LAJMI I FUNDIT:

Duhet të ndëshkohen sulmet e Putinit kundër civilëve

Duhet të ndëshkohen sulmet e Putinit kundër civilëve
Një grua vendos lule në memorialin e improvizuar për viktimat e sulmit rus me raketa, në picerinë “Ria” në Kramatorsk, Ukrainë (foto: Reuters)

Nga: Nataliya Gumenyuk / The Guardian (titulli origjinal: My friend was out for pizza when the missile hit. Putin’s targeting of civilians must be punished)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Të lutem, jo në atë vend”: ky ishte reagimi ynë i parë ndaj sulmit të raketave ruse, në picerinë “Ria” të Kramatorskut që mori 13 jetë njerëzish dhe që plagosi më shumë se 60 të tjerë. Kramatorsku është qyteti më i madh, më i sigurt dhe më i qasshëm në vijën e frontit ruso-ukrainas. Para pushtimit në shkallë të plotë, deri në 200 mijë njerëz jetonin atje; tani kanë mbetur 80 mijë, përfshirë personelin ushtarak që vjen për pushim, vullnetarët dhe gazetarët. Megjithatë, shërbimet që ofrohen janë të kufizuara, kështu që një restorant në qendër, i administruar mirë dhe me qasje cilësore në internet, me hapësira për takime dhe me ushqime të shpejta, do të jetë gjithmonë i mbushur me njerëz. Mbaj mend që kamerierët e rinj të “Ria”-s gjithmonë ofronin shërbim të përsosur, duke e ditur se të gjithë ishin duke u ngutur. Disa prej tyre tani janë në mesin e të vdekurve.


Mendimi i dytë pas këtij sulmi të ri ishte: kush ishte aty? Një vizitore – shkrimtarja e famshme ukrainase, Victoria Amelina – mbeti në gjendje kritike. Dje mësuam se ajo ka ndërruar jetë pas pesë ditëve të qëndrimit në spital. Amelina ishte studiuese e krimeve të luftës – të dielën e kaluar, një ditë para udhëtimit të saj në Kramatorsk, ishte në Festivalin “Arsenal” të librit në Kiev, ku me ftesën time ka moderuar panelin me temën “Çfarë krimi po kryen Rusia?“. Paraprakisht u bëmë që të dyja gati, duke biseduar rreth asaj se sa e vështirë është për ne që të udhëtojmë jashtë Ukrainës dhe se si ta mbledhim forcën dhe shpirtin për të vazhduar tutje. U ndjemë të sfiduara. Festivali i librit ishte nderimi ynë për qëndrueshmërinë ukrainase.

Të lexosh se një shoqe është mes viktimave, kjo të bën të ndihesh e mpirë, e pafuqishme. Nuk mund të ndalosh së menduari: po sikur të mos kishin qenë atje? Qeveria ukrainase ka identifikuar agjentin rus, për të cilin dyshohet se ka raportuar vendndodhjen e saktë të restorantit. Të gjithë e dinin se ishte gjithmonë përplot me civilë, me media, me ushtarakët që janë në pushim. Por, kishte shumë pak gjasa që komandantët e lartë të jenë aty. Nuk është objektiv ushtarak.

Duke folur në një emision të madh propagandistik në televizionin shtetëror, kanalin Russia-1, kreu i Komitetit të Mbrojtjes në Dumën ruse, gjeneralkoloneli Andrei Kartapolov, e mirëpriti sulmin në Kramatorsk, duke thënë: “Ua heq kapelën atyre që e kanë planifikuar dhe që e realizuan. Zemra ime e vjetër ushtarake gëzohet kur sheh se sa trupa të këtyre fëmijëve po gërmohen, herë me tatuazhe, herë me emblema”. Mes atyre trupave ishin edhe binjaket 14-vjeçare Yulia dhe Anna Aksenchenko.

E vizitova restorantin këtë prill, pas shfaqjes së filmit tonë në përvjetorin e sulmit në stacionin e trenit në Kramatorsk, më 8 prill 2022 – një nga më vdekjeprurësit gjatë pushtimit: 3000 njerëz ishin në stacion, 63 prej të cilëve vdiqën dhe më shumë se 100 u plagosën. Si pjesë e Projektit të Vlerësimit [Reckoning Project], që dokumenton krimet e luftës, i bëmë jehonë asaj që organizatat e të drejtave të njeriut dhe prokurorët ukrainas tashmë kanë thënë: pavarësisht pretendimeve të Kremlinit se kishte në shënjestër pajisjet ushtarake në stacion, ishte një sulm i drejtpërdrejtë i Rusisë kundër civilëve. Armët e përdorura ishin raketat Tochka-U, të ndaluara në më shumë se 100 vende, të cilat janë krijuar për të shkaktuar lëndime të rënda te njerëzit dhe ato nuk do të ishin zgjedhur nëse synimi do të ishte shkatërrimi i armëve.

Në atë kohë, bota ishte e përqendruar në mizoritë ruse në Buça, dhe banorët e Kramatorskut mbetën vetëm me plagët e veta. Duke shfaqur filmin në një bodrum të sigurt në Kramatorsk, para dëshmitarëve – përfshirë punonjësit e hekurudhës dhe të shpëtimit, policinë, kryetarin e bashkisë dhe guvernatorin – ishte e qartë se sa të lënduar ishin ata edhe pas një viti. Ka qenë dita më e tmerrshme e jetës së tyre.

Pasi hëngrëm më vonë në piceri, duke vëzhguar njerëzit që bisedojnë duke ngrënë, u kënaqëm duke parë rikthimin e jetës dhe normalitetit. Pas çlirimit të Iziumit, në shtator 2022, u zvogëlua rreziku i pushtimit të Kramatorskut që është 40 milje në jug. Qyteti po shërohej.

Pikërisht një vit para sulmit në restorantin e Kramatorskut, Rusia sulmoi një qendër tregtare në Kremençuk – larg vijës së frontit – duke vrarë 21 persona, kryesisht punonjës. Sapo e kemi publikuar hetimin: prokurorët ukrainas identifikuan se llojet e raketave të përdorura këtu, u përdorën gjithashtu në sulmet e mëvonshme kundër civilëve, duke vrarë të paktën 21 persona pranë Odesës dhe 46 që flinin në shtëpitë e veta në Dnipro. Filmi flet për sulmet të shënjestruara brutale kundër civile.

Për ekspertët ligjorë, grumbullimi i provave si këto çojnë në më shumë veprime, në një rast më të fortë. Është e kundërta për mediat. Sa më shpesh që ndodhin këto sulme, aq më shumë bie vëmendja. Duke folur për mediat ndërkombëtare, teksa punoja për dokumentimin e krimeve të luftës, ceka se reporterët dhe redaktorët – të intriguar nga “një lloj më i ri i krimit” – mërziten sa herë që kam përmendur viktimat e sulmeve me raketa. “Por, a nuk është lufta e tillë?”, pyesin ata.

Rusia ia ka dalë t’i normalizojë këto sulme me raketa kundër civilëve, dhe edhe pse është e mundur të identifikohet lloji i armës dhe të vërtetohet se ishte objektiv civil, njerëzit e ligjit hezitojnë të angazhohen kur mungon presioni i publikut.

Sulmet kundër civilëve trajtohen si tragjedi e pashmangshme të luftës. Por, ato gjithashtu janë krime që duhen hetuar, pavarësisht pikëpamjeve tona politike dhe qëndrimit ndaj konfliktit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Amelinas, në panelin për krimet e luftës, kolegët u fokusuan në përgjegjësinë për këto krime. Si ukrainase që si shumë të tjerë këto ditë ndihet e pafuqishme, e mpirë dhe e shkatërruar, sepse dikush që njohim dhe që e duam është lënduar, jam fokusuar në parandalimin. Duhet ta kërkojmë hetimin në mënyrë që në vend të përshëndetjes nga një gjeneral rus, të marrin urdhërarreste për këto lloje të sulmeve. Nuk mund t’i shpëtojmë ata që tashmë kanë vdekur, por të paktën kjo plagë e pashëruar mund të ndëshkohet. Dhe, mbase do ta parandalojë një sulm tjetër. /Telegrafi/