Kapitali kosovar drejt rajonit, ekspertët e ekonomisë kërkojnë stabilitet dhe mbështetje në vend
Investimet e kompanive kosovare jashtë vendit po shënojnë rritje të vazhdueshme, duke reflektuar tendencën e zgjerimit të bizneseve në tregjet rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, përfaqësues të ekonomisë vlerësojnë se ky trend, ndonëse pozitiv, njëkohësisht nxjerr në pah sfidat e brendshme që po i shtyjnë bizneset të kërkojnë mundësi më të favorshme jashtë Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online e cilësoi pozitive rritjen e investimeve nga Kosova në vendet tjera duke theksuar se investimet do të ishin më të mirëpritura nëse do të bëheshin në Kosovë.
Ai thotë se Kosova në Shqipëri renditet si investitori i tretë.
“Mendojmë që është një lëvizje shumë e natyrshme. Bizneset kërkojnë me u zgjeru, tregun e Kosovës e kanë marrë. Është mirë që zgjerohen edhe në vendet e rajonit, edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Ne do të kishim pasur dëshirë që investimet të bëhen në Kosovë, investimet të zgjerohen në Kosovë, por investimet e kompanive kosovare në Shqipëri tani janë çdo vit e më shumë. Në qoftë se i shohim të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku prej vitit 2014 deri më tani ka arritur në 520 milionë euro. Kosova në Shqipëri renditet si investitori i tretë, për vitin 2025 ka investuar rreth 186 milionë.
Tani është zgjeruar edhe gama e investimeve në sektorë të ndryshëm. Nëse më herët ka prirë sidomos sektori i ndërtimit i cili vazhdon ende përgjatë vijës bregdetare ku kompanitë kosovare janë duke ndërtuar me të madhe lagje të tëra e hotele, ndërkohë kemi edhe zgjerim të sektorit të rrjeteve të shitjeve me pakicë e shumicë, si dhe sektorë të tjerë”, tha ai.
Rafuna deklaroi se Qeveria duhet të ndërmarrë veprime për rritje të investimeve brenda vendit, duke shtuar se Kosova duhet të bëhet një ambient më miqësor për biznesin.
“Kështu që kompanitë kosovare janë kompani shumë të lakmume dhe të gjitha bizneset e vendeve të rajonit e kanë lakmi të punojnë me to. Duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër: në Kosovë, pasiguria politike ka bërë që bizneset të jenë ‘pezull’ në mënyrë që të mos investojnë, kjo për shkak të pritshmërisë për të parë se cila qeveri do të jetë, çfarë qasje do të ketë ajo ndaj biznesit, çfarë politikash fiskale apo masash administrative do të ndërmerren, dhe sa do të jetë e zotuar për reforma për t’i bërë për me investu.
Ne kemi shumë nevojë për investime në Kosovë, jo vetëm prej kompanive vendase por edhe prej atyre të huaja. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta bërë Kosovën një ambient më miqësor për biznesin. Nëse nuk investon para publike në projekte kapitale, nuk mund të tërheqësh as investime private. Edhe vet rënia e rritjes ekonomike prej 4.2% sa ishte vitin e kaluar, në 3.6% sipas parashikimeve të FMN-së, tregon se ka shumë hapësirë për të bërë ndryshime”, u shpreh ai.
Rafuna renditi përmirësimet që duhet bërë duke theksuar se Kosova është një nga vendet më të sigurta në Ballkan për të investuar.
“Duhet bërë shumë për të përmirësuar imazhin tonë. Deri para një muaji kemi qenë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Më pas, pavetëdijshëm ose pa qëllim, e kemi dëmtuar imazhin tonë duke deklaruar se po sulmohemi prej Serbisë apo se ushtria e tyre është në kufi me Kosovën. Pas veprimeve të brendshme administrative që janë marrë nuk kanë ndihmuar në promovimin e Kosovës si një vend i sigurt dhe miqësor për biznes.
Ne duhet t’i tregojmë botës se Kosova është një nga vendet më të sigurta në Ballkan për të investuar sepse: Ke trupat e NATO-s këtu, gjë që asnjë vend tjetër nuk e ka në këtë formë. E dyta ka një popullsi shumë të re në moshë dhe shumë të edukuar duke shtuar këtu që kemi një infrastrukturë rrugore mjaft moderne dhe të re. Legjislacionin e kemi të adoptuar tërësisht nga Bashkimi Evropian. Në politikat fiskale kemi normat tatimore ndër më të ultat”, tha tutje Rafuna.
Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online thotë se kapitali i Kosovës ka prekur edhe vendet e rajonit.
Madje, shton se nga Kosova nuk po largohen vetëm të rinjtë poe me të madhe janë duke u larguar edhe bizneset.
“Mungesa e stabilitetit politik që e ka kapluar Kosovën vitet e fundit ka ndikuar në mënyrë direkte, indirekte apo periferike që të humbet shpresa se në Kosovë mund të ketë ardhmëri, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin demografik dhe profesional. Në këtë drejtim, nga Kosova, falë krizës aktuale që e ka kapluar Kosovën, nuk janë duke u larguar vetëm qytetarët dhe të rinjtë, por me të madhe janë duke u larguar edhe bizneset.
Ne po flasim tani për Shqipërinë, ku vërehet, do të thotë, një fluks i madh i kapitalit kosovar, ku në vitin 2025 ka qenë më tepër se 156 milionë në mënyrë të evidentuar. Por besoj që një avaz i tillë i ikjes së kapitalit nga Kosova është evident shumë më tepër në Mal të Zi, shumë më tepër në perëndim, në veçanti në Gjermani, në Austri dhe në Slloveni”, tha ai.
Ai përmendi edhe mungesën e stabilitetit politik, e që sipas tij është një ndër faktorët kryesor për ikjen e investitorëve.
“Para ca ditësh isha në Slloveni dhe me rastisi të takoj 24 biznesmenë nga Kosova të cilët investojnë në Slloveni, dhe e tërë kjo duhet të jetë vërtet një brengë për institucionet kosovare që të bëjnë më tepër jo vetëm që të ndalin rininë dhe qytetarët të mbesin në Kosovë, por t’i ndalin edhe investitorët dhe investimet e huaja të cilat po dalin nga Kosova në vendet e rajonit. Në këtë drejtim po e shihni që mungesa e stabilitetit politik është një ndër indikatorët kyç. Distanca, apo një qasje distancuese përballë biznesit është e dyta. Vendet e rajonit ofrojnë lehtësi të ndryshme dhe benefite për bizneset, të cilat krijojnë vende të reja, prodhojnë dhe përmirësojnë balancën e pagesave. Një gjë e tillë në Kosovë nuk duket se po ndodh”, u shpreh Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se bizneset e mëdha në Kosovë po shihen si armiq të shtetit dhe se po penalizohen.
“Bizneset e mëdha që mund të jenë promotorë të zhvillimit ekonomik, shihen si armiq të shtetit dhe tentohet të penalizohen. Dhe në këtë drejtim, nuk duhet të na habisë fakti që nga Kosova nuk po ikin vetëm qytetarët, nuk po ikën vetëm biznesi dhe kapitali, por në mënyrë graduale është duke u bartur edhe prodhimi, në veçanti në Maqedoni, në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme.
Është koha kur duhet vërtetë të bëhet më tepër në përmirësimin e ambientit të biznesit, është koha kur duhet të trajtohet biznesi si partner në zhvillim dhe jo të jetë vetëm për t’u gjykuar, sepse vërtet para jush do të isha personi më i lumtur t’i numëroj pesë investitorë të huaj që kanë investuar në Kosovë, por ata nuk gjenden. Prandaj, ky fluks dhe kjo ikje duhet të jetë shqetësuese për politikën kosovare sepse pa zhvillim ekonomik, pa qytetarë dhe pa kapital vendor, nuk mund të kemi perspektivë dhe ardhmëri më të ndritshme, siç e meriton qytetari i Republikës së Kosovës”, thotë tutje ai.
Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, investimet nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme. Për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Stoku i përgjithshëm i investimeve ka arritur rreth 550 milionë euro, duke reflektuar një prirje të qartë drejt diversifikimit dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik jashtë Kosovës./EO/


