Në Kiev, ne nuk besojmë në fantazinë e "marrëveshjes së paqes" të Trumpit: Realiteti ynë është - më shumë civilë të vrarë
Nga: Nataliya Gumenyuk / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Lufta të mëson të besosh vetëm në atë që ndodh, jo atë që thjesht thuhet apo premtohet. Një ditë pas “bisedimeve për paqe” në Londër, ku nuk shihej sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ukrainasit nuk prisnin me ankth rezultatet e një marrëveshjeje të mundshme, e cila patjetër që dukej e parealizueshme. Në vend të kësaj, ata i numëronin të vdekurit.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, Rusia lëshoi 11 raketa balistike Iskander, 37 raketa lundruese KH-101, gjashtë raketa lundruese Iskander-K, 12 raketa lundruese Kalibr, katër raketa KH-59/KH-69 dhe 145 dronë. Për banorët e Kievit dhe të Harkivit, atë natë, kjo nuk ishte thjesht një listë numrash në një faqe lajmesh, por shpërthime të ndiera dhe të dëgjuara që tundnin qytetet e tyre. Ishte nata më vdekjeprurëse për kryeqytetin ukrainas këtë vit.
Lexo po ashtu nga Nataliya Gumenyuk:
- Duhet të ndëshkohen sulmet e Putinit kundër civilëve - E ndihmova një burrë në këtë foto që të shpëtojë nga tmerret e Harkivit, për burrin tjetër mund të mos di kurrë asgjë - Jemi të frikësuar, por lufta na bëri praktikë - Supozohej se bombat e Putinit do të na thyejnë në Ukrainë, por e bënë të kundërtën - I detyruam rusët të largohen nga Kievi, jemi gati për atë që na pret
"E panevojshme dhe në një kohë shumë të keqe”, shkroi më vonë Donald Trump në rrjetet sociale. Por, ukrainasit mund të pyesin: kur do të ishte koha më e mirë për të vrarë 12 civilë dhe për të plagosur të paktën 90 të tjerë?
Shumica e njerëzve ishin në gjumë në lagjet perëndimore të Kievit që u goditën. U dëmtua pjesa më e madhe e banesave në një pallat pesëkatësh. Një raketë balistike - e dyshuar se ishte koreano-veriore - shkatërroi një shtëpi të vjetër dykatëshe. Shumica e viktimave jetonin aty.
Në kohën e shkrimit të këtij artikulli - e enjte, pasdite vonshme - punonjësit e shpëtimit dhe zjarrfikësit kishin punuar për 15 orë mbi grumbullin e rrënojave. Një grup adoleshentësh kishte ardhur të shikonte. Disa prej tyre mbërritën që në mëngjes, sepse miku dhe shoku i tyre i klasës, Danya Khudya, 17 vjeç, jetonte në atë shtëpi bashkë me prindërit. Motra e Danyas ishte dërguar më herët në spital, por djali mungonte nën rrënoja. Kështu, fëmijët filluan të kërkonin, duke ndihmuar punonjësit e shpëtimit dhe policinë. "A është gjallë"? - pyesnin vazhdimisht.
Deri në fund të ditës, më shumë se 50 të rinj ishin mbledhur aty, duke vështruar në heshtje rrënojat prapa shiritit të sigurisë. Qëndronin, pothuajse pa lëvizur, duke përqafuar njëri-tjetrin. Po prisnin një mrekulli. Por, ajo nuk ndodhi. Rreth orës 17:00, trupi i Danyas u gjet. Të afërmit u kërkuan të identifikonin trupin. Prindërit e tij, Vika dhe Oleh, gjithashtu kishin ndërruar jetë.
Përpara shtëpisë, pashë një burrë me fytyrë të mbuluar nga plagët e shkaktuara nga copëzat e predhave, duke qëndruar me shapka në këmbë. I ofruan ndihmë - dikush i kërkoi nëse kishte nevojë për këpucë të përshtatshme. Por, ai refuzoi dhe nuk kuptonte se pse po e trajtonin si viktimë. Ai tha se kishte gjithçka në shtëpi. A duhet të ndihej mirënjohës?
Kam shkruar më parë për mënyrën se si banorët e Kievit e kanë shndërruar zemërimin e tyre në veprim. Ata vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe tani, por në ajër ndihet edhe diçka tjetër - një ndjesi hutimi dhe çoroditjeje. A është kjo normalja e re?
Mendoj se kjo vjen ngaqë banorët e kryeqytetit ishin mësuar me mbrojtjen ajrore të Ukrainës që mbronte qytetin. Patriot-ët e parë - sistemi qendror i mbrojtjes ajrore i Ushtrisë amerikane - mbërritën në Kiev një vit pas pushtimit, në shkurt 2022. Sistemi u tregua i aftë të kapte dhe shkatërronte raketën hipersonike balistike Kinzhal të Rusisë. Vladimir Putini ishte mburrur se këto raketa ishin “të pathyeshme”. Që atëherë, qindra prej tyre janë zmbrapsur në ajër mbi qytetet dhe fshatrat e Ukrainës.
Por, në Ukrainë ka më pak se 10 sisteme mbrojtjeje ajrore - kjo është thjesht e pamjaftueshme për një vend që, pas Rusisë, është i dyti më i madh në Evropë. Kohët e fundit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i kërkoi Shteteve të Bashkuara të blejë - jo t’i jepen falas - edhe 10 sisteme të tjera Patriot. Trumpi e trajtoi këtë si një shaka, si një shembull të nxitjes së luftës nga ana e Ukrainës.
Kjo është e rëndësishme, sepse raketat për sistemet Patriot janë pjesa më thelbësore e ndihmës ushtarake amerikane (përtej inteligjencës) që partnerët evropianë nuk mund t’i sigurojnë vetë. Edhe nëse aleatët përpiqen t'i blejnë për Ukrainën, vendimi për t’i furnizuar mbetet në duart e ShBA-së. Për më tepër, Uashingtoni mund të kufizojë përdorimin e sistemit në distancë, pasi mban kontrollin mbi teknologjinë dhe përbërësit, të cilët varen nga përditësimet e softuerit amerikan dhe konfigurimet e radarëve.
Kjo është leva e vërtetë që ShBA-ja ka ndaj Ukrainës - arma që mund të përdorë për ta detyruar Kievin të pranojë paqen sipas kushteve ruse. Këto kushte përfshijnë ngrirjen e vijës së frontit, dorëzimin nga ana e Ukrainës të deri 20 për qind të territorit të saj sovran dhe mbështetjen te “vullneti i mirë” i Moskës për të mos u sulmuar sërish. Në krahasim, Rusia mund të fitojë jo vetëm njohjen nga ShBA-ja të territoreve të aneksuara ilegalisht, por edhe heqjen e sanksioneve amerikane.
Ukrainasit nuk e kanë luksin të zhyten në fantazitë dhe shtrembërimet e realitetit që ofrojnë Truth Social,X apo televizioni shtetëror rus. Ata nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër veçse të besojnë në raketat që fluturojnë mbi kokat e tyre, në lajmet për fqinjët e tyre të vdekur - me pak fjalë, në realitet. Ngjarjet e kësaj jave janë demonstrim i gjallë i faktit se lufta është ende duke ndodhur, se është reale dhe se Moska nuk ka asnjë dëshirë të vërtetë për ta përfunduar atë. /Telegrafi/


