Një pikë sh*rrë për Kulturë
Politikat e shkëmbimeve kulturore ofrojnë mjetin për të përmirësuar imazhin dhe prestigjin e një vendi. Në formulimin e politikave të tilla është me rëndësi të shikohet se çka duhet të shërbejë si agjent më i përshtatshëm në shkëmbimet kulturore ndërkombëtare. Qeveria do të ketë probleme në kryerjen e programeve për shkëmbime kulturore ndërkombëtare dhe është botërisht e pranuar se shkëmbime të tilla më mirë mund të zhvillohen nga organizatat jofitimprurëse siç janë fondacionet apo organizatat akademike.
Sot është bërë e rëndësishme që shkëmbimet kulturore të implementohen jo vetëm për interes kombëtar apo për qëllime diplomatike (në kuptim të ngushtë), por për shkëmbime kulturore për hir të vlerave të vet kulturës. Në të njëjtën kohë, vala e globalizimit në masë të madhe e ka komercializuar kulturën, dhe shkëmbimet kulturore kanë filluar të ngërthejnë në vetë konflikte të interesave politike dhe ekonomike.
Nga vitet 1950’ta deri në fillim të viteve 1960’ta, Japonia u fokusua në paraqitjen e vetës si komb paqësor, jo militarist. Nga fundi i viteve 1960’ta deri në vitet 1970’ta fokusimi ishte në projektimin e imazhit se Japonia e ka transformuar vetën në një vend ekonomikisht të zhvilluar. Ndërsa, në dekadat e fundit Japonia ka zhvilluar një imazh si kontribuues në bashkësinë ndërkombëtare.
A mund të flitet sot në vitin 2010, se në Kosovë po zhvillojmë kulturë, apo se çfar modeli kulturor po zhvillojmë? Kultura dhe arti janë në një zhvillim stihik dhe pa prioritete qeveritare. Lere me të flasim se çfarë imazhi kulturor përfaqësojmë në arenën ndërkombëtare.
Arsyetimet mund të jenë të shumta nga qeveritaret, duke u thirrur në kohen e shkurtër që nga shpallja e pavarësisë si dhe jo shumë gjatë që nga përfundimi i luftës. Por me të vërtetë a janë ulur ndonjëherë qeveritaret, akademiket dhe shoqëria civile, se a mundet vendi ynë të promovojë identitet kulturor me qëllim të përmirësimit të imazhit tonë në botë?
Jo rrallë herë kulturën e kemi quajtur si ambasadorin me të mirë dhe me të lirë të Kosovës. Nuk besoj që keni dëgjuar ndonjëherë për ndonjë aktivitet kulturorë apo ndonjë konferencë shkencore nëpër vende të ndryshme, të cilat nuk e kanë njohur Kosovës, ose në ato vende të cilat nuk hezituan të na njohin. Nëse ministri i Jashtëm nuk pritët nga homologu i tij në Spanjë apo Rumani, ndonjë shkëmbim kulturor në nivel të shoqërisë civile apo të iniciativës privatë nuk besoj që do të ndalej.
Cilat janë dështimet kryesor të dikasterit të kulturës, që e mbulon ruajtjen dhe promovimin kulturor?. Për mendimin tim janë tre dështimet kryesore:
E para: Kurrë e kësaj ditë në parlamentin e Kosovës nuk është diskutuar apo janë miratuar prioritetet e ruajtjes dhe promovimit kulturor, me çka do të orientohej zhvillimi kulturor. Pra, sot kultura zhvillohet pa ndonjë model, as të kopjuar nga ndonjë shtet apo të krijuar një model tonin. Si pasojë e mosekzistimi të këtyre prioriteteve, Parlamenti i Kosovës ka miratuar një serë ligjesh me të cilat rregullohet fusha e kulturës dhe artit, çka kemi krijuar ligje ku zbatueshmëria nuk është as 30% dhe politikat që zbatojnë këto ligje.
Po të marrim një nga një këto ligje do të vërenim një kaos të vërtet, çka e dëshmon edhe iniciativa e ministrisë për amandementimin e ligjit për teatër, sepse pjesa me e madhe e këtij ligji nuk gjënë zbatueshmëri në realitet edhe pse pak vite që është miratuar. Po ashtu, po t’ju referohem edhe ligjeve të tjera, si atë për trashëgimi kulturore apo institucione kulturore, janë të pazbatueshme dhe shpeshherë në kolizion njëra me tjetrën.
Miratimi i Strategjisë për kulturë dhe ndërtimi i konsensusit në Parlamentin e Kosovës, do të ndihmonte që të këtë një vazhdueshmëri pa marrë parasysh ndërrimet e ministrave apo edhe të partive politike, si dhe orientimit të buxhetit do të shkonin aty ku vërtetë është prioritet.
Dështimi i dytë, me çka vërtetohet dështimi i parë, është politizimi i stafit civil dhe ndërrimi i tij i shpeshtë nëpër ato vende ku dija është specifike, kujtesa nuk është e largët dhe kemi disa here ndërrim të të parit të teatrit. Sot në këtë ministri dhe posaçërisht në institucionet e saja punojnë mbi treqind nëpunës pa kontrata valide dhe me një pagë, e cila jo vetëm që nuk është pagë, por është as ndihmë sociale.
Një aktor që ka bërë emër jo vetëm në Kosovë por edhe në arenën ndërkombëtare, paguhet 120 €, e mos të flasim se sa paguhen arkeologët, restautorët apo piktorët e mirë. Është për mjerim t’i takosh kuluareve këta ambasador, sepse tëre kohen e kalojnë duke akuzuar politiken dhe duke thënë: “hallall mos i qoftë tëre këtë jetë që ja kam kushtuar artit dhe kulturës”. Këtë mjerim dhe udhë pa krye, nuk e solli populli, por ata që e drejtuan sektorin e kulturës.
Dështimi i tretë, është ai i keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit, të atij buxheti shumë të vogël që ka kjo ministri. Sot në këtë ministri ndahet buxheti dhe financohen projekte pa kriter dhe në mënyrë abuzive. Nuk duhet shume të jesh i njohur me problemet, por vetëm të lexohet raporti i auditorit gjeneral për ministrinë dhe ju do të bindeshit, se shumë nga ministrat dhe një pjesë e stafit civil, sot do ta kishin vendin në burgun e Dubravës, e jo në atë ministri. Krim nuk është vetëm që ta vrasësh një njeri, por edhe t’ia ngulfatesh të ardhmen shpirtërore të tij.
Por me këtë gjyqësor, në të gjithë e dimë, se kjo nuk ka për të ndodhë tani për tani, por hajnia dhe krimi kurrë nuk vjetrohen, dhe unë shpresojë që ndonjëherë do të kemi shtet ligjor.
Është koha e fundit që të kthehet koka nga ky aset kombëtar, nga këta artist, nga kjo mundësi e mire për përmirësimit e imazhit tonë, nga këta të cilat krijojnë ushqim shpirtëror. Ose duhet të përsëritet iniciativa e një grupi te rinjsh me sloganin: “një pikë sh*rrë për kulturë”.
(Autori është ish- koordinator i grupit teknik për hartimin e strategjisë për kulturë në kuadër të hartimi të Planit Zhvillimor të Kosovës 2008-2013)


