për sigurinë e fëmijës dhe shkelje të dispozitave ligjore për transportin e fëmijëve në automjete”.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë së të gjithëve”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/