Please enter at least 3 characters.

IKD publikon raport kritik mbi shuarjen e Ministrisë së Punës – kërkohet rikthimi si institucion i pavarur

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, ka organizuar sot një tryezë diskutimi me deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku u publikua raporti: “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave – Analizë e reformës qeveritare në fushën sociale”.

Raporti sjell në fokus pasojat institucionale, sociale dhe ligjore të reformës qeveritare të vitit 2021, kur Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) u shkri në Ministrinë e Financave, duke e cilësuar këtë vendim si të nxituar dhe me pasoja të rënda për sistemin social të vendit.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, kritikoi mungesën e transparencës dhe analizës para këtij vendimi, duke theksuar se mungesa e dialogut social dhe planifikimit ka sjellë kosto të mëdha financiare dhe ngarkesë për gjykatat, sidomos në raport me obligimet ndaj sindikatave dhe kontratat kolektive.

“Nëse duhen paguar 300 milionë euro për kontrata kolektive, duhet analizuar nëse është më mirë t’i përmbushim këto obligime apo t’i dërgojmë rastet në gjykatë dhe borxhi të trefishohet”, u shpreh Miftaraj.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, e cilësoi këtë reformë si dështim total, duke thënë se Kosova është një ndër vendet e pakta në Evropë pa një ministri të dedikuar për mirëqenie sociale. Ai theksoi se ligje kyçe si ai për Punën dhe Sigurinë në Punë janë bllokuar, ndërsa harmonizimi me direktivat e BE-së është penguar.

Sipas tij, Kosova ka vetëm 60 inspektorë për mbi 70 mijë biznese, ndërkohë që gjatë vitit 2024 janë regjistruar 505 lëndime dhe 12 vdekje në vendin e punës. Jakaj ngriti shqetësimin edhe për mungesën e një Këshilli Ekonomiko-Social funksional dhe mungesën e kontratave kolektive.

Në tryezë morën pjesë edhe deputetë nga partitë kryesore politike, të cilët patën qëndrime të ndryshme:

Armend Muja (LVV) pranoi mungesën e inspektorëve, por tha se numri i tyre është dyfishuar që nga viti 2021, dhe theksoi se çështja duhet parë nga këndvështrimi profesional, duke vënë në dyshim disa konkluzione të raportit.

Blerta Deliu-Kodra (PDK) e cilësoi vendimin si të nxituar dhe të pakonsultuar, duke kritikuar mungesën e dialogut social dhe politizimin e inspektoratit.

Armend Zemaj (LDK) tha se vendimi ka krijuar kaos në sistemin social, duke përmendur rastin e largimit masiv të punëtorëve nga QKUK si shembull të dështimit institucional.

Veton Berisha (PLE) theksoi se komunitetet pakicë janë lënë pas dore pas shuarjes së MPMS-së, dhe problemet sociale janë thelluar.

Edhe përfaqësues të sindikatave dhe shoqërisë civile shprehën kritika të ashpra:

Ymeri Ymeri nga SBASHK, ngriti shqetësimin për mospërfaqësimin e sindikatave në bordet shtetërore, dhe faktin që Kosova është i vetmi vend në rajon pa Këshill Ekonomiko-Social funksional.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat, e quajti vendimin për bashkimin e MPMS me Ministrinë e Financave si gabim fatal, që ka sjellë pasoja të mëdha në terren.

Ndue Kalaj, veteran i sindikalizmit, theksoi se ky bashkim nuk ka pasur asnjë logjikë funksionale, duke pyetur se si mundet një ministri financash të menaxhojë edhe politikat sociale.

Vehbi Mujku, ish-zyrtar i MPMS-së, përmendi dështimin e një modeli të ngjashëm të bashkimit ministror në vitin 2002 dhe kritikoi shpërndarjen e kompetencave sociale në mënyrë të paqartë ndërmjet Ministrisë së Financave, të Drejtësisë dhe Shëndetësisë.

Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari”, tha se mirëqenia sociale nuk duhet të reduktohet në transfer financiar, por të trajtohet si politikë e mirëfilltë publike me fokus në dinjitetin dhe zhvillimin njerëzor.

Në fund të diskutimit, pjesëmarrësit u pajtuan se rikthimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion i pavarur dhe i specializuar është i domosdoshëm për të ringjallur dialogun social, avancuar të drejtat e punëtorëve, dhe harmonizuar politikat me standardet evropiane.