Dyshime për legalizime të jashtëligjshme, LVV dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij
Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë ngritur pretendime për parregullsi të mundshme në proceset e legalizimit të objekteve në kryeqytet, ndërsa kanë bërë të ditur se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të kabinetit të tij.
Në një konferencë për media, këshilltarja komunale Berita Abazi dhe këshilltari Çlirim Gerbeshi kanë deklaruar se kanë pranuar një email sinjalizues, në të cilin, sipas tyre, gjenden komunikime që ngrenë dyshime për legalizime të jashtëligjshme dhe përmendje të shumave të mëdha të parave.
Sipas tyre, në këto komunikime përmenden kompani ndërtimi, objekte dhe çështje financiare, ndërsa kanë pretenduar se një nga personat e përfshirë në biseda është shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Jemi këtë para Prokurorisë Speciale për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës dhe vetë Përparim Ramës për shkak të një sinjalizimi të cilin e kemi pranuar mbrëmë pasdite nga një sinjalizues anonim.. Këto janë pretendime serioze dhe është detyrë e institucioneve të drejtësisë që të verifikojnë nëse këto informacione janë të vërteta”, kanë deklaruar përfaqësuesit e LVV-së.
Ata kanë kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë rastin dhe të sqarojnë nëse ka pasur shkelje ligjore gjatë proceseve të legalizimit.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë me Komunën e Prishtinës për të marrë një qëndrim lidhur me këto pretendime, por deri në publikimin e këtij raportimi nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/


