Please enter at least 3 characters.

Këto janë rrotat e veturës së re të Land Rover

Land Rover, dhe sidomos Range Rover, prej vitesh nuk janë më thjesht automjete të klasit të terrenit.

Range Rover tashmë është kthyer në një nën-markë të automjeteve luksoze me karakteristika të përshtatura për rrugë: këto janë vetura të fuqishme dhe madhështore që bien në sy për dimensionet imponuese, luksin dhe motorët e tyre të fuqishëm. Për ata që kërkojnë edhe më shumë ekskluzivitet, janë të pranishëm tunerët e njohur, mes të cilëve veçohet Overfinch.

Ky tuner britanik ofron një gamë të gjerë përmirësimesh, duke filluar nga dizajni, shtesat aerodinamike dhe interieri, e deri te modifikimet mekanike. Një nga risitë më të fundit është seti i ri i rrotave, të quajtura Helix, me një diametër mbresëlënës prej 61 centimetra.

Përveç madhësisë, këto rrota janë të përpunuara nga një bllok i vetëm alumini dhe kanë një dizajn tepër të ndërlikuar me krahë, ku detajet argjendi dhe të zeza formojnë një model spiraleje të veçantë.

Ndryshime të tjera përfshijnë zgjerime të lehta të karrocerisë, një parakolp të ri dhe një kapak motori të pajisur me një shtresë shtesë karboni. Në kabinë, Overfinch ka lënë firmën e tij me një tapiceri të guximshme në ngjyrë portokalli Arancia dhe detaje të reja prej karboni.

Sa i përket performancës, motori 4.4-litërsh V8 twin-turbo është përmirësuar nga 530 kuaj/fuqi dhe 750 Nm çift rrotullues në 620 kuaj/fuqi dhe 890 Nm.

Sigurisht, një transformim i tillë ka edhe një çmim të lartë. Pas blerjes së një Range Rover-i të ri, Overfinch do të kërkojë edhe mbi 125 mijë euro për këtë paketë modifikimesh. Vetëm rrotat Vortex, me një dizajn të ngjashëm, kushtojnë pothuajse dyfishin e shumicës së rrotave të tjera në ofertë, me një çmim prej rreth 20 mijë euro. /Telegrafi/