Genesis drejt prodhimit të rivalit të Mercedes G-Class
Ka një arsye pse Mercedes-Benz G-Class ka ekzistuar për gati 50 vjet.
Vetura gjithmonë popullore fuoristrade është elegante, luksoze dhe - më e rëndësishmja - jashtëzakonisht e aftë.
BMW tashmë tha se dëshiron rivalin e saj G-Class, dhe tani thuhet se edhe Genesis dëshiron të përfshihet.
Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv Jose Munoz zbuloi se Genesis po eksploron idenë e "automjeteve të reja kryesore", duke përfshirë një fuoristradë të nivelit të lartë.
"Ne do të shkojmë përtej linjës ekzistuese të modeleve të markës për të krijuar automjete të reja kryesore. Për shembull, një fuoristradë e mbushur me frymën e aventurës, ashtu si koncepti X Gran Equator. Këto automjete, të cilat aktualisht janë koncepte, ilustrojnë ambicien tonë për të ofruar produkte kryesore që ofrojnë përvoja të jashtëzakonshme."
Thashethemet kanë qarkulluar për muaj të tërë se Genesis mund të sjellë në prodhim konceptin X Gran Equator - i zbuluar për herë të parë në Panairin e Automobilave në New Yorknë prill.
Në atë kohë, kompania deklaroi se “nuk ishte konfirmuar për prodhim”, por komentet e fundit të Munoz sugjerojnë se vetura luksoze fuoristrade mund të jetë vërtet në rrugë e sipër, ose të paktën diçka e frymëzuar prej saj.
Përveç një konkurrenti të mundshëm të G-Wagon, Genesis ka lënë të kuptohet për projekte të tjera emocionuese, duke përfshirë një coupe G90 të përfolur bazuar në konceptin X Gran Coupe, dhe një sedan elektrik me performancë të lartë që synon drejtpërdrejt Porsche Taycan - me mbi 1,000 kuaj fuqi.
Mbetet për t'u parë se cili nga këto koncepte do të shkojë në prodhim. /Telegrafi/


