Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazën kryesore, nis paraqitja e dëshmitarëve nga pala mbrojtëse
Sot me fillim nga ora 09:00, në Dhomat e Specializuara në Hagë do të rinisë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë herë, është radha e palës mbrojtëse për të paraqitur dëshmitarët e saj në këtë proces.
Sipas raportimeve dëshmitari i parë që pritet të paraqitet në sallën e gjyqit është James Rubin, – ish-zyrtar i lartë amerikan dhe një njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës.
Dëshmia e tij pritet të hedhë dritë mbi rrethanat politike dhe diplomatike të kohës, dhe të mbështesë argumentet e mbrojtjes.
Ekipi i Telegrafit ndodhet brenda sallës së gjykimit në Hagë dhe do të sjellë për lexuesit informacione të drejtpërdrejta, zhvillimet kryesore dhe detajet më të rëndësishme nga ky proces i rëndësishëm.
Mbetet të shihet se çfarë do të sjellin dëshmitë e palës mbrojtëse dhe si do të ndikojnë ato në rrjedhën e mëtejshme të gjykimit.
Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi vazhdon të zgjasë prej muajsh, ndërsa kjo fazë e re e mbrojtjes shihet si tejet e rëndësishme për rrjedhën e mëtejshme të procesit./Telegrafi/


