Please enter at least 3 characters.

Konflikti i interesit në Parlamentin e Kosovës

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se: “...deputetët që mbajnë dy pozita që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të kërkohet të heqin dorë vullnetarisht nga njëra detyrë”

Fushatën parazgjedhore sivjet e kanë pasuruar dukshëm “hapjet” vizionare të zemrave dhe të mendjeve, duke reflektuar ndjenja të thella përkushtimi demokratik për avancimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës. Është inkurajuese fryma optimiste, humaniteti dhe duarshlirësia që gjatë fushatës nxorën zyrat dhe zyrtarët më të lartë të vendit, të cilët, bindshëm dëshmuan se, nuk janë të painformuar për gjendjen dhe gjendjet e veçanta por, nganjëherë shtihen se nuk të paditur sepse ashtu ua kërkon puna.

Kjo gjendje është plotësisht e pranishme aktualisht nëpër mediet tona, nëpër të cilat janë të pranishme ekipet më elite partiake-shtetërore, të cilat, si kurrë ndonjëherë më parë, e kanë janë shkri në çmallje shpalime vizionare përmes deklaratash shumë skofiare për Kosovën që, do ta bëjnë “kopsht me lule” nëse populli me votën e vet ua krijon mundësinë që, të hyjë në dorën e tyre.

Gratë e motit kanë thënë “shyqyr që ra ky mort e u pamë!” Dhe vërtetë, shyqyr që na ndodhën këto zgjedhje dhe i pamë disa nga “pllohat” që e përbëjnë jetën tonë shoqërore. Akti më solemn i kësaj loje parazgjedhore ishte se, maskat e ujqërve u këmbyen me ato të qengjave...

2
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi para disa ditësh deklaroi se “Kryesia e Kuvendit nuk mund të bëjë më tepër sesa t’i këshillojë deputetët që t’i respektojnë ligjet!”
Pra, kjo deklaratë nënkuptoi se deputetët (ka deputetë) që nuk i respektojnë ligjet.
Kjo është shumë e dhimbshme sepse, nëse Parlamenti dhe parlamentarët që janë vet ligji, nuk e respektojnë ligjin, kjo domethënë se Parlamenti i Kosovës nuk funksionon mirë, se deputetët shkelin ligjin dhe se, kur parlamentarët e shkelin ligjin nuk mund të funksionojë shteti ligjor.
Kjo gjendje, për fatin tonë të keq, del të jetë katërçipërisht e këtillë.

Kryepartalemtari Jakup Krasniqi e ka konstatuar dhe, ka premtuar: “Do të kërkojmë nga deputetët që në punën e tyre kanë konflikt interesi, do të thotë që mbajnë dy pozita që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të heqin dorë vullnetarisht nga njëra detyrë që e kanë.”
Çdo shpjegim i mëtutjeshëm është i tepërt.

Konflikti i interesit në Kuvendin e Kosovës është i pranishëm. Janë deputetët ata që e shkelin Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Thuhet se dihen me emër e mbiemër cilët janë ata deputetë që e shkelin ligjin. Thuhet se ka pasur insistime për ndalimin e kësaj dukurie të shëmtuar, mirëpo, nuk pritet të bëhet gjë, sepse mekanizmi ligjor mungon, ndërsa ndërgjegjja dhe vullneti janë shumë të vyshkura.

Mësohet gjithashtu se gjendja ekzistuese ka gjasa të degjeneroj edhe më shumë, sepse i ka inatosur deputetët e tjerë të ndershëm, që e shohin veten të dëmtuar, sepse, jo dy, por janë të zotët edhe për 12 poste njëkohësisht.

3
Sido që të jetë, themi se, edhe nëse asgjë nuk do të përmirësohet, të paktën kryeparlamentari dhe Kryesia e Parlamentit treguan se në Parlament ka shkelje dhe shkelës të ligjit. Kjo nuk është pak, meqë dihet sëmundja, mbase vjen koha dhe krijohen mekanizma që do të gjejnë ilaçet për ta penguar shkeljen e ligjit.

Deri atëherë duhet të presim dhe të lutemi: që të mos ndodhin edhe shkelje të tjera edhe më të zeza se kjo e dy posteve, që mund të jetë asgjë, nëse, fjala vjen, vazhdojnë të jenë aktivë nepotistët, falsifikuesit e nënshkrimeve, keqpërdoruesit e mjeteve materiale e teknike...

Me masat ”e rrepta” që i ka preferuar Kryeparlamentari Krasniqi, (se të kërkojë që deputetët të heqin dorë vullnetarisht nga mosrespektimi i ligjit?!), në kopshtin e fëmijëve “Gëzimi ynë” do të recitonin: “Para e mbas buke, laji duar Zana, mos e ban veten, me të qortua nana”.