Please enter at least 3 characters.

Gjyqësori po ndryshon

Sistemi gjyqësor i Kosovës pas luftës i është nënshtruar një reformimi të tërësishëm. Me vendosjen e administratës së OKB-së, hyjnë në fuqi edhe rregulloret e UNMIK-ut dhe ligji për Gjykatat e rregullta të KSAK-së, të cilat aktualisht bëjnë rregullimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi, duke pasur parasysh që edhe kompetencat ekskluzive që i takonin kryeadministratorit të përgjithshëm të OKB-së. Pas shpalljes së pavarësisë, me hyrjen në fuqi të kushtetutës më 15 qershor, është paraparë të nxirret Ligji i ri mbi Gjykatat i cili bën rregullimin dhe ristrukturimin e gjyqësorit. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet ligji për Gjykatat e rregullta i KSAK-së, rregulloret e UNMIK-ut dhe ligjit për kundërvajtjet.

Rregullimi i sistemit gjyqësor, sipas ligjit aktual mbi Gjykatat e rregullta të KSAK-ut, është si vijon: Gjykata për Kundërvajtje, Gjykata Ekonomike, Gjykatat Komunale, Gjykata e Qarkut dhe Gjykata Supreme si gjykata të rregullta. Pas miratimit të Ligjit të ri për Gjykatat (Ligji nr. 03/L-199) dhe Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (Ligji nr. 03/L-223), Kosova ka nisur një reformë rrënjësore të sistemit gjyqësor.

Që nga janari i vitit 2013, kur Ligji për Gjykatat do të bëhet plotësisht funksional, gjyqësori i Kosovës do të përballet me ristrukuturimin e plotë të sistemit gjyqësor. Të gjitha Gjykatat në Kosovë do t'i nënshtrohen transformimit të rrënjësishëm të strukturës dhe juridiksionit. Më nuk do ketë Gjykata për Kundërvajtje, Gjykata Komunale apo Gjykata të Qarkut. Të gjitha gjykatat e shkallës së parë do të quhen Gjykata Themelore dhe respektivisht do te ketë degë të gjykatave themelore. Ndërsa, Gjykata e Shkallës së Dytë do të quhet Gjykata e Apelit dhe parashihet të jetë vetëm një në tërë Kosovën, me qendër në Prishtinë.

Pra, siç mund të shihet, sistemi i gjykatave i Republikës së Kosovës do të përbëhet nga: Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Degët themelohen brenda territorit të një gjykate themelore. Me qëllim të veprimeve më efikase të gjykatës përkatëse, brenda Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore mund të themelohen departamente dhe divizione.

Gjykata Themelore do të jenë gjykata e shkallës së parë në territorin e Republikës së Kosovës, ku gjithsej do jenë shtatë në territorin e qendrave me të mëdha. Përveç selive kryesore të këtyre gjykatave, këto do kenë edhe degë të tyre. P.sh. Gjykata Themelore në Prishtinë do të këtë degët e saja në Gllogoc, Podujevë, Lypjan dhe Graqanicë.

Gjykata Themelore do jetë kompetente për të gjykuar në shkallë të parë gjitha çështjet, përpos nëse me ligj parashihet ndryshe. Gjykatat themelore po ashtu do te jenë kompetente për të dhënë ndihmën juridike ndërkombëtare, si dhe për të vendosur për pranimin e vendimeve të gjykatave të huaja, Çështjet administrative dhe ekonomike do të jenë kompetencë ekskluzive vetëm e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Departamentet në vijim themelohen brenda Gjykatave Themelore, me qëllim të ndarjes së çështjeve
sipas natyrës së tyre:

- Departamenti për Çështjet Ekonomike, siç e cekëm me lartë, do të veprojë vetëm në Gjykatën Themelore Të Prishtinës, për gjithë territorin e Republikës së Kosovës;

- Departamenti për Çështjet Administrative po ashtu do të veprojë vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për gjithë territorin e Republikës së Kosovës;

- Departamenti për Krimet e Rënda do të veprojë në selinë e secilës Gjykatë Themelore;

- Departamenti i Përgjithshëm do të veprojë në selinë e secilës Gjykatë Themelore, si dhe në
se cilën degë të Gjykatës Themelore;

- Departamenti për të Mitur do të veprojë po ashtu në kuadër të gjykatave themelore.

Gjykata e Apelit do të themelohet si gjykatë e shkallës së dytë, me juridiksion territorial në gjithë Republikën e Kosovës. Selia e Gjykatës së Apelit do të jetë vetëm në Prishtinë. Gjykata e Apelit, duke qenë gjykatë e vetme e shkallës së dytë me juridiksion shtetëror, duhet të ketë afërsisht 35-45 gjyqtarë. Rrjedhimisht, kjo do të kërkoj edhe një staf të gjerë mbështetës administrativ.

Gjykata e Apelit është kompetente të shqyrtojë:

- Të gjitha ankesat e ushtruara kundër vendimeve të Gjykatave Themelore;

- Të vendosë në shkallë të tretë, sipas ankesës që është lejuar me ligj dhe për konfliktin e juridiksionit ndërmjet gjykatave themelore;

- Të vendosë për konfliktin e juridiksionit ndërmjet Gjykatave Themelore;

- Çështjet tjera të parapara me ligj.

Gjykata e Apelit do të organizohet në departamentet si në vijim:

- Departamenti i Përgjithshëm;
- Departamenti për Krime të Rënda;
- Departamenti për Çështje Ekonomike;
- Departamenti për Çështje Administrative;
- Departamenti për të Mitur .

Gjykata Supreme e Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata Supreme përfshin kolegjin e apelit të Agjencionit Kosovar të Pronës si dhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e së cilës janë pjesë e Gjykatës Supreme. Selia e Gjykatës Supreme është në Prishtinë.

Gjykata Supreme është kompetente të vendosë lidhur me:

- Kërkesën për mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës, siç është paraparë me ligj;

- Revizionin kundër vendimeve të shkallës së dytë të gjykatave në çështjet kontestimore, siç është paraparë me ligj;

- Përcakton qëndrimet parimore dhe mendimet juridike për çështjet që kanë rëndësi për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Kosovës;

- Lëndët e Agjencisë Kosovare të Pronave, siç parashihet me ligj;

- Në Dhomën e Posaçme, lëndët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ose të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, siç parashihet me ligj;

- Çështje të tjera të parapara me lig.

Pra, siç mund te shihet, Gjykata Supreme do mbetet e njëjtë. Nuk do ndryshojë as struktura e saj apo organizimi i saj, si dhe kompetencat do mbeten të njëjta. Risi me këtë sistem të ri do të jetë Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit te cilat më parë nuk kanë ekzistuar ne sistemin tonë gjyqësor.

Jemi dëshmitarë gjyqësori tash 13 vite pas luftës ka qenë vazhdimisht nën thumbin e kritikave, si nga qytetarët e Kosovës, po ashtu dhe nga ndërkombëtarët, ku vazhdimisht janë vërejtur shkelje dhe parregullsi. Ky gjyqësor deri më tash ka lënë shumë për të dëshiruar. Megjithatë, ka pas hapa drejtë përmirësimit të kësaj gjendje. Të gjithë gjyqtarët i janë nënshtruar procesit të verifikimit, u janë rritur pagat pikërisht me ketë ligj, si dhe janë bërë dhe emërime tjera të gjyqtarëve - është rritur numri i tyre. Por, ka pasur parregullsi dhe shkelje të ndryshme. Numri i lëndëve të pazgjidhura është shume i lartë dhe ky problem po vazhdon ta përcjellë tash e shume vite sistemin gjyqësor të Kosovës.

Me këto ndryshime qe pritet të ndodhin prej janarit te vitit 2013, e sistemi gjyqësor do t’i nënshtrohet një reforme rrënjësore. Atëherë mund të pritet që në fund të kemi një gjyqësor te drejtë, të paanshëm dhe efikas, i cili do mbrojë të drejtat dhe interesat e qytetarëve dhe nuk do të jetë në shërbim të politikës.

Më këtë sistem të ri pritet të zvogëlohet edhe numri i lëndëve të pazgjidhura, të cilat do t’i trashëgojë ky sistem i ri. Pastaj, për qytetarët e Kosovës do ketë shërbime më cilësore nga ana e gjykatave, transparencë më te madhe, mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe më shumë drejtësi për gjithë qytetarët e Kosovës.